Lajmet në gjuhën shqipe 01/03/2015

---Me një shumicë të madhe është miratuar vendimi politik i Komitetit Qendror të SYRIZA, gjatë ditës së dytë të punimeve të tij në kinemanë Keramikos, që vlerësoi taktikën dhe rezultatet e qeverisë në negociatat me huadhënësit dhe përcaktoi prioritetet për periudhën e ardhshme. Sekretar i ri i Komitetit Qendror u zgjodh Tásos Koronákis.

Sekretar i ri i Komitetit Qendror u zgjodh Tásos Koronákis, të cilin e propozoi kryetari i radikalëve të Majtë, Aleksis Cipras, ndërsa anëtarët e Sekretariatit të ri Politik janë Násos Iliópoulos, Alékos Kalývis, Pános Lámpru, Státhis Leutsákos, Giánnis Bournoús, Antónis Davanélos, Sófi Papadógianni, Christóforos Papadópoulos, Panagiótis Rígas, Roúnti Rinálnti dhe Ránia Svínkou.

102 vota për Tásos Koronákis, 64 vota për Alékos Kalývis nga Platforma Komuniste,  një votë për Stélios Elliniádis dhe 32 të bardha. 

---Një seri projektligjesh paraqiten nga qeveria këtë javë. Projektligji i parë që do të paraqesë, ka të ketë të bëjë me përballimin e krizës humanitare, ndërsa në vazhdim do të depozitohen projektligje për rregullimin e detyrimeve të pashlyera ndaj shtetit, ku do të përfshihet edhe mbrojtja e banesës së parë dhe rifunksionimi i ERT-it (Radiotelevizionit Publik Grek), siç deklaroi kryeministri Aleksis Cipras në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

---Rihapja e ERT-it shkaktoi reagimin e Demokracisë së Re, përmes zëdhënësit të saj, Kósta Karagúni, i cili ndër të tjera në një deklaratë, bën fjalë për shërbim të «klientelës», në momentin që Greqia përballet me probleme serioze.

I menjëhershëm ishte reagimi i qeverisë, që vë në dukje se do të prisnim një falje dhe kritikë nga Demokracia e Re për «mbylljen e zezë» në ERT dhe për të gjitha ato që bëri në Televizionin Publik. Ata që ndërtuan shtetin klientelist, do të ishte mirë që të tregojnë përmbajtje.
Këmbëngulja e Demokracisë së Re për të mbrojtur veprat dhe ditët e saj shpresojmë të mos jetë pengesë dhe të kontribuojë në mënyrë konstruktive në debatin për rihapjen e Radio - Televizionit Grek (ERT). Informojmë Demokracinë e Re se të hënën vjen në Parlament projektligji për trajtimin e krizës humanitare. Ne shpresojmë që ta votojë, si dhe rregullimin për mbrojtjen e vendbanimit të parë". 

---Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble theksoi sot në një intervistë se i duhet dhënë pak kohë qeverisë greke të Aleksis Cipras, i cili ka vetëm një muaj që ka ardhur në pushtet dhe shprehu besim për vullnetin e Athinës për të zbatuar reformat.

“Qeveria e re greke është mbështetur nga populli. Kam besim te qeveria greke përsa i përket zbatimit të masave të nevojshme, krijimit të një administrate fiskale efikase dhe gjithashtu realizimit të angazhimeve”, nënvizoi ministri konservator në një intervistë për ”Bild am Sonntag” publikuar sot.

---Tre persona, shtetas grekë, u arrestuan pranë Athinës, të dyshuar si anëtarë të grupit ekstremist grek pro-anarkist “Komploti i celulave të zjarrit”, theksoi sot në një komunikatë policia.

”Arrestimet u kryen në kuadër të një hetimi antiterrorist për çështjen e Kristodulos Ksiros”, theksoi komunikata.

”Ky ish-anëtar i organizatës të armatosur të ekstremit të majtë më 17 nëntor u përgatit për të sulmuar burgun e Koridhallos pranë Athinës, para arrestimit të tij në fillim të muajit janar”, theksoi komunikata. Para kapjes së tij në vitin 2011, ky grup mori përsipër disa sulme me bomba pa shkaktuar viktima kundër drejtuesve evropianë dhe ambasadave. 

