Lajmet në gjuhën shqipe 23/04/2015

---Ka përfunduar takimi i Kryeministrit Aleksis Cipras me kancelaren gjermane Angela Merkel që është bërë në margjinat e Samitit të Lartë. 

Takimi zgjati 50 minuta dhe u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe pozitive. Në diskutimet e tyre u bënë hapa të rëndësishme progresi, që janë regjistruar që prej takimit të tyre të fundit në Berlin e deri sot.

Kryeministri kërkoi përshpejtimin e procedurave që të vihet në zbatim vendimi i 20 shkurtit, që parashikon një marrëveshje të parë të ndërmjetme deri në fund të muajit prill. 

Mesazh të qartë për Athinën ka dërguar Kancelarja Angela Merkel gjatë takimit të saj me kryeministrin Aleksis Cipras, të cilit i bëri të qartë se Gjermania dëshiron që Greqia të qëndrojë në eurozonë dhe shmangjen e një falimentimi katastrofik. Por në mënyrë që të arrihet ky qëllim, zonja Merkel i theksoi kryeministrit se Greqia duhet të përshpejtojë reformat dhe të ndërmarrë angazhime të qarta në diskutimet teknike, me masa të llogaritura për qëndrueshmërinë e financave publike të saj.

Nga ana e tij, zoti Cipras i vuri në dukje Kancelares Merkel se ka bërë në praktikë për çfarë ishte angazhuar dhe se tani është radha e Gjermanisë dhe e partnerëve evropianë për të bërë dha ata të njëjtën gjë. 

Siç tha një zyrtar qeveritar, Aleksis Cipras i theksoi Kancelaris se nëse nuk do të ketë marrëveshje do të krijohet një problem pas datës 30 prill.

---Pavarësisht përshpejtimit të negociatave të autoriteteve greke me institucionet financiare ndërkombëtare, nuk është akoma e dukshme arritja e një marrëveshjeje deri në fund të prillit për çështjen e financimit të vendit ballkanik, deklaroi një zyrtar i lartë i Eurozonës, i cili kërkoi të mos identifikohej.

“Ka një përshpejtim të qartë të punës, angazhim të qartë, por jemi ende larg për të arritur në një rezultat të dukshëm”, deklaroi ai.

Zyrtari nënvizoi se qeveria greke ra dakord me deklaratën e Eurogupit të 20 shkurtit, mbi bazën e së cilës deri në fund të prillit do të duhej të kishte rënë dakord me institucionet për një listë të kompletuar reformash.

“Afati nuk është humbur ende, mirëpo është shumë e vështirë që të respektohet, pasi çdo lloj marrëveshjeje me institucionet do të duhet të shqyrtohet nga Euro Working Group, që nga ana e vet duhet të përgatisë terrenin për diskutimin politik që do të bëjnë ministrat e Financave të eurozonës”, tha zyrtari i BE-së.

Ai la të kuptohet se nuk priten vendime nga takimi i Eurogrupit të 24 prillit, në Riga të Letonisë, ndërsa paralelisht la gjithashtu të kuptohet se nuk përbën afat as Eurogrupi i datës 11 maj. Sipas zyrtarit të eurozonës, një është afati i rëndësishëm, data 30 qershor, kur përfundon programi grek./ a.jor.

---Nevojën që Bashkimi Europian të zhvillojë një politikë humane për imigracionin ka theksuar kryeministri Aleksi Cipra, në deklaratat që bëri kur mbërriti në samit. 

«Tragjedia në Lampedusa dhe realiteti i frikshëm që ne përballemi çdo ditë në Egje, nënvizojnë nevojën që BE-ja të zhvillojë një politikë efektive dhe humane për imigracionin, të bazuar në solidaritetin, veçanërisht për vendet e Mesdheut - anëtarë që janë në vijën e parë», tha në mënyrë karakteristike Aleksi Cipra.

---Mbyll sot ciklin e kontakteve të tij në Uashington, Ministri i Jashtëm, Nikos Koxias para se të nisej për në Nju Jork, ku të premten do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon dhe përgjegjësin për çështjen e emërit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Matthew Nimetz.

---«Paralajmërim» të ri nga ana e Komisionit Europian në lidhje me negocimin vjen nga zëvendës presidenti, Jyrki Katainenme i cili deklaroi të enjten se besimi i partnerëve për Greqinë reduktohet.

Siç tha në një konferencë për shtyp nga zyrat e Komisionit Evropian në Athinë, problemet mund të zgjidhen nëse ndërtohet besimi dhe shtoi se «jemi duke punuar vetëm për zgjidhje», por zgjidhja duhet të jetë e drejtë për të gjithë.

