Lajmet në gjuhën shqipe 13/02/2015

---Për herë të parë që nga marrja e detyrës, kryeministri Aleksis Cipras ka shprehur optimizëm të përmbajtur për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët, sipas gjasave madje edhe të hënën e ardhshme, në takimin e Eurogrupit.

Duke përmbledhur zhvillimet e 24 orëve të fundit, gjatë konferencës për shtyp në përfundim të samitit, kryeministri deklaroi se është bërë një hap, se është përshkuar një distancë e rëndësishme gjatë negociatave dhe ia dedikoi ndryshimin e kursit lidhur me mbledhjen e Eurogrupit, marrëveshjes së tij me kreun e eurozonës, Jeroen Dijsselbloem për t’u caktuar dy komisione teknike, që do të përgatisin marrëveshjen e re.

Sipas z.Tsipra është një kontratë e re sociale, ndërsa vuri në dukje se gjatë pozicionimit të tij në takimin e nivelit të lartë, kërkoi nga partnerët që të krijohet një marrëdhënie besimi dhe të trajtohet ndryshimi politik në Greqi jo si kërcënim, po si ndryshim.

Në përgjigje të pyetjes nëse “kontrata sociale” do të shtrohet në referendum apo do të përzgjidhet rruga parlamentare, kryeministri la të kuptohet se do të paraqitet në parlament. Ai e argumentoi këtë duke shprehur sigurinë për besimin e popullit ndaj qeverisë, diçka që siç tha, vërtetohet edhe nga tubimet për mbështetjen ndaj qeverisë.

”Për pesë vjet populli protestonte duke dënuar qeveritë, ndërsa sot manifestimet janë në përkrahje të qeverisë, diçka që na jep forcë”, deklaroi ai.

Kryeministri përsëriti mjaft herë se as Trojka, as memorandumi nuk ekziston më dhe vuri në dukje se asnjë lider i huaj gjatë samitit, nuk iu referua trojkës.
”Greqia do të konsultohet me partnerët institucionalë, kryesisht me Komisionin Europian, ndërsa do të gjendet në konsultim të vazhdueshëm me FMN dhe me Bankën Qendrore Evropiane”, theksoi Cipras.

Duke shprehur në mënyrë të tërthortë kënaqësinë e tij për zhvillimet e fundit, kryeministri deklaroi se kohët e fundit u trafikuan mjaft skenarë që u përgënjeshtruan, si skenarët e krizës dhe të falimentimit, nëse nuk nënshkruante zgjatjen e afatit të programit.
”Në këto momente po diskutohet ekskluzivisht një marrëveshje e re. Kjo do të thotë se Greqia pretendon, bind, nuk shantazhohet dhe nuk shantazhon”, deklaroi Cipras

Korrespondentët në Bruksel thonë se samiti i parë për Tsipras përfundoi me një armëpushim të përkohshëm pavarësisht tensioneve të provokuara jo nga gjermanët, siç mund të pritej, por nga homologu spanjoll i Tsipras. Tashmë, partnerët europianë presin të shohin ç'do të ngjasë gjatë fundjavës dhe rezultatin e takimit të së hënës me shefat e Financave të eurozonës.  

---Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem konfirmoi sot se ishte pesimist për mundësinë e një marrëveshjeje me Greqinë gjatë takimit të parashikuar të hënën e ardhshme në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje financiare me Athinën.

“Jam shumë pesimist përsa i përket një etape konkrete të hënën”, theksoi ai për televizionin publik holandez, ”NOS”, duke iu referuar një takimi vendimtar të ministrave të Financave të zonën euro. “Grekët kanë ambicie të mëdha, por mundësitë, duke marrë parasysh gjendjen e ekonomisë greke, janë të limituara”, deklaroi Jeroen Dijsselbloem.

