Lajmet në gjuhën shqipe 12/12/2014

---Një vizitë dy-ditore në Greqi do të mbajë Komisioneri i Ekonomisë, Pierre Moscovici të hënën dhe të martën. Do të takohet me kryeministrin Antoni Samara, ministrin e Financave Gjika Hardoúveli, guvernatorin e Bankës së Greqisë, Gianni Stournára dhe do të japë një konferencë për shtyp. Është e hapur mundësia për t'u takuar me liderin e SYRIZA, Aleksis Tsipras.

---Zhvillimet e fundit politike në Greqi zvogëlojnë besimin e investitorëve dhe rrisin rreziqet e likuiditetit dhe të financimit për vendin, vë në dukje në analizën e saj Agjencia e Vlerësimit të Kreditit Moody's. 
Lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, agjencia beson se gjetja e 25 deputetëve shtesë nga Grekët e Pavarur dhe e Majta Demokratike do të jetë një "ushtrim" i vështirë.

---«Duke kuptuar se i ka ardhur fundi çdo ditë do të alarmojë me paturpësi. E vërteta është se qeveria dhe z.Samaras përfaqësojnë kaosin dhe minojnë vendin», është përgjigja e menjëhershme që SYRIZA i dha zëdhënëses së qeverisë Sofia Voúltepsi, e cila në kanalin privat SKAI tha se «në bazë të atyre që na thotë SYRIZA, është e siguritë që shkojmë në një katastrofë, në qoftë se nuk zgjidhet Presidenti i Republikës me këtë Parlament». 

---Qeveria greke dënoi atentatin terrorist me kalashnikov të kryer sot në mëngjes kundër ambasadës së Izraelit në Athinë në një lagje në veri të kryeqytetit, që nuk ka shkaktuar viktima.
“Çdo goditje terroriste cënon demokracinë dhe vendin”, theksoi zëdhënësja e qeverisë, Sophia Voultepsi, cituar në një komunikatë zyrtare.
Të shtëna me armë zjarri ndodhën sot kundër ambasadës së Izraelit në Athinë, pa shkaktuar viktima, njoftoi policia lokale.
Zjarri u hap me një armë tip Kalashnikov nga dy persona që ndodheshin në një motor, të cilët kaluan para ambasadës që ndodhet në një rrugë shumë të frekuentuar. Dy persona të tjerë në një motoçikletë tjetër dyshohen për pjesëmarrje në sulm. Incidenti ndodhi dy ditë pas vdekjes së një zyrtari palestinez gjatë një përplasjeje me ushtarët izraelitë në Cisjordani.
Manifestime të shumta janë zhvilluar në Greqi kundër politikës së Izraelit në Cisjordani dhe në Rripin e Gazës.
Sipas vlerësimeve të para të Shërbimit Grek antiterrorist, sulmi kundër ambasadës së Izraelit ka ngjashmëri me sulmet që janë bërë nga grupi i së majtës ekstreme “Luftëtarët Popullorë”, që janë shfaqur vitet e fundit në Greqi.

---Në Prokurorinë e Gjykatës së Parë shkoi të premten kryetari i Grekëve të Pavarur, Pános Kamménos në mënyrë që të takohet me prokurorët, të cilët hetojnë denoncimet për çështjen e primeve të rrezikut (CDS). 
Z.Kamménos është pyetur dhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke përsëritur besimin e tij se vendi shkon në votime.

 ---Të dërgohen në gjyq 32 nga 34 të akuzuarit, ushtarakë dhe biznesmenëve të njohur, për rastin e nëndetëseve gjermane, sugjeron zëvendës Prokurori Publik i Apelit, Efstáthios Vergóni në drejtim të Këshillit të Apelit. Vendimin përfundimtar për atë nëse do të dërgohen apo jo në gjyq të pandehurit, do të marri Këshilli i Apelit, i cili do të miratojë Urdhëresën.

---Kryeson me 3,1% SYRIZA në një sondazh të kompanisë Interview për televizionin «Vergína TV».
Në veçanti, në qëllimi për të votuar, partia kryesore opozitare kryeson me 28,3% kundrejt 25,2% që mbledh Demokracia e Re. Ndjekin KKE me 5,5%, PASOK-u me 4,7%, POTAMI me 4,5% dhe Agimi i Artë me 4,3%. Më poshtë nga 2% janë Grekët e Pavarur (1,7%) dhe DIMAR (0,7%).

---Në zgjidhje duket se shkon çështja e refugjatëve sirianë pas takimeve që kishin përfaqësuesit e tyre me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Ángelo Syrígo dhe kryebashkiakun e Athinës, Giórgo Kamíni.
Refugjatët sirianë i kanë paraqitur z.Syrígo një listë me 603 emra për azil dhe ranë dakord me zotin Kamíni transferimin e 40 personave - me prioritet gratë e fëmijët - në infrastrukturat e Bashkisë.

---Të pafajshëm janë shpallur nga gjykata të 16 të pandehurit që ishin arrestuar pas operacionit të madh të policisë brenda hapësirave të Universitetit Aristoteli në Selanik, pas marshimit në përvjetorin e kryengritjes së Politeknikumit në vitin 2012. 
Të 16 të arrestuarit u liruan nga të gjitha akuzat, pas një gjyqi që zgjati me gjashtë seanca. 

