Lajmet në gjuhën shqipe - 14/07/2014

U dënua me 12 vjet burgim ish kryetari i Bashkisë së Selanikut,
Vasilis Papageorgopulos
Me 12 vjet burg është dënuar ish-kryetari i bashkisë së Selanikut,
Vasilis Papageorgopulos, i cili u gjykua si fajtor në shkallën e dytë
fajtor për bashkëpunim të thjeshtë në përvetësimin shumë të madh të
fondeve të Bashkisë së Selanikut.

Shpërthim në një punishte fishekzjarresh
Katër vetë u plagosën nga shpërthimi në një punishte fishekzjarresh në
Zevgolatio, e cila ndodhet ngjitur me shtëpinë e pronarit. I plagosur
është pronari 39-vjeçar i punishtes, dy fëmijët e tij, një djalë 11
vjeç dhe një vajzë 7 vjeç, por dhe një punonjës 35 vjeçar.

Vjen deri në fund të javës në Parlament projektligji për pyjet
Fronte të reja hapen për qeverinë, sepse pas projektligjit për DEH-në
e Vogël, tani erdhi momenti për projektligjin në lidhje me pyjet, i
cili vjen në Parlament brenda kësaj jave.
Në të njëjtin moment, SYRIZA dhe kryetari i saj, Aleksi Tsipra - me
një aktivitet konkret të mërkurën- dërgojnë mesazhin se projektligji
për bregdetet do të jetë fronti tjetër i ballafaqimit të ashpër.
Gjithashtu, vazhdohen takimet e përfaqësuesve të Troikës me zyrtarë të
qeverisë dhe sot janë paraqitur në tryezë çështjet ekonomike të
fondeve të sigurimeve sociale.

Pa rezultat takimi me zv/ministrin e Arsimit
Asgjë nuk solli takimi i Federatës Pedagogjike të Greqisë me
zv/ministrin e Arsimit. Por, lajmi që doli nga takimi është se nuk do
të bëhet asnjë emërim i mësuesve për vitin e ardhshëm, një fakt i cili
nëse kombinohet me daljet në pension paralajmëron mungesa tragjike të
mësuesve në vitin e ardhshëm akademik që fillon në shtator.

Punonjësit e Postave të Athinës në grevë të mërkurën
Shoqata e punonjësve të Postave Greke të Athinës dhe rrethit të
Attikës vendosi shpalljen e grevës 24-orëshe ditën e mërkurë, më 16
korrik, duke kërkuar punësimin e menjëhershëm të punonjësve sezonalë.
Nëse nuk zgjidhen problemet, shoqata paralajmëron për grevë të re
katër-ditore nga data 11-14 gusht.

Koncert më 28 korrik me Harula Aleksiu në solidaritet me pastrueset e
ministrisë së Financave
Për 595 pastrueset e ministrisë së Financave, që vazhdojnë luftën e
tyre për rikthimin në vendet e tyre të punës për 10 muaj, organizohet
siç u transmetua nga radio ‘’sto kokkino’’ dhe nga ‘’solidariteti për
të gjithë’’ një koncert i madh në solidaritet me përpjekjen e këtyre
grave me këngëtaren Harula Aleksiu.
Koncerti do të zhvillohet të hënën më 28 korrik, në orën 21:00 në
mbrëmje, në sheshin Sindagma. ERTOPEN na fton të gjithëve të jemi aty
për të mbështetur luftën e grave-pastruese të ministrisë së Financave.

Kanë dalë listat me emrat e fëmijëve që do të pranohen në kopshtet e OAED
Janë hartuar listat e përkohëshme të përzgjedhjes së foshnjave dhe të
fëmijëve të vegjël në Kopshtet për Fëmijë të Organizmit të Punësimit
të Fuqisë Punëtore (OAED) për vitin shkollor 2014-2015.
Prindërit e interesuar mund të informohen për rezultatet nga kopshtet
e fëmijëve të OAED, në zonën ku jetojnë dhe kanë dorëzuar aplikimin e
tyre dhe nga faqja e internetit të Organizmit.
Filloi sot periudha e uljes së çmimeve
Fillojnë sot uljet e çmimeve për stinën e verës, të cilat do të
zgjasin deri të shtunën më 30 gusht.
Filloi dorëzimi i aplikimeve për Programin e Ndihmës për pushime
Filloi sot dorëzimi i aplikimeve për Programin e Ndihmës së Pushimeve
të Punonjësve, të Papunëve dhe Familjeve të tyre me një Çek të
Turizmit Social për periudhën 2014-2015. Ky Program siguron një ndihmë
për pesë netë nga 15 shtatori i vitit 2014 deri më 31 gusht 2015.