Programi i ndihmës për Greqinë përfundon më 28 shkurt dhe qeveria e re greke refuzon ta shtyjë. E vendosur për t’u çliruar nga trojka e kreditorëve (BE, BQE dhe FMN) dhe masat që i ka vendosur që prej vitit 2010, qeveria greke kërkon të marrë një program të ri me kushte më pak të rrepta në planin social. Evropianët kërkojnë që Greqia të pranojë një zgjatje të programit për t’u financuar për një kohë të shkurtër, para se të parashikojë një zgjidhje për reduktimin e borxhit, më shumë se 175 për qind e PBB-së.

“Ne do të japim para vetëm atëherë kur të jenë realizuar progrese dhe reforma të reja të jenë zbatuar”, konfirmoi presidenti i Eurogroupe.

“Është qeveria greke që duhet të bëjë hapin e parë”, shtoi ai duke kujtuar se qeveria greke ishte shumë e qartë për qëllimin e saj për të mos rinovuar programin ekzistues.

---«Jam i sigurtë se për Greqinë do të gjejmë një zgjidhje reciproke të pranueshmezgjidhje të përbashkët», deklaroi ministri italian i Financave, Pier Carlo Padoan në kanalin italian Mix 24.
Pier Carlo Padoan shtoi se «e karakterizon optimizmi i vullnetit» dhe vlerësoi se rreziku i daljes së Greqisë nga Euro largohet.

---Shpresoj se të hënën në Eurogroup do të ketë marrëveshje me Greqinë tha dhe Komisioneri i Çështjeve Monetare Pierre Moscovici, duke folur në radion Evropa 1 dhe duke theksuar se vendi i Greqisë është në Eurozonë. Ndërkohë, shtoi se është po aq e rëndësishme që të respektohen angazhimet.

---Masat që synon qeveria greke të tërheqë si antisociale duhet të zëvendësohen me masa të tjera ekuivalente, deklaroi Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. 

---Në Athinë ka ardhur dhe ministri gjerman për çështjet evropiane, Michael Roth, i cili është takuar me homologun e tij grek, Nikos Huntis. 

---Edhe në qoftë se nuk arrihet marrëveshje për një program mbështetës për Greqinë, porta për financimin e bankave greke nuk do të mbyllet, ndërsa ato do të kthehen në kreditimin normal nga Banka Evropiane Qendrore (BQE) nëse do të ketë marrëveshje, tha kreu i Bankës Qendrore të Austrisë dhe anëtar i Bordit drejtues të BQE-së, Ewald Nowotny.

---Me torturën e mbytjes virtuale që përdorte CIA ka krahasuar metodat që ka ndjekur Trojka në Greqi, ministri i Financave, Giánis Varoufákis, në një intervistë me Spiegel duke këmbëngulur gjithashtu në kërkesën e tij për "prerje" të borxhit grek.

---Është njoftuar përmes mediave sociale takimi i ri për Ditën e Veprimtarisë, Dinjitetit dhe Solidaritetit Panevropian, të dielën, 15 shkurt në orën 16:00.
«Çohuni, shpejtohuni, shkoni në ftesën e historisë sonë», thotë në thirrjen e tij për të dielën, eurodeputeti i SYRIZA-s, Manólis Glézos.
Dhe vazhdon: Ftojmë. të gjithë, në të gjithë botën, nga Lindja në Perëndim, për të treguar mbështetjen e tyre, solidaritetin e tyre me popullin grek, që lufton për të rifituar pavarësinë e tij dhe për të hequr lakun që i kanë vënë në qafë huadhënësit e tij.

----Me trojkën dhe memorandumin kemi përfunduar, sqaroi ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Pános Kamménos, me deklaratat e tij në një emision televiziv të mëngjesit. 
«Ata që futeshin në ministritë dhe jepnin urdhëra tek ministrat tanë, nuk do t'i shohim përsëri. Troika do të zëvendësohet në Greqi me institucionet, me të cilat vendi ka vendosur marrëveshje të partnerit të barabartë dhe do të dëgjojmë partnerët tanë, por edhe ata do të dëgjojnë në mënyrë të barabartë», tha ai në mënyrë karakteristike.