---Vizitë zyrtare në Armeni zhvillon nga sot e deri të dielën, kryetarja e Parlamentit, Zoí Konstantopúlu, për të marrë pjesë në përkujtimet zyrtare të gjenocidit armen, që këtë vit shënon 100 vjet.

---Është shuar zjarri që shpërtheu pak para mesditës në një fabrikë të braktisur në zonën e parë industriale të volos, pas përpjekjeve të përbashkëta të forcave të fuqishme të zjarrshuesve nga e gjithë Thesalia.

Kontrolli si dhe dekontaminimi i vendit do të vazhdojnë deri sa të saktësohen shkaqet e provokimit të zjarrit dhe të konstatohet nëse ka ndoshta njerëz të tjerë që ishin të bllokuar brenda ndërtesës, pasi çatia është shembur.

Si burri i vdekur dhe ai i plagosur që kurohet në spitalin e Volos me djegie deri në 90% të trupit, janë me origjinë bullgare dhe sipas informacioneve edhe dy persona të tjerë,  ndoshta të plagosur lehtë, dolën nga ndërtesa kur shpërtheu zjarri dhe janë larguar për një drejtim të panjohur.

Sipas informacioneve, thuhet se katër persona kishin shkuar në fabrikën e vjetër për të prerë hekura, që më pas do t'i shitnin, por për një shkak të panjohur deri tani, plasi zjarri që u transmetua drejtpërdrejt në materialet e rrezikshme që ndodheshin brenda ndërtesës.

---Iniciativë për lehtësimin e huamarrësve - klientë të saj që tashmë kanë të ardhura shumë të ulëta për shkak të krizës, njoftoi Banka Piraiós.

---Një rritje prej mbi 50% ka paraqitur lëvizja turistike në Greqi në dy muajt e parë të 2015, sipas të dhënave të Bankës së Greqisë.

Në mënyrë të veçantë, numri i turistëve ka shifrën 1,1 milionë kundrejt 730.000 vitin e kaluar, duke paraqitur një rritje prej 52,7%. Ky zhvillim kishte si rezultat që të paraqesin një rritje prej 12,4% të ardhurat nga udhëtimet në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014 dhe duke arritur në 327 milionë euro..

Ky zhvillim erdhi së pari për shkak të një rritje prej 23,3% të të ardhurave nga banorët e vendeve të BE-së së 28 shteteve, të cilat arritën në 171 milion euro dhe së dyti në arkëtimet nga banorët e vendeve të tjera jashtë BE-së së 28 shteteve, të cilat arritën në 147 milion euro në periudhën janar -. shkurt të vitit 2015, duke paraqitur një rritje prej 3,0% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014.

---Me vendim të Ministrit të Arsimit, Aristeídi Baltá dhe zëvendës Ministri i Kulturës, Nikos Ksidakis, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar vendoset, regjisori Státhis Livathinós.

---Sot është Dita Ndërkombëtare e Librit. Kjo është një ngjarje vjetore që shënohet çdo vit më 23 prill dhe që ka për qëllim promovimin e leximit, botimit dhe të drejtave të autorit.

Për herë të parë, kjo ditë është shënuar më 23 prill të vitit 1995.

Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) ka zgjedhur këtë datë pasi ajo shënon përvjetorin e lindjes ose vdekjes së disa shkrimtarëve me famë botërore, si: Miguel de Cervantes Saavedra, Maurice Druon, Vladimir Nabokov e William Shakespeare.

Shqipëria
---Kryeministri Edi Rama vizitoi te enjte në Fier shkollën profesionale “Petro Sota”, ku zhvilloi një bashkëbisedim me nxënës dhe stafin pedagogjik mbi rëndësinë gjithnjë në rritje që formimi profesional ka në tregun e punës.

Kryeministri e konsideroi arsimin e mesëm profesional një alternativë reale të arsimit të përgjithshëm për të siguruar nesër një punë.

Bazuar mbi këtë qasje të re, sipas Kryeministrit, ka ndryshuar rrënjësisht edhe modeli i arsimit profesional në Shqipëri, duke përshtatur modelin gjerman ku 40% e mësimit në shkollën profesionale kryhet në praktikë pranë ndërmarrjeve lokale. Rruga është e duhura, vlerësoi Kryeministri, por ende ka shumë sfida. Kryeministri nënvizoi se fuqizimi i arsimit profesional do të jetë një nga drejtimet e rëndësishme të punës së përbashkët edhe me pushtetin vendor dhe në këtë drejtim, vuri në dukje rëndësinë e organizimit të ri administrativo-territorial.