---Shumë probleme nga kushtet e këqia të motit, pothuajse në të gjithë vendin. Në gjendje emergjente është një pjesë e madhe e prefekturës së Evros nga përmbytjet. Të shpallet në gjendjen e jashtëzakonshme dhe Bashkia e O̱raiokástrou kërkon dhe prefekti i Maqedonisë Qendrore.
Shpalljen në një gjendje emergjente të komunave Gallikoú, Kroussón dhe Pikrolímnis kërkon Bashkia e Kilkías nga Prefektura Rajonale.

---Për shkelje të legjislacionit mjedisor të Bashkimit Evropian është dënuar nga Gjykata Evropiane, Greqia për shkak të vendeve të hedhjes së mbeturinave në Kiáto. 
Në vendimin e saj, gjykata thotë se hapësirat e hedhjes së mbeturinave në zonën konkrete funksionon që nga viti 2002. Gjithashtu sipas raportit të autopsisë nuk plotësohen kushtet e funksionimit të vendeve për hedhjen e mbeturinave, duke shkaktuar kështu dëme serioze për mjedisin.

---Një pazar për Krishtlindjet me krijime të punuara në dorë nga punonjësit e ERT-it nga sot 12 dhjetor e deri të hënën, 15 dhjetor, nga ora 12:00 në mesditë deri në orën 21:00, në ERT Open, Mesogeíon 463 në Agía Paraskeví.
Pazari organizohet për të ndihmuar përpjekjen e punonjësve të përjashtuar në mënyrë të paligjshme të ERT-it. Ju presim të gjithëve.

Shqipëri
---Ministri i Jashtem, Ditmir Bushati, mori pjesë sot në takimin e 31-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), që u mbajt në Selanik të Greqisë.
Takimi analizoi zhvillimet më të fundit në rajonin e Detit të Zi dhe zhvillimet kryesore të shënuara gjatë kryesisë gjashtë mujore të Greqisë në këtë organizatë rajonale.
Në fjalën e tij, ministri  Bushati  theksoi angazhimin maksimal të Shqipërisë për bashkëpunim rajonal në të gjithë fushat që përbëjnë interes. “Ushtrimi i njëkohshëm i dy presidencave në nismat rajonale, përkatësisht SEECP dhe A5, si dhe mbyllja disa muaj më parë e presidencës në AII, ilustrojnë më së miri këtë angazhim rajonal të Shqipërisë”, u shpreh ministri.
Ky takim vjen pas takimit të mbajtur në Nju Jork dhe i shërben forcimit të organizatës dhe dimensionit gjeostrategjik rajonal, si dhe promovimit të projekteve të përbashkëta infrastrukturore.

Bota
---Italianët filluan sot një grevë të përgjithshme, me kërkesë të dy konfederatave të mëdha sindikale që do organizojnë manifestime në 54 qytete kundër politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë së Matteo Renzit.
Administratat e shëndetësisë, arsimit dhe transportit dhe të gjithë sektorët  e tjerë do të jenë të prekura, por një shërbim minimal do të jetë i garantuar. Greva është parashikuar nga ora 07:00 GMT deri në orën 15:00 GMT. ”Kjo nuk shkon kështu”, është motoja e kësaj greve të organizuar në sektorin publik dhe privat nga konfederata kryesore italiane CGIL (e majtë) dhe mbështetur nga UIL (e moderuar).
Shënjestra kryesore e nervozizmit sindikal mbetet Jobs Act, reforma për tregun e punës kërkuar nga Renzi për inkurajimin e punësimit.
Ligji i miratuar javën e kaluar, parashikon lehtësimin e largimeve nga puna dhe reduktimin e të drejtave dhe mbrojtjes së punonjësve në vitet e para të kontratës.
Shënjestra e dytë e sindikatave është projektbuxheti 2015, ku masat për rimëkëmbjen ekonomike janë gjykuar të pamjaftueshme.

---Parlamenti portugez miratoi sot një rekomandim, ku i kërkon qeverisë të njohë shtetin palestinez, me vota të maxhorancës dhe një pjesë të opozitës.
Mocioni, i paraqitur bashkarisht nga maxhoranca e qendrës së djathtë në pushtet dhe nga Parita Socialiste, partia kryesore opozitare, propozon njohjen, në koordinim me BE-në, e shtetit palestinez si një shtet i pavarur dhe sovran.
“Ekzekutivi duhet të vazhdojë të promovojë dialogun dhe bashkjetesën paqësore të dy shteteve demokratike”, Izraelit dhe Palestinës, vlerësuan deputetët, duke shtuar se vetëm negociatat mund të garantojnë sigurinë dhe paqen në këtë rajon.
Qeveria portugeze do të zgjedhë momentin e duhur për të njohur shtetin palestinez, reagoi menjëherë ministri portugez i Punëve të Jashtme, Rui Machete, para deputetëve.
Vota e parlamentit portugez vjen në kuadrin e një lëvizje globale në Evropë, një ditë pas një iniciative të ngjashme të Senatit francez, dhoma e dytë e parlamentit francez, dhe disa ditë pas asaj të Asamblesë Kombëtare franceze.
Të mërkurën, deputetët irlandezë kishin miratuar gjithashtu një kërkesë për qeverinë e tyre, që të njohë shtetin palestinez, duke ndjekur parlamentarët britanikë dhe spanjollë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të shtunën 13 dhjetor mot të mirë me diell në rajonet më të shumta të vendit. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior nga 5 deri në 7 ballë në Egje, ndërsa temperatura do të shënojë rritje.
Nga 9 deri në 15 gradë Celsius temperatura në Athinë dhe nga 8 deri në 13 gradë Ceksius në Selanik. 

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 91,8. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54