---Mbështetja e gjermanëve për qëndrimin e Greqisë në eurozonë është rritur tre vitet e fundit, sipas rezultateve të një sondazhi për televizionin gjerman ARD.

”Të paktën 51 për qind e të pyeturve duan që Greqia të qëndrojë në eurozonë, ndërsa 41 për qind duan që Greqia të dalë nga zona e monedhës së përbashkët, euro”, thuhet në sondazh.

”Para tre vjetësh, në kulmin e krizës, 65 për qind e qytetarëve gjermanë ishin përgjigjur se dëshironin që Greqia të dilte nga eurozona”, shton sondazhi./ a.jor.

---Bursa e Athinës shënoi një rritje prej më tepër se shtatë për qind në shkëmbimet e para të ditës së sotme, duke pasqyruar optimizmin e tregjeve lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe zonës euro për financimin afatmesëm të vendit.

Treguesi Athex, i cili u rrit me 7,6 per qind gjatë shkëmbimeve të para, shënoi një rritje prej  6,42 per qind në orën 08:54 GMT, përpara rifillimit të bisedimeve teknike në Bruksel mes Greqisë dhe huadhënësve të saj duke lënë të parashihet mundësia e një marrëveshjeje gjatë mbledhjes së vendeve të zonës euro të hënën e ardhshme.

---Askush nuk do të humbasi punën e tij dhe të gjithë do të vijnë përsëri - kjo është thelbësorja", theksoi sot zëvendës ministri i Reformës Administrative, Giórgos Katroúgalos, duke informuar përfaqësuesit e komiteteve të nëpunësve civilë, që janë shkurtuar ose janë në disponueshmëri, sipas ligjeve në fuqi të qeverisë së mëparshme, për vendimet e qeverisë së re me qëllim që të zgjidhen marrëdhëniet e punës në sektorin publik. Z.Katroúgalos është referuar në projektligjin që hartohet, i pari që do të vijë në Parlament, për të ndrequr padrejtësitë e bëra nga qeveritë e mëparshme, siç tha ai. Rregullimi i projekt-ligjit është për ata që janë pushuar nga puna dhe për ata, që janë në disponueshmëri dhe nuk janë vendosur diku.

---Ministri i Punëve të Brendshme dhe Riorganizimit Administrativ, Nikos Voutsis është takuar me sekretarët e Përgjithshëm të shtatë Administratave të Decentralizuara të vendit, në mënyrë që të dëgjojë propozimet e tyre dhe për të shprehur qëllimet e udhëheqjes së re politike sa i përket të ardhmes së Administratave të Decentralizuara.

---Është zvogëluar Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e fundit të vitit 2014, pas tre tremujorëve të zhvillimit, sipas të dhënave të ELSTAT. Në veçanti, sipas të dhënave sezonale, PBB-ja është tkurrur rreth 0,2% krahasuar me tremujorin e tretë. Në 0,8% norma e rritjes për vitin 2014 - më shumë se vlerësimet.

---Nevojën që të bëhet «autokritikë e guximshme» në partinë Demokracia e Re për rezultatin e zgjedhjeve ka vënë në dukje Kyriákos Mitsotákis në një intervistë për radion Athina 9,84, megjithatë tha se kjo do të bëhet në mbledhjen e Grupit Parlamentar që do të zhvillohet javën tjetër, ku siç tha do të jepet rasti për ata që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre dhe reflektimet e tyre. 

---Marshim në Skouriés, kundër minierës së arit organizojnë Komitetet e Luftës për Halkidikínë dhe Selanikun, të dielën 15 shkurt.
Në thirrjen e tyre thuhet se "Nuk presim. Ndërprerje e menjëhershme e punime dhe e fakteve të kryera të Eldorado Gold. Të largohen tani".

---Rikthimin në pesë ditët e kohëzgjatjes së jetës së qumështit të freskët ka njoftuar zëvendësministri për Zhvillimin Rural, Vangélis Apostólou.

Shqipëria
---Ministria e Bujqësisë ka bërë bilancin e dëmeve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, shkaktuar nga përmbytjet që ndodhën ditët e fundit, në jug të vendit.

