Lajmet në gjuhën shqipe 23/03/2015

---Kryeministri grek, Aleksis Tsipras nisi vizitën në Berlin për të bindur kancelaren gjermane, Angela Merkel për zbatimin e reformave të ndërmarra nga qeveria, ndërkohë që nevoja për një ndihmë evropiane rritet për të shmangur falimentimin e vendit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe homologu grek, Aleksis Cipras kërkuan sot kapërcimin e stereotipeve që kanë penguar dialogun mes kombeve evropiane, veçanërisht në krizën e euros.

“Grekët nuk janë dembelë dhe gjermanët nuk janë përgjegjës për të gjitha vështirësitë e Greqisë. Ne duhet të punojmë fort për të kapërcyer këto stereotipe”, deklaroi Cipras, me rastin e vizitës së parë të tij në Berlin, i ftuar nga kancelarja gjermane.

”Duhet të shmangim të gjitha llojet e stereotipeve”, miratoi Merkel, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë në nivelin më të ulët që prej disa javëve, për shkak të mosmarrëveshjeve për reformat që duhet të ndërmarrë Greqia në këmbim të një ndihme financiare nga kreditorët evropianë.

Kancelarja pranoi kërkesat e vështira dhe mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Berlinit, por ajo siguroi se dëshironte një bashkëpunim në një frymë të përbashkët besimi.
“Ne dëshirojmë një Greqi ekonomikisht të fortë, dëshirojmë rritje ekonomike në Greqi dhe në mënyrë të veçantë reduktimin e papunësisë shumë të lartë tek të rinjtë”, theksoi ajo.
“Që të arrihen këto duhen reforma strukturore dhe një administratë efikase, besoj se ne jemi dakord për këtë”, shtoi ajo.

“Ky takim është i rëndësishëm, sepse ne duhet të mirëkuptohemi, nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut”, theksoi Cipras duke përsëritur kundërshtimin e tij për politikat shtrënguese të ndërmarra në Evropë dhe duke dhënë idenë e tij për reformat.
“Plani i shpëtimit të Greqisë nuk ka qenë një sukses”, konfirmoi ai duke përmendur uljen e Prodhimit të Brendshëm Bruto me 25 për qind, rritjen e papunësisë, rritjen e pabarazive sociale në Greqi.

Por ai hapi një portë për diskutimin: sigurisht, ne nuk dëshirojmë të shkatërrojmë gjërat pozitive të viteve të fundit, ne duhet të gjemë një kombinim tjetër politik për zgjidhjen e problemeve. Ai siguroi se nuk kishte ardhur në Berlin për të kërkuar para nga qeveria gjermane, por për të vendosur një bazë të përbashkët në dialogun mes dy vendeve.

Kancelarja theksoi përveç të tjerave se çështja e ndihmave për Greqinë dhe masat e kërkuara nga kreditorët rikthejnë diskutimet shumëpalëshe brenda zonës euro dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane.

---Një deklaratë sqarimi në lidhje me çështjen që është krijuar me Ministrin për Reformën Administrative, Giórgo Katroúngalo ka dhënë zyra e avokatëve, në të cilën ai merrte pjesë.

Zyra karakterizon si gabim përzjerjen e Giórgo Katroúngalo, pasi siç thotë në këtë deklaratë, ai ishte larguar nga zyra në qershor të vitit 2014, për shkak të zgjedhjes së tij si evrodeputet me SYRIZA.

Ministri nga ana e tij tha se është një plan për zhdukjen e tij politike dhe veçanërisht për të minuar qeverinë dhe kryeministrin në kohën që bën negociata në Gjermani.

---Një grup anëtarësh kundër pushtetit në solidaritet me të burgosurit që janë në grevë urie kanë pushtuar të hënën që në mëngjes radion «Sto Kókkino».

Kërkesat kryesore të tyre janë heqja e ligjit të terrorit, por dhe kuadri ligjor që përcakton veprimtarinë e burgjeve tipit G si dhe lirimin e menjëhershëm të Savas Ksiros.

---Të premten në datën 27 mars do të gjenden përsëri para Gjykatës tre anëtarësh të Apelit për Krimet e Rënda, sipërmarrësi Lavréntis Lavrentiádis dhe 42 të pandehurit e tij, të cilët përballen me akuza të rënda për kredi jo të sigurta të shumës rreth 700 milion euro që i kishte dhënë PROTON BANK në periudhën 2010-2011, gjatë së cilës kontrollin e kishte Lavréntis Lavrentiádis. Paratë sipas dosjes kanë përfunduar kryesisht në kompanitë që kanë lidhje me të akuzuarin kryesor.

---Institucioni «polici i lagjes» vjen përsëri nga sot në 22 zona në Athinë dhe Selanik me urdhër të ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit.

---Ministri i Jashtëm Níkos Kotziás shkon sot në Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku të martën do të takohet me ministrin e Jashtëm të vendit, Sheikun Abdullah bin Zayed.

