Lajmet në gjuhën shqipe 11/03/2015

---Bisedimet teknike për vazhdimin e planit mbështetës financiar për Athinës do të fillojnë sot pasdite në Bruksel dhe ku do të marrin pjesë funksionarët grekë dhe përfaqësuesit e kreditorëve të vendit, theksoi një burim i afërt me negocitat.

”Kjo fazë e parë e bisedimeve, që do të zgjasë një apo dy ditë, do të përqendrohet në situatën financiare greke dhe do të përcaktojë sferën e punës së mëtejshme mbi reformat dhe konsolidimin buxhetor që Athina është angazhuar të kryejë me kreditorët e saj”, theksoi burimi.

Në këto bisedime do të marrin pjesë veçanërisht Declan Costello për Komisionin Evropian, Klaus Masuch për BQE-në dhe Rishi Goyal për FMN-në, si dhe krerët e misionit të trojkës, që partnerët e tyre të zonës euro kanë pranuar riemërtimin e instucioneve.

---Mbështetjen unianime të deputetëve grekë mori propozimi i kryetares së parlamentit, Zoi Konstantopulu për rikrijimin dhe përmirësimin e komisionit ndërpartiak, që do të pretendojë pagesën e dëmshpërblimeve të Luftës së Dytë Botërore nga ana e Gjermanisë.

Përveç kësaj bëhet fjalë edhe për shlyerjen e një kredie që nazistët morën focërisht gjatë luftës si dhe kthimin e thesareve të grabitura arkeologjike.

Gjithë partitë theksuan nevojën e unitetit kombëtar, por edhe të një strategjie të koordinuar në nivel politik dhe juridik, për arritjen e rezultatit të dëshiruar.
Sipas një studimi të qeverisë greke në vitin 2013, vlera e reparacioneve që Gjermania duhet t’i shlyejë Greqisë për dëmet e Luftës së Dytë Botërore varion nga 296 deri 332 miliardë Euro. Shuma është e përafërt me borxhin publik të Greqisë, që në vitin 2014 arriti në 317 miliardë euro.

---Kryeministri grek, Aleksis Cipras u tregua i gatshëm për riaktivizimin e një komisioni parlamentar mbi krimet e luftës të kryera në Greqi nga nazistët.

“Qeveria e re greke ka si objektiv të shqyrtojë këtë çështje me ndjeshmëri dhe përgjegjësi, nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit dhe pret të njëjtën gjë nga qeveria gjermane, për arsye politike, historike dhe simbolike”, theksoi Tsipras në tribunën e Parlamentit.

Pjesa më e madhe e partive greke, përfshirë partinë e majtë radikale Syriza të drejtuar nga Cipras, mbështesin faktin që Gjermania do të duhet t’i rimbursojë Greqisë një kredi të detyruar nga Banka Greke për nazistët dhe ta dëmshpërblejë për krimet e kryera në Greqi gjatë Luftës së Dytë Botërore, çështje për të cilën Berlini ka thënë tashmë ”jo”.

“Pretendimi i dëmshpërblimeve të luftës është një çështje kombëtare dhe krijimi i një komisioni parlamentar parashikon të sensibilizojë opinionin publik evropian dhe të riforcojë argumentimin grek për këtë çështje”, theksoi deputetja e ”Syriza” dhe presidentja e Parlamentit Zoi Konstantopulu.

”Pavarësisht krimeve naziste, borxhi gjerman ndaj Greqisë u fshi, ndërsa Berlini u disbursua me shuma të mëdha nga Aleatët për rindërtimin e vendit”, theksoi Cipras, duke shtuar se Athina, duke mos hequr dorë nga pretendimet, nuk bën mësime për moralin, por edhe nuk pranon t’i bëjnë moral. ”Dua t’u siguroj se qeveria greke do të punojë fort që Greqia të përmbushë plotësisht të gjitha  detyrimet e saj, por në të njëjtën kohë edhe të gjitha premtimet e paplotësuara ndaj popullit grek”, deklaroi Cipras gjatë fjalimi para deputetëve.

---Në gjendje të jashtëzakonshme është shpallur me vendim të zëvendësministrit të Brendshëm dhe Reformës Administrative, Giánni Panoúsi, komunitetet e Dramës, Kavallës, Ksanthit, Rodopit dhe Samothrakit, pas kërkesave dhe rekomandimeve të Rajonit të Maqedonisë Lindore - Thrakës, me qëllim që të përballohen dëmet e mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturë për shkak të motit të keq që goditi këto rajone.

