Lajmet në gjuhën shqipe 02/05/2015

---Ministri grek i Financave, Ganis Varufakis theksoi se Greqia mund të heqë dorë nga një kredi e re, ndërkohë që qeveria e saj po bën përpjekje dëshpërimisht për të zhbllokuar fondet e shpëtimit.

”Greqia mund t’ia dalë edhe pa një kredi të re. Megjithatë, një prej kushteve është një ristrukturim i rëndësishëm i borxhit”, theksoi Varufakis në një intervistë për të përditshmen e qendrës së majtë ”Efimerida ton Sindakton”.

I pyetur nëse ka pasur diskutime në prapaskenat e negociatave përsa i përket një reduktimi të borxhit, ministri grek u përgjigj në mënyrë pozitive.

Varufakis, stili triumfues i të cilit ka irrituar palët evropiane, i përshkruan ato si ”partnerë kontradiktorë”.

”Ata janë partnerë të qeverisur nga frika që ka shkaktuar kriza dhe zgjidhja e krizës, për të cilën, në fakt, të gjithë e dinë se ajo është e paqendrueshme dhe çon në probleme të reja”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se nëse zona euro nuk ndryshon, ajo do të vdesë, duke shtuar se asnjë vend, jo vetëm Greqia, nuk do t’i ishte bashkuar një sistemi monetar të përbashkët kaq të paqëndrueshëm.

Varufaqis përsëriti se vazhdonte të ishte i ngarkuar me negociatat greke pavarësisht riorganizimit të ekipit, koordinimi i të cilit u mor përsipër nga profesori i ekonomisë, Efkleídis Cakalótos.

---Ndërkohë, «nuk do të marrim masa shtesë që zgjerojnë edhe më tej kursimin», thekson Efkleídis Cakalótos në një intervistë me gazetën «Epéndysi - Investimi», duke shtuar se «gabimi» i datës 20 shkurt nuk ishte i Varufakis, por i tërë ekipit negociator.

---«Linjat tona të kuqe nuk janë vetëm masa të drejtësisë sociale, por dhe lëvizje të nevojshme për daljen e ekonomisë nga recesioni», thekson Gavriíl Sakellarídis, duke vënë në dukje në një intervistë të tij me gazetën «Agorá», se këto vija të kuqe mbeten të pandryshuara.

---Mbështetjen e tij ndaj kërkesave të Athinës lidhur me pagesën e reparacioneve të luftës ndaj Greqisë, edhe pse Berlini i ka refuzuar në mënyrë të përsëritur, ka shprehur presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck.

”Gjermania duhet ta mendojë seriozisht çështjen e përgjegjësisë historike që ka ndaj Greqisë”, nënvizoi Gauck në një intervistë për edicionin e të shtunës të gazetës gjermane ”Sueddeutche Zeitung”.

“Kjo është e duhura për një vend që ka vetëdije të plotë për historinë e vet, të shqyrtojë se çfarë gjasash ka eventualisht për të paguar reparacione”, theksoi Gauck.

“Nuk jemi vetëm qytetarë që jetojmë në të tashmen, por jemi gjithashtu pasardhës të atyre që lanë pas vetes një monopat katastrofe në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe në Greqi ndërmjet rajoneve të tjera, ku në mënyrë të turpshme dinim shumë pak lidhur me këtë çështje, për një kohë të gjatë”, shtoi presidenti gjerman.

---Uljen e çmimit të pagesave së taksave (diodia) me zgjerimin e kohës së koncesionit të autostradave, njoftoi në një intervistë të tij në gazetën 
”Efimerida ton Sindakton”, zëvendësministri i Ekonomisë, përgjegjës për çështjet e infrastrukturës, Hrístos Spírxis.

---Ndalimi gradualisht i qarkullimit të automjeteve, duke përfshirë dhe biçikletat, do të bëhet të dielën në qendrën e Athinës, nga ora 08:00-12:30 pasdite, për shkak të garës gjysmë maratonë «Athens Half Marathon».

---Një sistem për dhënien e Librezave Shëndetësor të të Pasiguruarve, për të gjithë të pasiguruarit pa kriter të ardhurat, përparon Plani i vendimit ministror të përbashkët, me titullin «Rregullime për sigurimin e qasjes të të pasiguruarve në Sistemin e Shëndetit Publik», që është vënë për konsultim publik.

---«E papenduar znj.Vúltepsi vazhdon pashpresë e vetme të mbrojë mbylljen e dhunshme dhe të zezë në ERT", u përgjigj ministri i Shtetit, Nikos Pappas në deklaratën e deputetes së Demokracisë së Re, Sofia Vúltepsi se «procedura fast track e ministrit të Shtetit të ftesës së interesimit për emërimin e bordit të ri të ERT-it është çertifikata e vdekjes së televizionit.

---Deri në datë 31 tetor 2015 do të jetë në fuqi orari veror për energjinë elektrike të natës e DEH-së nga ora 23:00 në mbrëmje e deri në orën 07:00 në mëngjes.

--- Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, të dielën do të shfaqet dokumentari "Oppression", në lidhje me (mos) lirinë e gazetarisë në vitet e krizës, në Unionin e Redaktorëve të Gazetave të Përditshme të Athinës (ESHEA).

Shfaqja do të jepet në sallën e konferencave të ESHEA "Giánnis Karánxas", në orën 19:00 të pasdites. Hyrja është e lirë.

Shqipëria
---Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Kukësi se plagët e hapura nga keqqeverisja e vendit për mbi 20 vite nuk mund të mbyllen brenda 18 muajve, por ai siguroi se kurimi ka filluar. 

Kreu i qeverisë mbërriti të shtunën në Kukës, ku fillimisht vizitoi spitalin rajonal të këtij qarku e më pas shpërndau rreth 388 leje legalizimi për qytetarët. Duke folur për spitalin rajonal, Kryeministri Rama tha se brenda pak kohësh është bërë një transformim i madh. 

Kryeministri Rama informoi se falë futjes së telemjekësisë, është ulur me 70 % numri i pacientëve për të bërë një konsultë në Tiranë, duke iu kursyer atyre shpenzime të panevojshme.

Rama u ndal edhe te përfitimet që qytetarët do të kenë nga reforma e re territoriale. “Ju siguroj se me reformën administrative-territoriale dhe mënyrën si është organizuar qeverisja e vendit, do të shikoni ndryshime që nuk do t’i kishit parë nëse do të mbeteshim pre e fragmentarizimit të territorit”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri shpjegoi edhe përfitimin që do të kishin banorët nga legalizimi i banesave të tyre. “Duke legalizuar shtëpitë, qytetarët kanë garanci për të marrë kredi, duke bërë të mundur jo vetëm përmirësimin e ekonomive familjare, por edhe asaj kombëtare”, tha ai./a.gjonaj/ /a.ke/

---Parku në pjesën e pasme të Kryeministrisë u shndërrua mbrëmjen e së premtes, për të parën herë, në një skenë të madhe të këngës. 

Kryeministria mikpriti një kërkesë të ardhur nga këngëtarja Rona Nishliu për të prezantuar, albumin e saj të ri dhe kjo hapësirë u vu në dispozicion të publikut.

Nishliu dhe kuarteti i saj pati një performancë mbresëlënëse për qindra të rinj dhe admirues të saj, të këngëve nga albumi i ri “Motivet tona”, një risjellje e këngëve të vjetra shqiptare të përshtatura për ritmin xhaz. Njëri prej tyre ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda.

Prej mëse mbi një vit, ambiente të ndryshme të Kryeministrisë dhe parku i saj, me ide të Kryeministrit Rama janë kthyer edhe në hapësira në dispozicion të publikut. Ato janë bërë shpesh vendi i ekspozitave dhe promovimeve.

“Sonte unë jam në rolin e kryekamerierit. Ndoshta ndonjërit prej jush i kujtohet që patëm një ide vjet për të organizuar këtu, në këtë hapësirë të re, të gjelbër dhe publike, finalen e kampionatit botëror, nuk na la shiu. Pastaj për këtë rikthim në këtë fushë u bë shkak një finaliste e kampionatit Europian, Rona Nishliu, të cilën e përshëndes dhe i uroj mirëseardhjen. U bë shkak sepse më bëri një kërkesë, që albumin e saj të ri kishte dëshirë ta prezantonte në Tiranë dhe mundësisht ta prezantonte në këtë hapësirë. Për mua ishte privilegj, për ne të gjithë është privilegj. Është momenti tani për të thënë se kjo hapësirë u çel për publikun dhe do të vazhdojë të jetë në dispozicion të publikut, në dispozicion të artistëve të tifozëve, në dispozicion të çdokujt që do të ketë një ide për ta marrë kuptohet pa qera”, u shpreh Kryeministri në përshëndetjen e tij si mikpritës i këtij eventi. /k.m/

---Edhe Cineplexx Tirana, kinemaja më e re në kryeqytet (pranë qëndrës TEG) do të shfaqi për publikun e saj gjatë muajit maj, plot 6 filma premierë.

Maji në Cineplexx, do të nis në datën 7, datë kjo në të cilën do të shfaqen edhe filmat si  drama me titull “Child 44”, dhe komedia “Hot Pursuit”.

Të apasionuarit e aventurës dhe aksionit, do të kenë mundësinë që të ndjekin në datën 14 maj, filmin me titull “Mad Max: Fury Road”.

Data 21 maj në Cineplexx, do të ftojë një publik disi të veçantë në premierat e 2 filmave si ai i titulluar Poltergeist(film i zhanerit horror), dhe ai fantazi me titull “Tomorrowland”.

Maji në Cineplexx do të mbyllet me aksionin-aventurë, filmin e quajtur “San Andreas”./k.m/ /a.g/

Bota
---Presidenti amerikan, Barack Obama dënoi dje sulmet kundër lirisë së shtypit në mbarë botën, duke pritur tre gazetarë me origjinë nga vende që limitojnë ashpër këtë përbërës vendimtar të demokracisë, Etiopia, Vietnami dhe Rusia.

