Lajmet në gjuhën shqipe 15/01/2015

---Varfëria dhe izolimi social kanë goditur më shumë gjatë krizës
Greqinë, Irlandën, Spanjën dhe Hungarinë, sipas një raporti të
Komisionit Europian mbi punësimin dhe zhvillimet sociale në vitin
2014.

---Në mbështetje të kryeministrit Antoni Samara dhe Olli Rehn, i cili
tha: «Greqia është në drejtim të daljes nga programi i shpëtimit me
kushtin se vendi do të zbatojë tani programin e reformave. Shpresoj
vetëm se grekët nuk do e prishin në hapin e fundit me një trazirë
shumë intensive politike».

---Në një intervistë, kryetari i Grekëve të Pavarur, Pános Kamménos
deklaroi për Bashkimin Evropian se «udhëheqja e tij duhet të kuptojë
se Europa e Bashkuar nuk është një kontinent që nuk mund të pushtohet
me forcë, por një bashkim i popujve, të cilët në mënyrë demokratike
bashkërisht vendosin, me parimin e unanimitetit për të ardhmen e tyre.
Është Europa e popujve dhe jo Evropa e bankave».

---Në Rodíni të ishullit të Ródos ka folur sot kryetari i SYRIZA,
Aleksis Tsipras.

---«Partia e parë me diferencë të madhe do të jetë SYRIZA dhe ka të
ngjarë që Partia Komuniste (KKE) të jetë forcë e tretë», ka vlerësuar
sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të
Greqisë, Dimitris Kutsubas, duke deklaruar se "nuk do të ketë zgjedhje
të tjera».

---«Midis Petsálnikos dhe Papadímos, z.Papandréou më kishte telefonuar
dhe më tha se ai do të propozojë mua për Kryeministër dhe këtë e them
për herë të parë», tha sot kryetari i PASOK-ut, Evángelos Venizélos,
duke folur për SKAÏ.

---«Asnjë parti nuk mund të qeverisi vetëm, sepse puna që duhet të
bëhet, dëshiron shumë duar», tha Giórgos Papandréou gjatë fjalimit të
tij në tubimin zgjedhor të Lëvizjes së Demokratëve Socialistë (KIDISO)
në Selanik.

---Në Évro bën një turne sot dhe nesër autobusi i «POTAMIT» i Stávro
Theodoráki, duke përfunduar fushatën e tij zgjedhore në Thrakë.

---Alokimin e përqindjes 50% + 10% e financimit zgjedhor për partitë
politike që e përfitojnë, ka njoftuar ministri i Brendshëm, duke
informuar edhe pezullimin e financimit të Agimit të Artë në bazë të
Ligjit 3023 i vitit 2002 mbi financimin e partive politike.

---Prokurori ka sugjeruar që të refuzohet kërkesa për lirimin që kanë
paraqitur deputetët e paraburgosur të Agimit të Artë dhe liderit të
tyre Níkos Michaloliákos në prag të zgjedhjeve parlamentare.

--- Ndërkohë, në mes të periudhës së zgjedhjeve dhe me shuma të
paqarta që ka të drejtë për të marrë çdo prodhues, Ministria e
Zhvillimit Agrar dhe Ushqimeve njoftoi miratimin e menjëhershëm të
pagesës së dëmshpërblimeve prej 33 milion euro për prodhuesit e
pjeshkave dhe nektarinës në vend, të ardhurat e të cilëve janë ndikuar
nga kundërmasat ruse për embargon e Bashkimit Evropian mbi krizën në
Ukrainë.

---Propaganda e zezë që buron nga kryeministria dhe e riprodhon María
Antoniádou, kryetare e Unionit të gazetarëve të gazetave të përditshme
të Athinës (ESHEA), për gjoja pushtim të ndërtesës së NERIT, në ditën
e zgjedhjeve, denoncon në një komunikatë të saj Federata Kombëtare e
Shoqatave të Personelit të Radio-Televizionit Grek (POSPERT).

Shqipëri
---Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Organizata
Ndërkombëtare e Punës (ILO), në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies
Sociale dhe Rinisë, paraqitën sot në Tiranë konkluzionet e një
projekti dyvjeçar mbi Zhvillimin e Burimeve Njerëzore në Shqipëri.

Synimi dhe fokusi ishin modernizimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës
dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit, si dhe asistenca teknike për
reformën e Arsimit dhe Formimit Profesional, me synim nxitjen e
rritjes së normave të punësimit të punëkërkuesve, por gjithashtu duke
i orientuar dhe përshtatur aftësitë e tyre me nevojat e tregut.
Zhvillimi i burimeve njerzore u mbështet nga BE me një fond prej 3
milionë € (IPA 2010) dhe u zbatua nga ILO në partneritet me Ministrinë
e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit,
Inspektoratin Kombëtar të Punës dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit.
Shefja e Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Romana Vlahutin, Drejtori
Rajonal i ILO-s Vittorio Graziosi, zv/Ministrja e Mirëqenies Sociale
dhe Rinisë, Genta Sula si dhe zyrtarë të institucioneve të tjera
shqiptare të arsimit dhe punës diskutuan gjithashtu për rezultatet e
projektit, si dhe për të ardhmen e tregut shqiptar të punës dhe
reformës së formimit profesional.

---Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, i
Ftuar Nderi në takimin e organizuar të enjten në ambientet e Dhomës
Britanike në Tiranë, referoi mbi punën e kryer dhe përparësitë gjatë
Presidencës së BE-së nga vendi i tij dhe ndikimin në Ballkan.