---Në pritje të përcaktimit të datës së gjykimit të Agimit të Artë, kreu i saj, Nikos Mihaloliákos dhe deputetët Pappás dhe Lagós lirohen nga burgu, pasi përfundon koha e mbajtjes së tyre në burg. Në burg do të mbeten deputetët e Agimit të Artë, Ilías Kasidiáris, Níkos Míhos dhe Giórgos Germenís, për të cilët 18-mujori përfundon më vonë.

---Të burgosurit e Godinës Speciale E në burgun e Domokos abstenojnë nga ushqimi në solidaritet me shokun e tyre dhe grevist i urisë, Giórgo Sofianídi.

---Është zbuluar një bandë e madhe e trafikimit të drogës me fitime qindra mijëra euro.

Grupi kriminal i organizuar që trafikonte sasi të mëdha të drogës u zbulua nga Shërbimi i Ndjekjes së Narkotikëve i Sigurimit të Atikës, pas bashkërendimit të operacioneve në dy vendbanimet rome, Asprópyrgo dhe Zefýri.

Shqipëria
---Komisionet e Kuvendit do të shqyrtojnë të hënën, ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ligj i cili kalon procesin e integrimit nën kompetencat e parlamentit.

Ligji parashikon ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, i cili do të drejtohet nga kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu. Qëllim i Këshillit do të jetë koordinimi i punës për përmbushjen e 5 prioriteteve të vendosura nga BE për procesin e integrimit.

Këshilli Kombëtar i Integrimit do të jetë mekanizmi që duhet të konsultojë vendimmarrjen e qeverisë si përgjegjëse e reformave të integrimit me Parlamentin./m.m/

---Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira midis Shqipërisë dhe Sllovenisë për menaxhimin e zgjedhjeve do të jetë në fokus të seminarit që do të organizohet të hënën, në Hotel Tirana International, ku do të analizohen modele të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve.

Seminari me temë “Forcimi i pavarësisë së organeve të menaxhimit zgjedhor; shkëmbimi i përvojave dhe mësimet e nxjerra midis Shqipërisë dhe Sllovenisë”, organizohet nga Qendra për Perspektivë Evropiane (CEP), në kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar të Republikës së Sllovenisë.

Seminari ka për qëllim të kontribuojë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira midis Shqipërisë dhe Sllovenisë, do të analizohen modele të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve, si dhe ndikimet e tyre mbi pavarësinë e organeve të menaxhimit zgjedhor. Pjesëmarrës në seminar do të jenë anëtarët dhe stafi administrativ i Komisioneve të Zgjedhjeve të Shqipërisë dhe Sllovenisë, ekspertë të zgjedhjeve dhe menaxhimit me përvojë në rajon dhe më gjerë, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që punojnë në fushën e zgjedhjeve dhe proceseve zgjedhore, anëtarët e Parlamentit, përfaqësues të partive politike si dhe ekspertë ligjorë.

Gjithashtu, i ftuar nderi në këtë aktivitet do të jetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili do të mbajë dhe një fjalim në orën 10:00.

---Brenda muajit mars, Dogana shqiptare nuk do të lejojë regjistrimin dhe hyrjen në territorin shqiptar të automjeteve me timon në krah të djathtë. 

Masa e parashikuar në ndryshimet e reja të Kodit Rrugor synon të ulë numrin e lartë të aksidenteve, që shkaktohen nga këto automjete, e që më së shumti janë përplasje ballore me pasojë vdekjen e qytetarëve.
Ligji bën përjashtim për turistët, të cilët mund të qarkullojnë deri në 6 muaj, ndërsa qytetarët e tjerë që duan të importojnë këto automjete duhet të kryejnë modifikimin e tyre, pasi në të kundërt nuk do të lejohen në hyjnë në territorin shqiptar.

---Shumë serbë këtë vit do të kalojnë pushimet verore në Shqipëri. Sipas gazetës serbe "Telegraf" referuar të dhënave të panaireve, por dhe agjencive turistike arsyeja kryesore është marrëveshja e lëvizjes së lirë me Shqipërinë. 