Në mbyllje, Kryeministri ftoi prindërit ta konsiderojnë arsimin profesional si një mundësi reale për një të nesërme më të sigurt për fëmijët e tyre./a.ke/

---Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët Fatmir Toçi dhe Blendi Klosi u pritën të mërkurën nga drejtuesit lokalë (Kryetarët e Bashkive, Prefekti dhe Kryetari i Këshillit Rajonal të Kalabrisë) dhe komunitetet e 5 komunave të Unionit të Arbërisë në Kalabri, San Cosmo Albanese, San Demetrio Corone, San Giorgio Albanese, Santa Sofia D’Epiro dhe Vacarizzo Albanese.

Vizita e z. Meta zhvillohet me ftesë të autoriteteve lokale me rastin e ditëve artistike të kolonisë së piktorëve figurativë, që po zhvillohet këtë javë në komunat arbëreshë.

Kryeparlamentari Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar u pritën me ngrohtësi nga autoritetet e 5 komunave arbëreshe dhe nga qytetarët e tyre, të cilët shprehën kënaqësinë e kësaj vizite, e cila tregon dashurinë dhe vëmendjen që shqiptarët kanë për komunitetin arbëresh të Italisë.

---Në Residencën e Ambasadës  Italiane në Tiranë, së bashku me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit dhe Investimeve (AIDA), organizojnë  te enjte një aktivitet për prezantimin e Ekspozitës Botërore të Milanos 2015 – nismë e rëndësishme që Italia do të mirëpresë në periudhën 1 maj – 31 tetor 2015, ku  marrin pjesë rreth 150 Vende nga e gjithë bota, ashtu edhe  Pavijoni i Shqipërisë, ku do të paraqiten përsosmëritë gastronomike të traditës shqiptare.

Zyra për shtyp e Ambasadës së Italisë ne një njoftim për shtyp sqaron se Komisari i Përgjithshëm i Shqipërisë në Expo Milano 2015, Manjola Gjoni, do të prezantojë këtë aktivitetet që Shqipëria synon të organizojë gjatë gjashtë muajve me rastin e pjesëmarrjes në Expo 2015, si dhe do të dorëzojë uniformën zyrtare të përfaqësimit të grupit të punës që do të jetë në Expo Milano. 

Ndërkohë që gjatë mbrëmjes, ku do të marrë fjalën edhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, do të prezantohet harta gastronomike e të gjitha rajoneve të Shqipërisë, si dhe të vendeve ku minoritetet shqiptare kanë ruajtur traditat e tyre.

Shqipëria është bërë pjesë e Expo Milano 2015 brenda Cluster-it Bio-Mediterraneum. Ekspozita Botërore në Milano, do fokusohet në temën “Të ushejmë Planetin. Energji për Jetën”, sfida e së ardhmes për t’i siguruar njerëzimit ushqim të shëndetshëm, të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm./k.m/f.n/

---Laçi – Kukësi është finalja e Kupës së Shqipërisë për vitin 2015. Një kualifikim i arritur 90 minutash të mundimshme për të dy ekipet.

Laçi ka eliminuar Tiranën pas fitores 1 – 0 në sfidën e kthimit, ndërsa e para në kryeqytet kishte përfunduar pa gola. Goli i Xhejms ka qenë vendimtar, ndërsa bardheblutë kanë luajtur prej minutës së 17-të me dhjetë futbollistë, pasi Ndikuama u ndëshkua me karton të kuq.

Kukësi ka siguruar finalen pasi ka barazuar 1 – 1 me Skënderbeun në Korçë. Protagonist përsëri Pejiç, që ka zhvleftësuar golin e shënuar nga Progni. Sfida e parë ishte mbyllur me fitoren 1 – 0 të Kukësit.

Laçi e ka fituar këtë trofe në vitin 2013, ndërsa Kukësi është finalisti i sezonit të kaluar. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet në Elbasan më 30 Maj.

Bota
---Policia franceze shmangu 5 atentate terroriste, gjatë muajve të fundit në Francë.

Deklaratën e bëri kryeministri francez Manuel Vals, gjatë një interviste për një radio pariziene. Sipas tij, bëhet fjalë për atentate të planifikuara në periudhën pas sulmeve ndaj redaksisë së revistës Sharli Hebdo në Janar.

Sulmi më i fundit që u shmang ishte ai në dy kisha në Paris. Planifikuesi ishte një 24-vjeçar algjerian që u arrestua të dielën.

---Papa Françesku do të udhëtojë në Kubë në muajin shtator, ka bërë të ditur Vatikani.