“Në shumë vende në mbarë botën, shtypi i lirë është sulmuar nga qeveritë që dëshirojnë të fshehin të vërtetën apo që nuk besojnë tek qytetarët për të vendosur për veten e tyre”, deklaroi Obama në pranin e blogerit vietnamez, Dieu Cay, gazetares ruse, Fatima Tlisova dhe gazetares etiopiane, Lily Mengesha.

“Gazetarët janë persekutuar, madje shpeshherë dhe vrarë, titujt e pavarur janë mbyllur, disidentët po heshtin dhe liria e fjalës së lirë është mbytur”, shtoi ai duke përshëndetur kurajon e të ftuarve, të cilët kanë gjetur strehim në SHBA.

Në afrim të ditës botërore të lirisë së shtypit, Obama përshëndeti rolin e gazetarëve që i japin një zë atyre që nuk e kanë, që publikojnë padrejtësitë dhe detyrojnë drejtuesit ashtu si dhe mua të japin llogari./ec/

---Vijon beteja për vënien e drejtësisë ne Baltimore.

Prokuroria ka ngritur padi penale kundër të gjashtë policëve të pezulluar pas vdekjes së një personi me ngjyrë në paraburgim. Njoftimi vjen gati dy javë pasi Freddie Gray, 25 vjeç, ka pësuar dëmtim fatal të kurrizit. Vdekja e tij ka shkaktuar protesta në Baltimorë dhe qytete të tjera të SHBA-së.

Prokurorja e Baltimores,  ka thënë se "vdekja e Grayt ka qenë vrasje".
Ajo ka thënë se arrestimi i tij ka qenë i paligjshëm dhe se trajtimi i tij në paraburgim ka arritur në vrasje.

Gray ka vdekur më 19 prill pas arrestimit një javë më parë.

---Qeveria nepaleze përjashtoi sot çdo mundësi për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë një javë pas tërmetit që ka shkaktuar 6.621 të vdekur, sipas një bilanci të fundit zyrtar.

“Një javë ka kaluar që prej tragjedisë më të rëndë. Ne kemi bërë të pamundurën përsa i përket operacioneve të shpëtimit dhe ndihmës, por tashmë besoj se nuk ekziston asnjë mundësi për të gjetur të mbijetuar nën gërmadha”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Laxmi Prasad Dhakal.

Sipas tij, bilanci ka arritur në 6.621 të vdekur dhe 14.023 të plagosur.

Dje, e dërguara e BE në Nepal, Rensje Teerink deklaroi se autoritetet nuk kishin asnjë dijeni për vendndodhjen e rreth një mijë shtetasve evropianë.

”Bilanci i viktimave të tragjedisë mund të rritet teksa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në rajone të ndryshme të vendit, si Dhading, Rasua”, deklaroi një zyrtar lokal./ec/

---Të paktën 52 civilë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore të koalicionit anti-xhihadist në një fshat në veri të Sirisë, konfirmoi të shtunën Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).

“Sulmet e koalicionit të kryera sot në orët e para të mëngjesit në fshatin e Birmhales, në provincën e Alepos ka shkaktuar 52 të vdekur”, theksoi drejtori i OSDH-së, Rami Abdel Rahmane. Mes viktimave ndodheshin 7 fëmijë, ndërkohë që 13 persona rezultojnë të zhdukur, nën gërmadha”, shtoi ai./ec/

---Në kryeqytetin Kabul në Afganistan  ka filluar procesi gjyqësor kundë të dyshuarve për vrasjen e një femre afgane, më 19 mars të këtij viti. 

Në këtë proces, që po transmetohet në televizion, janë 49 vetë të dyshuar, përfshirë edhe disa policë, lidhur me vrasjen brutale nga turma e meshkujve, të vajzës 27 vjeçare.

Ky incident i rëndë ka shkaktuar protesta të çdoditshme dhe lëvzije të shoqërisë civile për ta kufizuar autoritetin e klerikëve dhe për t'i mbrojtur të drejtat e grave në Afganistan.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik për të Dielën, 3 Maj parashikon se retë e pakta që gjatë ditës do të jenë më të dendura në mesditë dhe pasdite në rajonet veriore do të karakterizojnë skenën e motit. Era do të fryjë mesatare në drejtime të ndryshme nga 3 deri në 4 ballë dhe në mëngjes në rajonet jugore në drejtimin perëndim - veriperëndim nga 5 deri në 6 ballë, ndërsa temperatura nuk do të shënojë ndryshim të dukshëm. 

Në Attikë, moti do të karakterizohet nga retë e pakta. Era do të fryjë mesatare në fillim në drejtimin veri - veriperëndim nga 4 deri në 5 ballë dhe nga mesdita në drejtimin jugor deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 13 deri në 27 gradë Celsius.

Në Selanik, skena e motit do të karakterizohet nga re të pakta. Era do të fryjë mesatare në drejtimin veriperëndim 4 deri në 5 ballë dhe nga mesdita në drejtimin jugor deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 12 deri në 24 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54