Menjëherë, më pas z.Kotziás do të niset për në Pekin, ku të njëjtën ditë do të ketë takim me ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës Wang Yi, në kuadër të vizitës së zv/kryeministrit grek, Giánni Dragasáki

Shqipëria
---Qeveria ka vendosur rritjen e moshës për daljen në pension të
funksionarëve të lartë nga 55 në 60 vjeç.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi të hënën ndryshimet në
ligjin “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë
funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, propozuar nga
qeveria.

Ministri për Mirëqenien Sociale dhe Rininë, Erjon Veliaj, shpjegoi se
këto ndryshime synojnë harmonizimin e efekteve financiare të skemës.
Po ashtu, sipas ministrit Veliaj, ato synojnë të rregullojnë më mirë
trajtimin financiar të funksioneve dhe detyrave të krahasueshme.

Ndryshim thelbësor që sjell ky ligj është rritja e moshës për daljen
në pension të funksionarëve të lartë nga 55 në 60 vjeç”, tha Veliaj.
/a.gjonaj/ /a.ke/

---Konsumi i energjisë elektrike, që zë vendin e parë si burim
energjetik, vijoi të rritet ndjeshëm edhe gjatë vitit 2014 nga
konsumatorët shqiptarë, ndërsa pas disa vitesh, u shënua ulje e
nivelit të humbjeve të energjisë elektrike.

INSTAT njoftoi të hënën se konsumatorët familjarë rritën konsumin e
energjisë elektrike gjatë vitit 2014 me 10,2% më shumë se në vitin
2013. Gjithashtu me rritje të konsumit të energjisë vjet rezultuan dhe
konsumatorët jo familjarë me 9,9%, njoftoi INSTAT.

Rritja e kërkesës për energji ndikoi në rritjen e importit bruto të
energjisë elektrike gjatë vitit 2014 me 44,5% ndaj vitit 2013 dhe në
sasinë prej 3.356 Gwh, nga 2,323 Gwh që ishte në 2013-tën. Për pasojë,
edhe eksporti i energjisë në vitin 2014 u ul ndjeshëm. Eksporti bruto
i energjisë elektrike vjet arriti në 288 Gwh, nga 1.425 Gwh, që ishte
në vitin 2013.

Në krahasim me vitin 2013, humbjet në rrjet gjatë vitit që shkoi u
ulën 15,8%, ose nga 3.306 Gwh, në 2.783 Gwh. Ky nivel humbjesh përbën 35,7% të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum. Në sektorin e Shpërndarjes humbjet, që përbëjnë 94,2 përqind të humbjeve në rrjet, gjatë vitit 2014 rezultuan me rënie, që llogaritet në 15,3%.

---Në “ditën ndërkombëtare të pyjeve”, një grup me mësues dhe nxënës
të shkollës “Albanian College Durrës” mbërritën në Parkun Kombëtar të
Divjakës në kuadrin e ripyllëzimit të zonave të pa pyllëzuara.

Gjatë këtij aktiviteti, ata mbollën 100 fidanë pishe në këtë park dhe
ndihmuan për blerjen e fidanëve të rinjë pishash me vlerën monetare të
grumbulluar prej tyre, 30.500 lek, ku do të pyllëzojnë një parcelë që
tashmë do të mbaj dhe logon e kësaj shkolle./a.g/

---Tirana-Laçi dhe Skënderbeu-Kukësi janë dy çiftet gjysëmfinaliste të
Kupës së Shqipërisë.

Sipas shortit të hedhur në Federatën Shqiptare të Futbollit,
bardheblutë kryeqytetas kanë “peshkuar” Laçin, teksa korçarët do të
përballen me Kukësin. Ndeshjet e para do të luhen në Tiranë dhe Kukës,
ndërsa ndeshjet e kthimit dhe vendimtaret do të luhen në Laç dhe
Korçë.

Tirana ende nuk ka fituar asnjë ndeshje përballë Laçit këtë sezon dhe
kjo gjysëmfinale mund të jetë një mundësi e mirë për bardheblutë, për
të rigjetur nderin e humbur në përballjet me kurbinasit.

Nga krahu tjetër, Skënderbeu dhe Kukësi janë dy skuadra që kanë
rivalizuar së tepërmi mes tyre gjatë këtij sezoni dhe kjo përballje do
të jetë thjesht një shteg i ri i luftës mes kampionëve të Shqipërisë
në fuqi dhe skuadrës që i rivalizon në titullin kampion këtë sezon. Në
çerekfinale të kupës, Tirana eliminoi Apolloninë, Laçi Partizanin,
Skënderbeu eliminoi Flamurtarin, ndërsa Kukësi fitoi derbin e veriut
me Vllazninë.

Bota
---Partia e qendrës së djathtë “Bashkimi i Lëvizjes Popullore” e
kryesuar nga ish-Presidenti Nikolas Sarkozy është fituesja e raundit
të parë të zgjedhjeve lokale për këshilltarët e 101 departamenteve në
Francë.