---11 Mars sot dhe punonjësit e ERT-it plotësojnë 21 muaj të luftës së tyre kundër mbylljes së Radio-Televizionit Publik, që u përpoq të imponojë qeveria e mëparshme. Lufta e tyre do të vazhdojë deri në drejtësinë përfundimtare të saj.  

---«Nuk rifunksionon ERT-i - ndryshon emri i konstruktit të NERIT!», thuhet në njoftimin e POSPERT-it, mbi projekt-ligjin të paraqitur nga qeveria për konsultim publik. Në këtë njoftim, POSPERT-i vë në dukje se me projekt-ligjin e zeza bëhet gri. ERT rihapet pa struktura dhe pa veprimtarinë e zgjeruar mbarëkombëtare të tij, pa u përcaktuar funksionimi i radiove rajonale të rrjeteve të transmetimit, të strukturës dhe pavarësisë së ET3. Marrëdhëniet e punës së personelit përcaktohen nga vendimet ministrore, pa iu referuar punonjësve që punonin me kontrata të përkohshme apo për ata që mbështetën përpjekjen tonë në luftën tonë disa mujore.

---Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Dimitris Hasápis, i siguroi studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Mjeksisë të Athinës se nuk do të ketë ç'regjistrime të studentëve, pasi do të hiqen aktet legjislative që i lejojnë.

---Komiteti i Etikës i Parlamentit ka vendosur të referohet në Kuvend që të mos hiqet  imuniteti i Kryetarit të Grekëve të Pavarur, Panos Kammenos, i cili është paditur nga një gazetar për shpifje dhe të deputetit të KKE-së, Nikos Karathanasópoulos për pjesmarrje në demonstrata.

---Është shtyrë për herë të dytë, me kërkesën e mbrojtjes, gjyqi në shkallën e dytë të dy rojeve Epameinónda Korkonéa dhe Vasíli Saralióti, që janë dënuar për vrasjen e Aleksis Grigoropulos.

---Një aktivitet në kujtim të Berkin Elvan që është vrarë vitin e kaluar në një protestë në Turqi është zhvilluar të mërkurën në memorialin e Aleksis Grigoropulos në Athinë.

---Të burgosurit politikë nga Turqia fillojnë një grevë urie në shenjë solidariteti dhe në mbështetje të të gjitha kërkesave të grevës së urisë që bëjnë të burgosurit e tjerë politikë. 

---Ka lënë jetë të mërkurën në mëngjes -pas një beteje me kancerin- në moshën 75 vjeç, Diagóras Hronópoulos, regjisor, drejtor i Teatrit të Artit nga viti 2004 deri në shtator të vitit 2014 dhe deri dje drejtor i Shkollës së Teatrit të Artit, Károlos Koun. Ka bërë filma, seriale dhe dokumentarë për ERT-in dhe mbështeti në mënyrë dinamike luftën e punonjësve të ERT-it. Varrimi i tij do të zhvillohet të shtunën në orën 12:00 në Varrezat e Parë të Athinës.

Shqipëria
---Shqipëria dhe Katari kanë potenciale të mëdha për të nxitur dhe zgjeruar bashkëpunimin në fusha si arsimi, tregtia dhe investimet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i ndodhur në Katar për një vizitë zyrtare, e vuri theksin tek krijimi i lidhjeve mes universiteteve shqiptare dhe Fondacionit të Katarit për Arsimin, Shkencën dhe Inovacionin, si dhe parashtroi interesin e Shqipërisë për investime direkte, veçanërisht në fushën e turizmit, infrastrukturës e të transportit ajror dhe atij detar, por dhe në fushat e bujqësisë dhe energjisë.

Gjatë bisedës me Emirin e Katarit, kreu i shtetit tha se është shumë e rëndësishme dhe me shumë interes që të organizohen komisione të përbashkëta shtetërore apo forume të përbashkëta biznesi, për të identifikuar dhe vlerësuar fushat me interes të ndërsjellë. Me shumë interes u bisedua edhe për mundësinë e vendosjes së linjës ajrore Doha-Tiranë. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shtetit të Katarit në mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në takimi u ra dakord për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për sigurimin e njohjeve të tjera nga vendet arabe, anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Po ashtu u vlerësua kontributi i të dy vendeve në koalicionin kundër terrorizmit ndërkombëtar si dhe mundësia e thellimit të bashkëpunimit në këtë aspekt.

