Lajmet në gjuhën shqipe 19/03/2015

---Bashkimi Europian ka nevojë për iniciativa politike që do të respektojnë demokracinë dhe marrëveshjet, në mënyrë që të lëmë pas krizën dhe të shkojmë drejt rritjes ekonomike, deklaroi kryeministri Aleksis Cipras, duke ardhur në Samitin e Lartë të BE-së në Bruksel. 

Kryeministri grek ka takime me kancelaren Angela Merkel, me presidentin e Francës François Hollande, me presidentin e BQE-së, Mario Draghi, presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kryetarin e Eurogroup-it, Jeroen Dijsselbloem dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. 

---Për një marrëveshje realiste, me qëllim që Greqia të rikthehet në rrugën e zhvillimit brenda eurozonës, diskutuan të mërkurën presidenti amerikan, Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel në një bisedë telefonike.

”Dy liderët shqyrtuan zhvillimet e fundit në Greqi dhe përpjekjet për t’u arritur një marrëveshje realiste që do të bazohet në reformat për ta rikthyer vendin në kursin e zhvillimit, brenda eurozonës”, sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë.

Në ndërkohë, kryeministri grek, Aleksis Cipras do të zhvillojë pas pak ditësh vizitën e parë zyrtare jashtë vendit, vizitë që do të kryhet në Gjermani.

---Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi të enjten se, pa pritur rezultatin që do të arrihej brenda kësaj jave lidhur me bisedimet për të ardhmen financiare të Greqisë, nuk kishte arsye që vendi ballkanik të lihej të rrënohej.

”Eshtë absolutisht shumë e qartë se asnjë person nuk duhet të presë një zgjidhje brenda natës, madje as brenda së hënës, kur të takohem me kryeministrin Cipras”, theksoi Merkel në një fjalim në Bundestag.

Bota na vëzhgon dhe për këtë jam shumë e ndërgjegjshme, shtoi kancelarja.
Deri në momentin kur ne do të mendojmë mirë për atë çfarë do të realizojmë me Bashkimin Evropian, unë nuk shoh asnjë arsye të vetme për ta lënë këtë vend të rrënohet pa ditur ende rezultatin e samitit të sotëm, perkundrazi”, deklaroi Merkel.

---Kritikë të fortë qeverisë gjermane dhe ministrit gjerman të Financave  Wolfgang Schäuble për trajtimin e çështjes greke ka bërë deputetja e së Majtës, Sahra Wagenknecht, duke folur për agjencinë e lajmeve Bloomberg. 

Deputetja e Die Linke akuzoi drejtpërdrejt qeverinë e Angela Merkel se i bën presion Greqisë me masa shtrënguese dhe me kërkesa që tejkalojnë të gjitha kufijtë dhe Greqia të rrezikohet me daljen e saj nga Eurozona.

---Qeveria greke e të majtës radikale e Aleksis Cipras paraqiti dhe miratoi në Parlament, me mbështetjen e konservatorëve, ligjin e parë të mandatit të tij kushtuar një pakete masash sociale për të mbështetur më të varfërit, të goditur nga kriza.

Ligji u votua në parim nga 149 deputetë të Syrizas dhe 13 aleatë të grekëve të pavarur, por gjithashtu nga partitë konservatore Demokracia e Re dhe socialite PASOK.

Në mesditën e të mërkurës në Seancën plenare ka folur dhe kryeministri Aleksis Cipras, duke theksuar se Greqia në kërcënimet përgjigjet  "me gjakftohtësi dhe vendosmëri" dhe në asnjë rast qeveria nuk do të tërhiqet nga zbatimi gradual i programit që ka njoftuar, duke pasur gjithmonë popullin grek në krahun e saj.

---Hyrjen dhe të borxheve ndaj Bashkive në ligjin për 100 këstet, njoftoi zëvendësministrja e Financave, Nándia Valaváni në mbledhjen e Komisjoneve për Çështjet Ekonomike dhe Sociale të Parlamentit që diskutojnë projekt-ligjin përkatës.

Gjithashtu, njoftoi se të ardhurat nga TAIPED do të shkojnë kryesisht për sigurimet shoqërore. Palët e interesuara mund të paraqesin një kërkesë në Bashkinë që ata kanë borxhe.