Përfaqësuesit e agjencive turistike thonë për këtë gazetë se interesi për këtë destinacion nuk është ndikuar aspak as nga rasti i dronit, apo dhe deklarata për Kosovën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Sipas një renditje në Beograd, në interesin e serbëve për pushime Shqipëria është në vend të parë, e ndjekur nga Mali i Zi, dhe Greqia. Por gazeta serbe ka mbledhur opinione të ndryshme lidhur me destinacionin më të preferuar të serbëve. Disa shprehen se Shqipëria shihet ende si armik i Serbisë, ndërsa të tjerë nuk janë të interesuar për historinë, por për portofolin e tyre, pasi Shqipëria ka çmime mjaft të përballueshme. "Vlerësimet e para për autostradën Nish- Prishtinë- Tiranë thonë se mund të kushtojë 400-500 mln euro, por ekspertët e grupit të punës së shpejti do të kenë një vlerësi më të saktë", shkruan Telegraf.rs.

---Pluton Vasi u shpall regjisori më i mirë i gjinisë së dokumentarit artistik në Festivalin e Kineastëve të Kinemasë Botërore, zhvilluar në Londër, me dokumentarin “A ka klasë të mesme në Shqipëri?”. 

“Jam shumë krenar, jam fitues. Ky çmim është shumë i rëndësishëm për mua për të vazhduar me projekte të tjera”, u shpreh Vasi në fjalën e tij. 

Dokumentari, me producente Vjollca Dedein, trajton përpjekjet e shtresave sociale për mbijetesë. Ai sjell tre histori, përkatësisht të një piktori, një artizaneje dhe një peshkatari. Regjisori Vasi ishte kandiduar për këtë çmim bashkë me tetë regjisorë të tjerë ndërkombëtarë. Ky ishte edicioni i shtatë i Festivalit të Kineastëve të Kinemasë Botërore. 

Në të morën pjesë kineastë të gjinive të ndryshme të filmit, nga vende si Shtetet e Bashkuara, Amerika Latine, Australia, Kanadaja, Japonia, Kina, Franca, Spanja, Greqia dhe Turqia. / Top Channel 

Bota
---Papa Françesku dënoi të dielën brutalitetin e patolerueshëm kundër të krishterëve dhe minoriteteve të tjera të kërcënuara në Irak dhe në Siri nga xhihadistët e organizatës së Shtetit Islamik.

“Fatkeqësisht, lajme dramatike nuk reshtin të vijnë nga Siria dhe Iraku”, deklaroi papa pas lutjes së përjavshme ”Angelus” në sheshin Shën Pjetër, pa përmendur veçanërisht ISIS-in.

“Ne dëshirojmë të sigurojmë të gjithë ata që ndodhen në këto situata, që ne nuk i harrojmë, ne jemi me ta dhe lutemi vazhdimisht për ndërprerjen sa më shpejt të brutalitetit të patolerueshëm kundër tyre.

Në fillim të javës, Shteti Islamik ndërmori një sulm kundër fshatrave në veriperëndim të provincës siriane të Hasakes dhe rrëmbeu 220 të krishterë asirianë, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH). 
Papa përmendi gjithashtu edhe Venezuelën që po përjeton sërish momente tensioni dhe u lut për viktimat, veçanërisht për djalin e vrarë disa ditë më parë në San Cristobal./ec/

---Më shumë se 70.000 persona morë pjesë të dielën në marshimin e organizuar në Moskë në kujtim të opozitarit, Boris Nemtsov, opozitari dhe ish-kryeminsitri rus i vrarë dje pranë Kremlinit, sipas një prej organizatorëve  të marshimit.
“Ai humbi jetën për të ardhmen e Rusisë’ apo ‘Ai u vra për një Rusi të lirë”, lexohej në pankartat e manifestuesve në Moskë”, sipas gazetarëve të AFP-së në vend.

Në Shën-Petersburg, qyteti i dytë në vend, të paktën 2.500 persona janë mbledhur gjithashtu për të nderuar kujtimin e opozitarit rus.