Vdiq kritiku i filmit, Jannis Deliolanis
Kritiku i Filmit, Jannis Deliolanis, vdiq dje në moshën 49 vjeç.
Varrimi i tij do të mbahet nesër në orën 18:00 pasdite në varrezat e
Kaisarianis.

Lajme nga Bota

Në 172 shkon numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet e ushtrisë izraelite
Një palestinez ka vdekur orët e para të ditës së sotme për shkak të
plagëve që ka marrë gjatë një sulmi ajror izraelit mbrëmjen e së
dielës, bën me dije agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu, nga një
citim i ministrit palestinez të Shëndetësisë, Ashraf al-Qodra.
Viktima e fundit e çoi në 172 numrin e përgjithshëm të palestinezëve
të vrarë nga sulmet ajrore izraelite, ndërsa 1 260 të tjerë janë
plagosur. Izraeli nisi një operacion ushtarak të quajtur ”Edge” për
t’i dhënë fund sulmeve me raketa të nisura nga Rripi i Gazës.
”Rreth 208 izraelitë janë plagosur nga sulmet e raketave nga Gaza, por
viktima nuk ka”, njoftoi Shërbimi Kombëtar izraelit i Emergjencave.

Ushtria ukrainase nisi bombardimet
Ushtria ukrainase nisi bombardimet nga ajri në lindje të vendit mbi
objektiva të caktuar në rajonin e Luhanskut, në vazhdën e përpjekjeve
për t’i dhënë fund bllokimit të një aeroporti strategjik në këtë zonë,
i ndodhur prej javësh në duart e rebelëve.
Forcat ajrore të Kievit flasin për 5 goditje të fuqishme. Në faqen e
presidentit Petro Poroshenko në rrjetin social Facebook, thuhet se
trupat ukrainase i kanë larguar tashmë seperatistët nga aeroporti, por
mbështetësit e Moskës në Luhansk pretendojnë se nuk ka pasur ndonjë
sulm të ri ajror.
Luftimet në zonë janë intensifikuar që prej sulmit me raketa të
rebelëve në afërsi të kufirit me Rusinë të premten, ku u vranë të
paktën 19 ushtarë ukrainas. Pas kësaj ngjarjeje, Poroshenko u betua
për hakmarrje.
Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë gjatë fundjavës, kur Moska
akuzoi forcat e Kievit se kishin bombarduar edhe përtej kufirit, duke
vrarë një person e duke plagosur dy të tjerë. Vetëm të djelën, sipas
saj, në Luhansk dhe Donjeck kanë gjetur vdekjen të paktën 15 civilë.
Rusia kërkon bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Rebelëve, e me
pretendimet e saj është bashkuar së fundmi edhe Gjermania, ndërsa
Britania dhe Shtetet e Bashkuara ripërsëritën thirrjet drejtuar Moskës
për të çtensionuar situatën në lindjen e vendit fqinj, në të kundërt
do të përballet me sanksione të reja.
Më shumë se 1.000 civilë dhe militantë besohet të kenë gjetur vdekjen
në luftimet që kanë trazuar rajonin pas aneksimit të Krimesë nga Rusia
në muajin mars.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik ka dhënë një buletin për përkeqësimin
e papritur të motit për nesër me shira dhe stuhi të fuqishme në
rajonet kontinentale qendrore dhe veriore, por dhe në Egjeun Verior,
që do të shoqërohen me breshër në nivel lokal dhe erëra të forta.
Përmirësim gradual pritet të martën në mbrëmje.
Në Attikë priten vransira të pakta, që do të dendësohen dhe mund të
shënohen shira dhe stuhi të fuqishme, kryesisht pasdite. Temperatura
më e lartë në Athinë do të jetë 30ºC.
Në Selanik do të ketë vransira që në vazhdim do të rriten me shira dhe
stuhi, ka shumë mundësi të fuqishme. Temperatura më e lartë do të jetë
26ºC.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54