“Italia është një vend që mbështet integrimin europian të Shqipërisë,
por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë se,
kultura, politika dhe sistemi ekonomik i këtyre vendeve duhet të jenë
pjesë e familjes së madhe europiane”, tha Gaiani.
Duke vënë theksin në faktin se Shqipëria dëshiron integrimin në BE dhe
e sheh atë si një proçes shprese për të ardhmen, ambasadori tha se ”
është detyrë e politikës shqiptare që të njohë më nga afër qytetarët
me proçesin dhe zhvillimin e tij”.
Takimi u fokusua  në situatën e re të krijuar në Bashkimin Europian,
por edhe më gjerë. Rajoni Adriatiko-Jonian konsiderohet shumë
strategjik, pasi ka aftësinë të krijojë bashkëpunime dhe një
bashkërendim të plotë e frutdhënës për të gjithë shtetet e rajonit.

---Shuhet një nga emrat e mëdhenj të kulturës dhe shkencës shqiptare.

Është ndarë nga jeta krejt papritur në moshën 68 vjeçare poeti,
shkrimtari dhe shkencëtari i shquar Betim Muço.
Prej vitit 1997, profesor Betim Muço jetonte në kryeqytetin e SHBA
Uashington D.C. Me ndarjen nga jeta të Betim Muços, Shqipëria ka
humbur një nga intelektualët më të spikatur dhe zë veçantë. Poezia e
Betim Muços është përkthyer në shumë gjuhë të botës, ndërkohë që ai i
ka dhënë shumë shkencës shqiptare.

I lindur ne vitin 1947, Betim Muço mbaroi studimet në fakultetin e
Shkencave të Natyrës në Tiranë. Për shumë vjet ai punoi në Institutin
e Sizmiologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqiperise dhe prej 1993
deri 1997 ka qenë drejtor i këtij Instituti.
Prej vitit 2001 ai ishte drejtuesi i networkut sizmiologjik të
Shqipërisë. Betim Muço prej vitit 1997 jetonte në Uashington DC të
SHBA. Ai është i njohur edhe për krijimtarinë e tij poetike dhe në
letërsi. Një kontribut të rëndësishëm Muço ka dhënë edhe në përkthimin
e letërsisë së huaj. Ai ka botuar më shumë se 25 libra me vëllime
poetike, tregime të shkurtra, novela dhe romane.

Bota
---Një operacion i kryer sot nga policia belge kundër një grupi të
dyshuar terrorist ka shkaktuar disa viktima në Verviers, në lindje të
Belgjikës, njoftoi media belge.

“Një operacion po vazhdon”, theksuan disa burime të afërta me qeverinë.
“Ky operacion po kryhet në kuadër të luftës kundër terrorizmit”,
theksoi një prej tyre. Stacioni publik RTBF njoftoi se kishte tre të
vdekur.

---Parlamenti evropian dënoi të enjten operacionet policore dhe
arrestimet e gazetarëve, të ndodhura në mes të muajit dhjetor në
Turqi, që përbëjnë sipas tij një logjikë të vajtueshme të presionit në
rritje të pushtetit mbi median.

Në një rezolutë të miratuar në Strasburg, deputetët evropianë u
shprehën të shqetësuar nga regresi i reformave demokratike në Turqi
dhe veçanërisht për uljen e tolerancës të qeverisë për manifestimet
publike dhe kritikat ndaj medias, duke përfshirë këtu dhe rrjetet
sociale.
Më 14 dhjetor, policia turke antiterrorizmit arrestoi 27 persona në
Stamboll dhe në disa qytete të vendit.
Shefja e diplomacisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dënoi
këto arrestime, duke i cilësuar si kontradiktore me vlerat evropiane
që Turqia, e cila aspiron t’i bashkohet BE-së, duhet t’i respektojë.
Si përgjigje, Erdogan u kërkoi evropianëve të mos ndërhyjnë në
çështjet e tyre të brendshme.

---Lidhja Arabe njoftoi sot në një takim të jashtëzakonshëm kushtuar
çështjes palestineze se po studjonte mundësinë e krijimit të një force
antiterroriste të ndërhyrjes së shpejtë.

Sipas një deklarate të lexuar nga sekretari i përgjithshëm i Lidhjes
Arabe, Nabil el-Arabi, në takimin e zhvilluar sot në kryeqytetin
egjiptian, Kajro, mundësia e krijimit të një force të ndërhyrjes së
shpejtë kundër terrorizmit është konform të ashtuquajturit Traktati
Arab për Mbrojtjen e Përbashkët, i nënshkruar në vitin 1950.

El-Arabi kërkoi zhvillimin edhe të një takimi tjetër të
jashtëzakonshëm të Këshillit të Mbrojtjes Arabe për të ekzaminuar
mekanizmat e nevojshme për krijimin e kësaj force të ndërhyrjes së
shpejtë si edhe kuadrin juridik.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon mot të mirë për të
premten 16 Janar. Në mëngjes dukshmëria në rajonet perëndimore do të
jetë e kufizuar dhe era do të fryj mesatare në Egje nga 4 deri në 6
ballë.
Në Attikë temperatura minimale do të jetë 4 gradë Celsius dhe
temperatura maksimale 16 gradë Celsius, ndërsa në Selanik temperatura
minimale do të jetë -1 gradë Celsius dhe ajo maksimale 11 gradë
celsius.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 91,8 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54