Zv.ministri i Bujqësisë Jani Babi tha sot për ATSH-në, se nga evidentimet paraprake rezulton se në zonat e prekura nga përmbytjet ne qarkun Fier, Vlorë, Lushnje e Berat, kanë ngordhur 2020 krerë bagëti të imta, 339 krerë derra, 69 500 shpendë dhe 460 koshere bletësh. Sipas tij, nga përmbytjet është dëmtuar dhe një biznes që merret me rritjen e kërrminjve në rreth 1800 metër vijë lineare, dhe dëmet në prodhimin e serave kapinin shifrën e 2 milionë lekëve.

Grupet e punës tha zv.ministri Babi, janë ne terren bashkë me ekspertët e huaj dhe po evidentojnë dëmtimet në kanalet kulluese dhe sistemet e hidrovorëve, me qëllim përgatitjen e preventiveëve dhe projekteve për ndërhyrje të menjëherëshme në rikuperimin e tyre. Sipas tij, po bëhet një evidencë e plotë e dëmeve që janë krijuar deri tani, në të gjitha llojet e dëmeve si materiale, por dhe në gjënë e gjallë. Ndërsa lidhur me humbjen në gjënë e gjallë të banorëve, që u prekën nga përmbytjet , Babi tha se do të kompensohen krerë për krerë.

Në fillim të muajit shkurt, moti i përkeqësuar me reshje të dëndura dhe intensitet të lartë shkaktoi përmbytjen e disa zonave në jug të vendit, duke dëmtuar prodhimin bujqësor të ferëve dhe ngordhjen e dhjetra bagëtive./f.n/

---Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2015 arriti në 2.893.005 banorë, duke pësuar një rënie me 2.942 banorë, krahasuar me atë të 1 janarit 2014.

Sipas statistikave zyrtare të INSTAT-it, nga kjo popullsi, 1.462.005 janë meshkuj dhe 1.431.000 janë femra. Raporti gjinor i popullsisë së Shqipërisë është 102,1 meshkuj për çdo 100 femra. Mosha medianë e popullsisë së Shqipërisë në 1 janar 2015 është 35 vjeç.

Gjatë vitit 2014 numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë 35.760, nga të cilët 18.683 ishin meshkuj dhe 17.077 ishin femra.

Raporti gjinor në lindje për vitin 2014 ishte 109,4 meshkuj për çdo 100 femra. Shtesa natyrore për vitin e kaluar ka qenë 15.104 persona. Sipas INSTAT-it, në vitin 2014, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 46.413 persona ku 52 % e zinin meshkujt. Në të njëjtin vit numri i imigrantëve në Shqipëri u vlerësua të jetë 28.486 persona. Qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri mbetet Tirana me 800.986 banorë, e ndjekur nga Fieri me 315.012 dhe Elbasani me 301.397 banorë.

Qarqet me popullsinë më të ulët në vend janë Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 72.202, 85.461, 136.476 banorë. Nga të gjitha qarqet vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur rritje të popullsisë, ndërsa popullsia e të gjitha qarqeve të tjera ka pësuar rënie. Qarku me rritjen më të madhe të popullsisë është Tirana me një rritje vjetore prej 1,61 %, ndërsa qarku me rënien më të lartë të popullsisë është Gjirokastra me një rënie vjetore prej 1,84 %. Qarku me raportin gjinor më të lartë është Dibra me 106,6 meshkuj për 100 femra, ndërkohë që në qarkun e Tiranës ky raport është më i ulëti me 99,3 meshkuj për 100 femra./a.gjonaj/f.n/

---Sot në qytetin e Divjakës, u çel dita e ” Pelikanit Kaçurrel”, një specie tepër e rrallë dhe në zhdukje.