Ajo mori rreth 30% të votave në shkallë kombëtare. Në piramidën e
ndarjes administrative të vendit, departamentet janë përgjegjëse për
politikat e transportit dhe ato arsimore.

Në vendin e dytë u rendit forca e ekstremit të djathë “Fronti
Nacional” nën drejtimin e Marin Lë Pen me rreth 26%. Ajo kërkoi
dorëheqjen e kryeministrit Manuel Vals, për shkak të rezultateve të
dobta të socialistëve të presidentit François Hollande. Këta të fundit
morën rreth 21% të votave.

Në balotazhin e të dielës së ardhshme do të garojnë, në shumicën e
rasteve përfaqësuesit e dy partive të djathta. Për herë të parë u
votua për dy kandidatë njëkohësisht, një burrë e një grua, për të
forcuar barazinë gjinore në politikë.

Rezultatet janë një test i rëndësishëm përpara zgjedhjeve
presidenciale të 2017, ku nuk përjashtohet një rikandidim i Nikolas
Sarkozy në krye të Elizesë.

---Socialistët spanjollë kanë fituar zgjedhjet administrative në
Andaluzi me 35.4%. Rajoni është një bastion i tyre dhe është më i
populluari në vend.

Të djathtët në qeverisjen qëndrore u renditën të dytët. Surpriza e
këtyre zgjedhjeve ishte “Podemos”, që në testin e parë elektoral do të
jenë forca e tretë.

---Shkeljet e të drejtave të njeriut nga Izraeli gjatë Luftës së Gazës
në vitin 2014 ishin kaq të rënda sa ato mund të konsiderohen krime
kundër njerëzimit, deklaruan të hënën vendet arabe në Këshillin e
OKB-së për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Gjenevë.

Sipas raporteve të një komisioni të OKB-së, në lufitmet mes grupeve të
armatosura palestineze dhe ushtrisë izraelite u vranë 2.230 pelstinezë
dhe mbi 70 izraelitë, vetëm gjatë muajve korrik-gusht 2014.

“Ne nuk mund t’i shohim këto shifra vetëm si dëm kolateral”, deklaroi
i dërguari i Bahreinit, Yusuf Abdulkarim Bucheeri, në emër të grupit
të vendeve arabe. ”Operacionet ushtarake izraelite shkelën ligjin
ndërkombëtar dhe mund të konsiderohen krim kundër njerëzimit”, theksoi ai.

Krime kundër njerëzimit cilësohen sulmet e gjera apo sistematike
kundër popullsisë civile. Izraeli nuk ka lejuar deri tani hetime në
Gaza dhe në Bregun Perëndimor dhe sot nuk e mori fjalën në këtë
këshill./a.jor/.

---Një helikopter i Qeverisë siriane u rrëzua në një zonë të
kontrolluar nga rebelët në veriperëndim të vendit. Lajmi është bërë i
ditur nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Helikopteri u rrëzua në Xhebel el-Zawiya në krahinën Idlib, një zonë e
cila mbahet nga luftëtarët e opozitës, në të cilën bën pjesë edhe
Fronti al-Nusra. Bëhet e ditur se 4 anëtarë e ekuipazhit të
helikopterit janë kapur nga rebelët, një i pestë është vrarë, ndërsa
fati i një tjetër personi nuk dihet.

Më shumë se 200 mijë persona janë vrarë që prej fillimit të luftës
civile në Siri, 4 vite më parë, ndërsa rreth 11 milionë të tjerë janë
detyruar të braktisin banesat e tyre. Sipas Observatorit sirian,
helikopteri është detyruar të bëjë ulje të detyruar pas një problemi
teknik pranë qytetit verior të Maarat al-Numan.

---Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar dhunën e
vazhdueshme në Jemen, ku rebelët Houthi kanë marrë kontrollin e
kryeqytetit Sana qysh në muajin shtator dhe kanë detyruar qeverinë të
japë dorëheqje.

Në deklaratën e miratuar dënohen veprimet e njëanshme të rebelëve dhe
theksohet gatishmëria e Këshillit për të marrë masa të mëtejshme
kundër çdo pale që pengon rrugën e paqes në Jemen. I dërguari i
posaçëm i OKB-së për Jemenin, Jamal Benomar, ka paralajmëruar se ky
vend "është në prag të luftës civile".

Ai ka thënë se konflikti atje mund të jetë i ngjashëm me Irakun,
Sirinë apo Libinë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën 24 mars vransira të pakta me shira lokale. Kushtet meteorologjike favorizojnë transportin e pluhurit nga Afrika, kryesisht në rajonet perëndimore dhe jugore.

Era do të fryjë mesatare në Egje në drejtimin verilindje nga 4-5 ballë dhe në Jon në drejtimin juglindor nga 4-5 ballë.

Në Attikë, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 17
gradë Celsius, ndërsa në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale
do të jenë 6 dhe 12 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54