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer që Emiri dhe Shteti i Katarit i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, duke vlerësuar në veçanti ndihmën financiare të dhënë për përballimin e përmbytjeve të fundit në zonat e Jugut të Shqipërisë.

---Prefektura e Selanikut shpreh gatishmërinë për të bërë të mundur minimizimin e çdo lloj problematike në gamën e shërbimeve që u ofrohen shtetasve shqiptarë.

Kjo u nënvizua gjatë takimit që Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik, Pavlina Evro Ylli, zhvilloi pak ditë më parë me Kryetarin për Rajonin e Greqisë së Veriut Apostolos Tzitzikostas, në ambientet e Prefekturës së Selanikut.

Në njoftimin e publikuar  në “Facebook”, bëhet e ditur se gjatë takimit Ylli – Tzitzikostas, u trajtuan një gamë e gjerë problemesh, me të cilat ndeshen çdo ditë shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqinë e Veriut, për shërbimin që ofrohet nga ky institucion. Konkretisht u diskutua për një shërbim më të shpejtë dhe të një niveli më të lartë në lidhje me daljen e lejeve të qëndrimit për shtetasit shqiptarë, leje të cilat rinovohen në periudha të ndryshme kohore. Ka raste, kur shtetasit shqiptarë ankohen se këto leje dalin edhe pas një viti.

Tzitzikosta u interesua në lidhje me mbarëvajtjen e punës dhe procedurat konsullore që ofron konsullata shqiptare e Selanik-ut jo vetëm për shtetasit shqiptarë, por edhe për ata vendas. Gjithashtu, z. Tzitzikosta shprehu interes të lartë në lidhje me resurset e bregdetit dhe turizmin shqiptar në përgjithësi, ecurinë ekonomike të vendit, si dhe shancet që ofron Shqipëria për investime të reja në Shqipëri.

Në mbyllje të takimit, duke i uruar punë të mbarë në misionin e Konsulles së Përgjithshme të Shqipërisë në Selanik, Kryetari i Rajonit të Greqisë së Veriut i shprehu znj.Ylli dëshirën për bashkëpunim dhe marrëdhënie miqësore midis dy institucioneve, si dhe shprehu gatishmërinë për të bërë të mundur minimizimin e çdo lloj problematike në gamën e shërbimeve që u ofrohen shtetasve shqiptarë në Prefekturën e Selanik-ut./a.g/

---Besim Fagu, sportisti i mirënjohur, krijues dhe drejtues për disa dekada i Klubit Sportiv “Partizani” u nderua nga Ministria e Mbrojtjes në 90-vjetorin e lindjes me medaljen “Për shërbime të shquara”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në prani të drejtuesve të lartë të ushtrisë dhe personaliteteve sportive, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli vlerësoi figurën e Besim Fagut, themeluesit të klubit “Partizani”, si një nga gjigantët e sportit shqiptar.

Ministrja Kodheli i dorëzoi bashkëshortes së Besim Fagut, medaljen “Për Shërbime të Shquara” akorduar për këtë figurë të njohur, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në zhvillimin e lëvizjes fizkulturore sportive, përgatitjes fizike të Forcave të Armatosura, si dhe si themelues i Klubit Sportiv “Partizani”.

---Lëvizja “Ta Pastrojmë Shqipërinë” do të jetë pjesë e aktivitetit “Jeto Eko, Festo Eko” i organizuar nga Connext Albania me rastin e Ditës së Verës, të shtunën në 14 mars.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Green line Albania ka komunikuar projektin “Jeto Eko, Festo Eko” , aktivitete këto që zhvillohen për herë të parë në Shqipëri.

“Projekti “Jeto Eko, Festo Eko” është një aktivitet që do të jetë risi në kryeqytet pasi zhvillohet për herë të parë një aktivitet i kësaj natyre në Tiranë. Në thelb të këtij projekti do të jetë ndërgjegjësimi i komunitetit për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit. Në këtë ditë do të ketë shumë aktivitete mjedisore, social-kulturore dhe artistike, të cilat do të organizohen gjatë gjithë ditës në Sheshin Nënë Tereza”, nënvizohet në postim./m.m/

Bota
---Shtatë marinarë dhe katër anëtarë të ekuipazhit janë zhdukur pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak amerikan gjatë një manovre në Florida, theksoi sot ushtria amerikane.