Në deklaratë thuhet se Papa do të qëndrojë në Kubë "me ftesë të autoriteteve civile dhe peshkopëve të Kubës".

Papa vlerësohet se ka ndihmuar përmirësimin e marrëdhënieve Kubë-SHBA dhjetorin e kaluar, pas dekadave të armiqësive midis dy vendeve.
Françesku, 78-vjeçar, do të jetë Papa i tretë që viziton Kubën, pas Gjon Palit më 1998 dhe Benediktit më 2012.

---Të paktën 21 persona humbën jetën pas përmbytjes së një miniere në veri të Kinës, njoftoi sot media zyrtare kineze.

”Ekipet e shpëtimit po luftojnë me kohën për të shpëtuar minatorët e mbetur në minierë”, tha agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Hsinhua.

”Të paktën tre minatorë janë shpëtuar nga miniera e qymyrit në Jiangjiawan”, shtoi ajo.

Në kohën kur ndodhi aksidenti, në minierë ishin 247 minatorë. Të paktën 226 prej tyre arritën të largoheshin. Gjatë viteve të fundit, Kina ka arritur të përmirësojë ndjeshëm nivelin e sigurisë në miniera edhe pse ato mbeten sërish nga më të rrezikshmet në botë./ a.jor.

Të paktën 17 persona janë vrarë nga talebanët në Afganistan, 9 prej të cilëve ishin roje kufitare. Tetë nga të vrarët ishin viktima të rastit, të cilët pësuan disa orë para "ofensivës pranverore" të talebanëve.

---Zyrtarët afganë thënë se rojet kufitare u vranë më 22 prill, kur talibanët sulmuan pikëkalimin në provincën veriperëndimore të Badghisit.

Në ndërkohë, më vonë gjatë mbrëmjes, një mjet shpërthyes në një rrugë vrau tetë persona, përfshirë katër fëmijë, që po udhëtonin në një automjet.

Amir Mohammad Akhundzada, kryetar i provincës, u vuri fajin talebanëve, duke thënë se bomba ishte vendosur për të shënjestëruar forcat e sigurisë afgane. Talebanët nuk morën përgjegjësinë për këtë incident, por bombardimet në rrugë janë sulmi i tyre më i shpeshtë. Sulmet erdhën pranë kohës kur liderët talebanë thanë se do të fillojnë ofensivën e tyre vjetore të pranverës më 24 prill.

---Vullkani Kalbuko në jug të Kilit ka shpërthyer dy herë brenda pak orëve, duke dhënë sinjalin se është zgjuar nga gjendja e fjetur prej disa dekadash. 

Vullkani Kalbuko është një nga më aktivët në Kili, por shpërthimi i tij pas një gjendjeje të gjatë pasiviteti i ka kapur të papërgatitura autoritetet. Ministri i Brendshëm, Rodrigo Penailillo u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të jenë vigjilentë. 

---Shkencëtarët amerikanë kanë bërë të ditur se një medikament eksperimental ka shëruar majmunët e infektuar me virusin Ebola.

Sipas rezultateve të testit, të publikuara në revistën Nature, medikamenti TKM-Ebola-Guinea godet nëntipin Makona të virusit, i cili ka shkaktuar shpërthimin vdekjeprurës në Afrikën Perëndimore.

Të tre majmunët që janë trajtuar, kanë qenë të shëndetshëm pas 28 ditësh, ndërsa tre majmunë të patrajtuar kanë vdekur brenda nëntë ditësh.
Shkencëtarët kanë thënë se efikasiteti i medikamentit nuk është provuar ende në njerëz. Rezultatet e trajtimit të njerëzve me medikamentin në fjalë priten në gjysmën e dytë të 2015-ës.

Që nga marsi i vitit 2014, mbi 10.800 njerëz kanë vdekur nga Ebola në Liberi, Guine, Siera Leone, Nigeri, SHBA dhe Mali. Numri i përgjithshëm i rasteve të infektuara është mbi 25.500. Ky ka qenë shpërthimi më vdekjeprurës i Ebolës që nga zbulimi i virusit më 1976.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Premten, 24 prill re me shira lokale në rajonet perëndimore dhe në zonat malore kontinentale në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugore nga 3 deri në 5 ballë.  

Në Attikë parashikohen vransira të pakta, të cilat gjatë orëve të ndryshme të ditës do të jenë më të dendura. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jug, jugperëndim nga 3 deri në 5 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 10 deri në 20 gradë Celsius.

Në Selanik priten vransira të pakta, në vazhdim më të dendura dhe ka mundësi të ketë shira lokale, kryesisht në zonat malore në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin juglindje nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 9 deri në 19 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54