Në gjithë Ballkanin ky shpend i veçantë rritet dhe shumohet vetëm në Lagunën e Karavasta-Divjakës. Sot kësaj specie për herë të parë i u kushtua edhe një datë simbolike,13 Shkurti.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Parkut Kombëtarë, ishin të pranishëm Drejtori i Shërbimit Pyjor të Lushnjes Ardian Koçi si dhe punonjës të kësaj drejtorie, Përfaqësues të Bashkisë së Divjakës,si dhe  nga Ministria e Mjedisit.

Në fjalën e hapjes, Drejtori i Shërbimit Pyjor të Lushnjes, foli gjatë për këtë specie të veçantë të faunës, rrezikun që pati kjo specie gjatë periudhës së  tranzicionit prej gjahtarëve të paligjshëm dhe dëmtuesve të çerdheve të tyre. Me  shpalljen e moratoriumit që për 2 vjet ndalohet gjuetia në territorin e Shqipërisë edhe Pelikani Kaçurrel ka filluar të shumohet e të kthehet përsëri në origjinë.
Ishulli i Pelikanit ndodhet në lartësin rreth 0.5m mbi nivelin e detit.  Është një ishull mjaft interesant i formuar nga akumulimet e mbetjeve organike, në të cilin është formuar një ekosistem dhe ku dallohet një botë shumë e pasur bimore barishtore.

Bota
---Pesimizëm në rritje vërehej sot për të ardhmen e marrëveshjes të nënshkruar një ditë më parë në Minsk për rikthimin e paqes në lindjen separatiste proruse të Ukrainës ku 27 persona kanë humbur jetën në prag të armëpushimit.

Plani, i quajtur Minsku 2, arritur pas 16 orëve negociatash mes drejtuesve rus, ukrainas, francez dhe gjerman, krijoi një dritë shprese, pasi përleshjet arritën nivele kritike këto javët e fundit duke e çuar bilancin e të vdekurve në 5 500 në 10 muaj. Ndërkohë që armëpushimi i ri i parashikuar nga marrëveshjet e Minskut do të hyjë në fuqi të dielën në mesnatë, lindja e Ukrainës është përballur me një ditë të përgjakshme me 15 civilë dhe 12 ushtarë ukrainas të vrarë në 24 orë, sipas bilanceve të fundit ukrainase dhe separatiste.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko deklaroi dje se zbatimi i marrëveshjes së Minskut për një armëpushim në vendin e tij nuk do të ishte i lehtë duke përmendur një problem të besimit me Rusinë.

”Negociatat kanë qenë shumë të vështira dhe ne nuk presim një zbatim të lehtë të procesit”, deklaroi Poroshenko për shtypin pas prezantimit të rezultateve të takimit para presidentëve dhe kryeministrave të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, François Hollande, të cilët morën pjesë gjithashtu në samitin e paqes, kanë lënë të kuptohet që prej të enjtes se do të ketë vështirësi aplikimi i Minskut 2 dhe kanë kërcënuar Rusinë me vendosjen e sanksioneve të tjera nëse armëpushimi dështon.

---Bashkimi Europian ka miratuar masa të reja për mbrojtjen e vendeve evropiane nga terrorizmi. Masaj janë miratuar në një samit joformal mes udhëheqësve të BE-së. Shkak për miratimin e menjëhershëm të tyre janë sulmet e ndodhur në janar në Paris. 

Në kuadër të masave të reja përfshihen, kontolli më i detajuar i pasagjerëve që udhëtojnë përmes lindjave ajrore, kontrollet më të ashpra kufitare dhe largimin nga interneti i përmbajtjeve terroriste apo ekstremiste.
"Ne do t'i mbrojmë vlerat tona të përbashkëta, për t'i mbrojtur të gjithë nga dhuna, që është e bazuar në motivet etnike apo fetare", thuhet në deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të BE-së.

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të shtunën 14 shkurt shira lokale të dobta ose dëborë në rajonet Lindore dhe Jugore dhe ngricë në rajonet Qendrore dhe Veriore, sidomos në mëngjes.
Në Attikë temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 5 dhe 10 gradë Celsius dhe në Selanik -1 dhe 10 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 në qendrën e Athinës dhe 58 në Attikën Lindore, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54