Boris Nemtsov, lideri i opozitës antiPutin dhe ish-zëvendëskryeministri liberal i epokës së presidencës së Boris Jelcinit, u vra në ndërkohë që ecte në qendër të Moskës. Sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, politikani ishte shënjestër e katër plumbave.
Nemtsov u godit nga persona që zbritën nga një makinë, pranë Kremlinit, sipas Juri Barminit, mik dhe bashkëpunëtor në luftërat politike të tij. Sipas medias, Nemtsov ishte në shoqërinë e një gruaje. Nemtsov, 55 vjeç, ishte parë si zëvendësues i mundshëm i Jelcinit në Kremlin. Guvernator i Nizhni Novgorodit, ai ka mbajtur shumë poste të rëndësishme në Moskë, duke u imponuar si reformator.

Presidenti rus, Vladimir Putin konfirmoi dje, pas vrasjes së opozitarit, Boris Nemtsov, se do të bëhej gjithçka që organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij krimi të rëndë dhe cinik të merrnin dënimin e merituar.

”Boris Nemtsov ka lënë gjurmë në historinë e Rusisë, në jetën politike dhe shoqërore. Ai ka shprehur gjithmonë hapur dhe ndershmërisht qëndrimet e tij”, deklaroi presidenti rus në një mesazh ngushëllimi për Dina Eidman, mamaja e Boris Nemtsov./ec/

---Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se së paku 1.100 trupa dhe civilë irakianë janë vrarë vetëm në muajin shkurt, gjatë dhunës për të cilën ata i fajësojnë militantët e Shtetit Islamik si dhe forcat qeveritare dhe milicinë shiite.

Përmes një komunikate, Misioni Ndihmës i OKB-së në Irak, ka thënë se 611 civilë janë në mesin e të vrarëve. Komunikata thotë se numri i të vrarëve nuk i përfshinë edhe viktimat në territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik, grup ky që e kontrollon një të tretën e territorit të Irakut.
OKB gjithashtu ka thënë se së paku 2.280 njerëz janë plagosur nga dhuna në muajin shkurt, përfshirë edhe 1.350 civilë.

---Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje massive në ishullin e Madagaskarit.

14 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Është shpallur gjendjen e emergjencës në kryeqytet dhe në rrethina, zonat më të prekura. Më shumë se 21 mijë persona janë evakuuar, ndërsa parashikimet janë negative edhe për ditët në vijim.

---Shkrimtari turk, Yasar Kemal, një prej më të njohurve të letërsisë turke, përkthyer në mbarë botën, vdiq mbrëmjen e së shtunës në një spital të Stambollit në moshën 92-vjeçare, njoftoi media turke.

Lindur në vitin 1923 në Osmaniye, në jug të Turqisë, ai pati sukses që me romanin e tij të parë "Mehmeti i hollë", shkruar në vitin 1955, i cili që prej asaj kohe është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë dhe u vendos menjëherë në skenën e letërsisë ndërkombëtare.

Yasar Kemal fitoi shumë çmime dhe emri i tij shpesh është përmendur për t'u bërë shkrimtari i parë turk që fiton çmimin Nobel për letërsinë, një çmim që do t'i jepej më në fund në vitin 2006, Orhan Pamuk.

"Trishtimi është i madh në zemrat tona. Turqia dhe njërëzimi kanë humbur një shpirt të madh", theksoi sot ministri i Kulturës, Omer Celik, në rrjetin social Twitter.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të hënë 2 Mars mot me diell por dhe vransira në pjesën më të madhe të vendit. Shira lokale do të ketë në ishujt e Egjeut Lindor, ndërsa në Epir në mëngjes do të ketë mjegull lokalisht.
Temperatura minimale dhe maksimale në Greqinë Veriore do të jenë 0 dhe 15 gradë Celsius, 3 dhe 17 gradë në Greqinë Qendrore, 6 dhe 18 gradë Celsius në Greqinë Jugore.
Mot me diell por dhe me vransira të pakta dhe lokalisht dukshmëri e kufizuar në mëngjes presim të hënën në Attikë, ku temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 6 dhe 18 gradë Celsius.
Re të përkohshme dhe dukshmëri të kufizuar lokalisht në mëngjes do të ketë Selaniku, ndërsa temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 5 dhe 14 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54