---Konfirmimin se nuk do të ketë reduktime në pensionet kryesore dhe suplementare jep edhe një herë Ministria e Punës dhe Solidaritetit Social me një njoftim të saj, për shkak të disa botimeve që flasin për shkurtime edhe në përfitimin suplementar që merr një nënpunës shtetëror, kur del në pension.

---Aplikimi i Tarifës Sociale Shtëpiake dhe për konsumatorët e gazit është në diskutim midis Ministrisë së Riorganizimit Produktiv, Mjedisit dhe Energjetikës, kompanive të Furnizimit me gaz dhe të Autoritetit Rregullator të Energjisë (PAE), siç bëri të njohur në një konferencë shtypi Drejtori i përgjithshëm i EPA-s së Attikës, Hrístos Baláskas.

---Në Ditën Mbarëkombëtare të veprimtarisë për të mbështetur industrinë BIOME të vetë-menaxhuar, të premten do të bëhet në Athinë dispozicioni i hapur i produkteve dhe një informacion në sheshin Kapnikaréas nga ora 12:00 në mesditë deri në orën 18:00 pasdite..

---E mbyllur do të mbetet Galeria Kombëtare të dielave dhe festat për shkak të abstenimit të vazhdueshëm të rojeve të veprave të antikitetit, sipas njoftimit të Bashkimit Panhelenik të Punonjësve të Ruajtjes së Antikiteteve (PEFFA). 

Rikujtojmë se Galeria Kombëtare është strehuar përkohësisht në Galerinë e Skulpturave në Parkun e Ushtrisë në Goudi, deri në përfundimin e renovimit të Galerisë.

---Katër gra në Itali fituan betejën për jetën, falë vendimit të prindërve të nxënëses 17 vjeçare nga Imathía e Greqisë, për të dhuruar organet e vajzës së tyre, e cila përpara dy javëve kishte pësuar plagë për vdekje të trurit pasi rënies së saj nga ballkoni në një hotel të Romës, ditën e fundit të ekskursionit shkollor. 

Në një artikull të saj titulluar «Dëshira e fundit e Anastasias: Mama unë dua të shpëtoj jetën e të tjerëve», gazeta italiane «Corriere della Sera» bën një referim të gjerë, duke falenderuar prindërit e 17-vjeçares, Anastasias për vendimin e tyre. 

Shqipëria
---Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e gjashtë të Komitetit të Stabilizim Asociimit, që do të mbahet më 20 mars.

Burime nga Ministria e Integrimit bëjnë të ditur se takimin e parë, ministrja Gjosha e zhvilloi t; enjten me Komisionerin Europian për Migrimin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos, të cilin e informoi mbi reformat që Shqipëria po ndërmerr në lidhje me procesin e integrimit. Ajo shprehu angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të avancuar me këtë proces.

“Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, sfida jonë e radhës është hapja e negociatave, e cila do ta çonte procesin në një fazë tjetër, ku vërtet do të mund të vlerësoheshin në mënyrë më teknike të gjitha masat për secilën nga fushat që do të përfshihen në këto negociata. Sot Shqipëria është një vend më i sigurt dhe më i zhvilluar edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh ministrja.

Komisioneri Avramopulos shprehu mbështetjen për Shqipërinë në aspiratën e saj europiane, duke nënvizuar se zbatimi i reformave, do të mundësojë ecjen përpara të saj në këtë proces.

---Në prag të sezonit të ri turistik, Agjencia Kombëtare e Turizmit po kërkon rrugë të reja për promovimin turistk të Shqipërisë për vitin 2015. 

“Ndiq  Rugën Tënde” , ky është sllogani me të cilin Shqipëria do të  prezantoje  turizmin gjatë këtij viti. Përgjegjësi i marketingut në Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Alboren Rama, tregon se kohët e fundit interesi për  vendin tonë është rritur ndjeshëm.

Turistët  e  huaj tashmë përveç bregdetit janë të interesuar edhe për turizmin kulturor, të gatimeve tradicionale e sidomos për turizmin e aventurës.

Në prag  të sezonit turistik të verës, Agjencia Kombëtare e Turizmit ka organizuar një tur me gazetarë të huaj, të cilët do të prekin nga afër të gjitha  mundësitë turistike që ofron vendi ynë. Agjencia Kombëtare e Turizmit aktualisht është përqëndruar në shpërndarjen e sa më shumë informacioneve për destinacionet turistike. /a.ke/

---Një epokë e re nis për Radiotelevizionin Shqiptar, operatorin e parë të transmetimit dhe median e vetme publike në vend. 

