Το Δελτίο Ειδήσεων στα αλβανικα 11/06/2014
11 qershor 2013 – 11 qershor 2014 një vit nga mbyllja e ERT-it
Një vit mbushet sot, 11 qershor nga mbyllja fashiste e
Radiotelevizionit publik grek nga qeveria, duke lënë në rrugë brenda
një nate 2.656 punonjës.
Të mërkurën, në orën 12:30 në drekë u organizua një tubim në sheshin
Klafthmonos, me pjesmarrjen e sindikatave dhe marshim drejt ministrisë
së Financave.
Gjithashtu, në orën 19:00 pasdite organizohet një tubim jashtë
ndërtesës së ERT-it, në Agia Paraskevi.
Gjithashtu, në kuadrin e aktiviteteve për përvjetorin e mbylljes së
ERT-it, në të gjitha radiot lokale ERA organizohen aktivitete tre dhe
katër ditore nga punonjësit dhe të solidarizuarit e ERT-it të lirë e
të vetë menaxhuar, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve, për të
festuar përpjekjen e përbashkët një vjeçare dhe për të deklaruar: Të
hapet përsëri ERT-i, të ruhet dhe në të ardhmen karakteri i tij i lirë
dhe i vetë menaxhuar dhe të vazhdojmë deri në fitoren përfundimtare.
Paralelisht, jashtë ambasadave greke në vendet evropiane do të
zhvillohen protesta.
Raporti i FMN-së katapultë për Greqinë
Pothuajse në të njëjtën kohë me betimin e ministrave të rinj është
publikuar raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Greqinë - një
katapultë e vërtetë për qeverinë dhe për ato që predikonte në fushatën
e zgjedhjeve të fundit.
FMN-ja thekson në raportin e saj se lodhja në përshtatjen e programit
tani është e qartë dhe se sa programi përparon, angazhimi politik
testohet seriozisht. Kështu, kërkon përshpejtimin e ndryshimeve në
tregun e punës, me lirimin e shkurtimeve masive të punonjësve nga
puna. Fondi Monetar Ndërkombëtar njofton gjithashtu më shumë shkurtime
në pagën minimale, por dhe të pjekurisë.
«Greqia nuk ka përballë saj vetëm Trojkën. Janë të shumta ato që duhen
bërë. Kemi përpara një maratonë", theksoi edhe ministri i ri i
Financave, Gikas Harduvelis.
Një tjetër vetëvrasje
Një tjetër tragjedi personale në mes të masave të ashpra të reja të
koalicionit qeveritar. Një burrë 60 vjeçar humbi jetën, duke rënë mbi
shinat e trenit elektrik në Omonia, në momentin që treni po afrohej në
stacion.
Nesër vendimi i Gjykatës së Lartë për pastrueset
Të enjten do të njoftohet vendimi i Gjykatës së Lartë për ripunësimin
e pastrueseve, pas kërkesës së ministrisë së Financave për apelimin e
vendimit të shkallës së parë që justifikon pastrueset.
Në grevë nënpunësit e Universitetit Aristoteli të Selanikut
Protesta tre ditore nga sot njoftuan nënpunësit e administratës së
Universitetit Aristoteli të Selanikut.
Ndërkohë, një grevë 24-orëshe dhe tubim proteste për sot ka njoftuar
Federata Panhelenike e administratorëve të Universitetit, për shkak të
ngecjes në çështjen e disponueshmërisë. "Çështja do të zgjidhet
nesër," argumentoi më herët, ministri i ri, Andreas Loverdos.
Tërmet në Karpatho
Një tërmet i fuqishëm me madhësi 5 Richter është regjistruar në orën
06:53, në hapësirën detare në juglindje të Karpathos.
Sipas Institutit Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar, thellësia
qendrore e tërmetit ishte 93 km.
Kërcënohen me mbyllje 89 Qendra të Zbavitjes Krijuese të Fëmijve
Nën kërcënimin e mbylljes janë 89 Qendra të Argëtimit Krijues të
Fëmijëve në të gjithë vendin, pasi në vitin 2013 ka përfunduar
financimi nëpërmjet programeve komunitare ESPA dhe burimet financuese
janë ulur me 50%. Gjithashtu rreth 22% është ulur financimi për
qendrat që strehojnë fëmijët me aftësi të kufizuara.
Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian: Nuk ka prova kundër
Bankës Ndërkombëtare Siriane Islamike
Anulimin e sanksioneve ekonomike, me ngrirjen e kapitaleve në kurriz
të Bankës Ndërkombëtare Siriane Islamike ka vendosur Gjykata e
Përgjithshme e Bashkimit Evropian. Gjykata e mori këtë vendim, për
shkak se Brukseli nuk arriti të ketë dokumente se ka pasur
transaksione të paligjshme nga regjimi sirian nëpërmjet bankës.
Në Irlandë janë hulumtuar Institucionet katolike
Në Irlandë, qeveria urdhëroi krijimin e një komisioni për të hetuar
metodat e institucioneve katolike që strehonin nëna të pamartuara, por
edhe zbulimet e tmerrshme për eksperimente dhe vrasje të fëmijëve të
vegjël për dekada të tëra.
Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon mot të ngrohtë me vransira
të pakta në të gjithë vendin. Në drekë, shira dhe stuhi do të shënohen
në Greqinë Veriore dhe ka mundësi edhe në rajonet kontinentale e në
Kretë. Vonë në mbrëmje do të ketë stuhi sporadike në Egjeun
Veri-lindor, Halkidiki, Sporades, në Thesalinë Lindore dhe në Evia.
Temperatura maksimale në Athinë dhe në Selanik do të jetë në 34ºC.