Ushtria ka humbur gjurmët e helikopterit UH-60 Black Hawk dje rreth orës lokale 20:30 pranë bazës ushtarake Eglin (Florida).

”Ekipet e kërkimit kanë zbulur pjesë të helikopterit rreth orës lokale 02:00”, theksoi një zëdhënës Ministrisë amerikane të Mbrojtjes, Andy Bourland. “Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit janë në vendin e aksidentit”, shtoi ai. Dy helikopterët merrnin pjesë në një manovër rutinë me regjimentin special të marinës ”LeJeune”, në Karolinën e Veriut./ec/

---Siria është rrënuar që prej 15 marsit 2011 si pasojë e një konflikti që shpërtheu nga një revoltë paqësore që u transformua në kryengritje të armatosur përballë shtypjes së ndërmarrë nga regjimi i Bachar al-Assadit.

Më shumë se 210.000 të vdekur janë regjistruar që prej fillimit të konfliktit, ndërkohë që gjysma e popullsisë është larguar nga ky vend i shkatërruar si pasojë e revoltës katër-vjeçare.

Observatori sirian i të drejtave të Njeriut (OSDH), që mbështetet mbi një rrjet të gjerë militantësh dhe mjekësh në mbarë vendin dhe që ka numëruar nga muaji mars 2011 deri në shkurt të vitit 2015 vdekjen e 210.060 personave mes të cilëve 65.146 janë civile ndërsa 10.664 fëmijë.
Mes luftëtarëve të vdekur kundër-regjimit, 38.325 janë rebelë sirianë dhe 24.989 janë xhihadistë të huaj.

Nga ana e forcave të pro- regjimit, OJQ-të kanë regjistruar 45.385 ushtarë të vdekur, 29.943 milicë të Forcave Kombëtare të Mbrojtjes, 640 anëtarë libanezë të Hezbollahut shiite dhe 2.502 milicë të ardhur nga vendet e tjera. OSDH-ja thekson se bilanci është më i lartë për shkak të numrit të madh të të zhdukurve, fati i të cilëve nuk dihet. Sipas OJQ-së duhet të merren parasysh edhe 20.000 persona në burgjet e regjimit të cilët janë konsideruar si të zhdukur./ec/

---Çmimet e naftës në Azi regjistruan sot një rritje të lehtë, duke përfituar nga blerjet me çmim të ulët, por përfitimet ishin të ulëta si pasojë e fuqizimit të dollarit dhe rritjes së stoqeve amerikane.

Pas një përmirësimi të ndjeshëm një ditë më parë në Nju Jork dhe Londër, një fuçi naftë “light sweet crude” (WTI) për livrim në muajin prill fitoi 58 cent në bursat aziatike, duke u shitur me 48,87 dollarë ndërkohë që një fuçi naftë Brent nga Deti i Veriut fitoi 31cent, duke u shitur me 56,70 dollarë.

Me një rënie të ndjeshme që prej muajit qershor nga oferta e lartë botërore që rëndoi rritjen e prodhimit amerikan, nafta vuan që prej disa ditësh nga fuqizimi i dollarit amerikan pas publikimit të shifrave të mira të papunësisë, duke rritur frikën për një rritje, më herët nga sa parashikohej, të normës bazë të interesit në SHBA./ec/

---Japonia është ndalur për të kujtuar katastrofën e trefishtë të 11 marsit të vitit 2011, në veri të vendit, ku tërmeti - cunami i kushtoi jetën rreth 18.500 personave, të vdekur e të zhdukur, e më pas kriza bërthamore në Fukushima.

Në ceremoninë përkujtimore të qeverisë në Teatrin Kombëtar të Tokios është mbajtur një minutë heshtje, në orën e saktë kur dhe ndodhi tërmeti me magnitudë 9 për gati 120 sekonda, ndërsa në bregun lindor të Tohokut u dëgjuan sirenat e alarmit të cunamit.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të enjten 12 Mars mot të paqëndrueshëm me shira lokale, dëborë në zonat malore veriore dhe stuhi sporadike në rajonet lindore, kryesisht në pjesët bregdetare të vendit. Dukshmëria do të jetë lokalisht e kufizuar në mëngjes në zonat e Epirit. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior, verilindor nga 3 deri në 5 ballë.

Në Attikë, temperatura minimale dhe maksimale do të jetë 7 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jetë 4 dhe 10 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në frekuencat 34 dhe 58, ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54