Një projekt i nisur vite më parë, finalizohet përmes nënshkrimit të marreveshjes, që i hap rrugë kalimit në transmetimet dixhitale, mes Ministrisë së Inovacionit, Radiotelevizionit Shqiptar dhe kompanisë gjermane Rohde&Schwarz, që do të realizojë gjithë procesin e dixhitalizimit.

"Është një nga investimet shumë të rëndësishme të shtetit shqiptar, dhe dua të kujtoj këtu që më 17 qershor është afati botëror për kalimin në transmetimet dixhitale të gjithë mediave audio-vizive. Shqipëria, pra, sot me këtë kontratë hedh bazën për Radiotelevizionin Shqiptar, për të garantuar për të gjithë qytetarët vijimin e transmetimit të televizionit pa pagesë dhe garancinë që Televizioni Shqiptar do të vazhdojë të transmetojë pas kësaj date", tha ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito.

Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka, garanton angazhimin e RTSH-së per te permbushur te gjitha detyrimet qe rrjedhin nga kjo marreveshje.

Ambasadori i Gjermanise në Shqipëri, Helmut Hoffman shprehu kënaqësinë që do të jetë pikërisht një kompani gjermane, e cila do të realizojë procesin e dixhitalizimit te operatorit publik. 
"Është një projekt shumë i rëndësishëm për transmetuesin publik dhe jemi të kënaqur që realizimi i tij mbështet operatorin publik, pozicioni i të cilit është shumë i rëndsishëm për tablonë e pergjithshme të medias", tha Hoffman.

Projekti për dixhitalizimin e RTSH-së është i teknologjisë më moderne të kohës dhe ndër më të përparuarit në rajon e më gjerë. Ky është investimi teknologjik më i madh në terma financiare, në historinë e RTSH-së. Me dixhitalizmin, RTSH do të ofrojë në çdo skaj të Shqiperisë një buqetë me programe të shumëllojshme, ku do ta gjejnë veten të gjitha grup-moshat e shoqërisë tonë. Ne përfundim të projektit RTSH do të mbulojë me sinjal dixhital më shumë se 97 përqind të popullsisë shqiptare. 

---“Bardhësi” është ekspozita më e fundit e artisit të njohur Pashk Përvathi, çelur në Galerinë “Kledio” në kryeqytet, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 25 mars për të apasionuarit e piktures që pëlqejnë dëborën apo dritën në bardhësinë e saj.

Përvathi me “Bardhësinë” e tij, ka sjell; kësaj here 29 peisazhe kushtuar dëborës, frymëzuar nga qytete si Korça, Valbona, Shkodra dhe Lezha, si edhe pohon ai vetë. Mjeshtri i lindur në qytetin e Lezhës, që me pikturën është lidhur që në vegjëlinë e tij, ka kaluar nga piktura  impresioniste tek ajo dekorative, me konvencione, apo edhe  hera herës edhe tek piktura me simbolika të caktuara. 

Në  rreth 36 ekspozita që ka realizuar deri më sot, është cilësuar  si një poet lirik, i cili e sheh natyrën si pjesë shpirtërore që e frymëzon dhe e bën të realizojë. Në këtë ekspozitë të parë të bardhë mbushur me realizëm,  frymëzim dhe bardhësi, pena e Përvathit, pasqyron mrekullisht udhëtimin që mjeshtri ka kryer në natyrën e bardhë, e cila në lojën e dritës dhe vendeve sjell aq bukur dëboren dhe efeket qe ajo di te krijojë.

Bota
---Krijimi i bashkimit energjitik është çështja kryesore e samitit 2-ditor, që mbahet sot dhe nesër nga liderët e Bashkimit Europian në Bruksel.

Ky është një nga 5 prioritete e Unionit në axhendën e tij 5-vjeçare. Synimi është që Bashkimi Europian të ketë burime të sigurta dhe afatgjata. Po ashtu, do të nxitet përdorimi i burimeve të energjisë së rinovueshme; të ulet varësia nga hidrokarburet; si dhe të luftohet ngrohja globale.

Po ashtu liderët europianë do të marrin në shqyrtim edhe ecurinë e zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit për Ukrainën Lindore.

---Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve legjislative izraelite konfirmojnë  fitoren e madhe të partisë konservatore të Benjamin Netanyahut dhe një potencial të madh të së djathtës prej 67 vendesh nga 120 për kryeministrin në ikje, deklaroi Komisioni Zgjedhor izraelit.

Partia Likud e Nentanyahu fitoi 30 vende, ndërsa partia e Bashkimit Sinoist e kundërshtarit të tij, Isaac Herzog mori 24 vende. Lista e partive arabe izraelite renditet e treta me 13 mandate, deklaroi ky komision.

Netanyahu, i cili është në pushtet që prej vitit 2009, duhet të marrë nga presidenti Reuven Rivlin mandatin për të krijuar qeverinë e ardhshme izraelite./a.jor.

---Presidenti palestinez, Mahmud Abbas deklaroi të enjten se pranonte për të bashkëpunuar me çdo qeveri izraelite që pranonte një shtet palestinez përkrah Izraelit, në ndërkohë që kryeministri izaelit, Benjamin Netanyahu është praktikisht duke formuar qeverinë e ardhshme të vendit pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të së martës.

Nabil Abu Rudeina, zëdhënës i presidentit palestinez, tha në një komunikatë se pak i interesonte se cili do ishte kryeministri i ardhshëm i Izraelit, pasi ajo që i interesonte më shumë ishte gjetja e një marrëveshjeje për ekzistencën e dy shteteve, me Jeruzalemin kryeqytet të Palestinës.

”Mbi këtë bazë, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me çdo qeveri izraelite”, shtoi ai. ”Pa këto angazhime, procesi i paqes nuk do të ketë shans”, theksoi Rudeina./a.jor/.

---Zyra e Gjenevës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në një raport të sajin vlerëson se luftëtarët e Shtetit Islamik mund të kenë kryer genocid ndaj minoritetit Jazidi në Irak. Dokumenti ka nisur të hartohet që prej shtatorit të vitit të kaluar.

Raporti bazohet në intervistat që i janë marrë mbi 100 viktimave apo dëshmitarëve të krimeve nga ky komunitet. Po ashtu në këtë dokument theksohet se xhihadistët mund të procedohen edhe për krime kundër njerëzimit dhe luftë, kryesisht ndaj fëmijëve. Raporti përmend një sërë rastesh të ekzekutimit si të civilëve të pafajshëm, ashtu edhe të ushtarëve të kapur rob.

Në bazë të këtyre të dhënave zyra i bën thirrje Këshillit të Sigurimit që ta referojnë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë. Por raporti nuk ka lënë pa përgjegjësi edhe forcat qeveritare irakene, që gjatë luftës kundër militantëve mund të kenë kryer edhe ato disa vepra që klasifikohen si krime lufte.

Dokumenti ka hetuar edhe njoftimet e përdorimit të gazit klorin, një armë kimike e ndaluar, ndaj njësive qeveritare irakene. Në terren, ofensiva për rimarrjen e Tikritit po has në vështirësi dhe ka ndaluar prej disa ditësh, por nuk është kërkuar ende ndihma e koalicionit ndërkombëtar për më shumë bombardime. Sipas burimeve zyrtare, mendohet se shumë xhihadistë janë strehuar në disa komplekse godinash të ndërtuara që në kohën e regjimit të Sadamit, duke vendosur kurthe të ndryshme dhe mina në të gjithë këtë zonë.

---Një avion luftarak kreu sot një sulm kundër kompleksit të pallatit presidencial në Aden, në jug të Jemenit, por pa e prekur atë, për shkak të kundërpërgjigjes nga toka, tha një burim i sigurisë i Jemenit.

”Avioni luftarak fluturoi mbi pallat, ku gjendej presidenti Abd Rabbo Mansour Hadi, por të shtënat e tij prekën një terren aty pranë”, shtoi burimi.

”Kundërpërgjigjja nga toka detyroi avionin të largohej”, theksoi ai./ a.jor.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 20 Mars shira të pakta në rajonet lindore dhe dëborë në zonat e tyre malore, shira lokale në Egje dhe në Kretën Veriore, shira apo dëborë në Greqinë e Veriut dhe dëborë në zonat e saj malore si dhe në zonat e Maqedonisë dhe Thrakës me lartësi të ulët.

Në Attikë, temperatura maksimale do të jetë 12 gradë Celsius, ndërsa në Selanik temperatura maksimale do të jetë 10 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54