Lajmet në gjuhën shqipe 16/01/2015

---Mbrojtje për ata që kanë kredi në franga zvicerane kanë njoftuar Demokracia e Re dhe SYRIZA pas zhvlerësimit të djeshëm të monedhës, që sjell në një pozicion të vështirë 70.000 huamarrësit grekë. 
SYRIZA siguron se programi që do të zbatojë, do të përfshijë dhe kreditë në franga zvicerane, ndërsa Demokracia e Re angazhohet për një projekt-ligj që do të rregullonte çështjen.

---Përgjegjësi në Ministrinë e Financave për «goditjen» e huamarrësve, të cilët kanë marrë hua në franga zvicerane ka hedhur kryetari i Grekëve të Pavarur. 
Pános Kamménos që viziton qytetin e Serres filloi turneun e tij në këtë rajon nga radio lokale ERA.

---«Së bashku me popullin grek për të drejtën që të përfundojmë me kursimin!» është slogani i demonstratës që është planifikuar për nesër në Bruksel.

---Konferencë për shtyp në sallën e parlamentit italian kanë dhënë të premten në mëngjes politikanët e majtë italianë, qendra-e majtë dhe intelektualët, për të paraqitur apelin e mbështetjes ndaj SYRIZA-s nën titullin «Nëse ndryshon Greqia, ndryshon Evropa».

---Me 6,9 % paraprin SYRIZA në qëllimin e votimit, sipas një sondazhi për tvxs.

---Një aktivitet - debat i Rinisë së SYRIZA me kryetarin Aleksis Tsipras, rreth qëndrimeve të SYRIZA për rininë është zhvilluar të premten pasdite në Fondacionin «Michális Kakogiánnis».

---Në Athinë mbërriti në pasdite avioni me eshtrat e tre viktimave greke të «Norman Atlantic». 

---Shpenzimet e mjekimit që kanë paguar të siguruarit tek ofruesit e EOPYY-së në periudhën e grevës së tyre (1 deri në 10 dhjetor) do të paguhen nga Organizmi, pasi të kenë paraqitur dokumentet përkatëse në seksionet përkatëse të përfitimeve të Fondacionit.

---Për trajtim çnjerëzor të 14 emigrantëve nga Irani, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Nigeria dhe Kina dënoi Greqinë, Gjykata e të Drejtave të Njeriut.

---Është nënshkruar sot Vendimi Ministror i Përbashkët për rregullimin e kredive me probleme të korporatave, sipas Ligjit 4307/2014 që është miratuar nga Parlamenti vitin e kaluar.

---Një tubim proteste do të bëhet të shtunën në orën 12:00 në mesditë në hyrje të vendit të ndërtimit në Skuries, në zonën Hontró Déntro Megáli Panagiá.

---Ndërpriten itinerarët e metrosë të premten në segmentin Ethnikí Ámyna - Doukíssis Plakentías - Aeroporti nga ora 22:00 në mbrëmje e deri në fund të turnit, për shkak të veprave teknike.

---Rekomandime për qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të oxhakëve në fundjavë bëjnë ministria e Mjedisit dhe ministria e Shëndetsisë, pasi sipas parashikimeve të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, favorizohet akumulimi i ndotjes atmosferike.

---Një tërmet me magnitudë 3,3 gradë e shkallës Rihter goditi sot në orën lokale 08:32 rajonin e Atikës dhe disa lagje të Athinës.

Epiqendra e tërmetit sipas sizmografëve të Institutit Gjeodinamik të Universitetit të Athinës u lokalizua në Marusi, lagje në veri të kryeqytetit grek, ndërkohë që epiqendra kishte një thellësi prej pesë kilometrash.

---«Të gjithë qytetarët e planetit kanë adhuruar të vdekurit. Banda e njohur, jo respekt, por vetëm tallje dhe paturpësi kapër të rezervuar ... dhe ne çuditemi përse u sollën kështu me të gjallët ..». Ky është komenti i Federatës Kombëtare të Shoqatave të Personelit të Radio-Televizionit Grek (POSPERT) dhe gazetarëve të ERT-it për artikullin e blogut «dexí extrém» me titullin «A di ndokush se në çfarë lufte POSPERT-i ka vajtuar për 17 të vdekur?» 

Shqipëri
Figura e një gjeli i cili simbolizon krenari, bishti i të cilit është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit francez dhe lapsa mbi të, të cilat simbolizojnë lirinë e fjalës, është dhurata që piktori shqiptar Helidon Haliti do t’i bëjë kolegëve të tij të revistës “Charlie Hebdos” në shenjë solidarizimi ndaj sulmit terrorist të ndodhur disa ditë më parë:

Ideja për pikturën i ka ardhur teksa dëgjontë edicionet informative, të cilën ditën e hënë do ia dhurojë ambasadës franceze në Tiranë.
Piktura “Gjeli” është frymëzuar në studio gjatë kohës që ai përgatitet për një ekspozitë të madhe, që mendon ta çelë në vitin 2016.
Ndërkohë që në vitin 2012 ai çeli një ekspozitë të përmasave të mëdha në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e cila u prit me admirim, jo vetëm nga vizitorët, por edhe nga mediat dhe kritikët e artit.

---Ansambli i Këngëve dhe Valleve do të zhvillojë koncerte jo vetëm në Tiranë, por po përgatitet edhe për një turne ku do të shfaqet në qytetet kryesore të Shqipërisë, por dhe jashtë vendit.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, do të hap të shtunën skenën pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, për të nisur kështu sezonin e tij të ri artistik. Këngët dhe vallet e të gjitha trevave do të jenë risi në këtë koncert ndërkohë që për të gjithë dashamirësit e folklorit, ansambli del në skenë të shtunën në mbrëmje nga ora 19:00 në kryeqytet.

Ky Ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Në jetën e tij artistike, AKVP-ja ka rreth 100 premiera, me repertor të zgjedhur. Në harkun kohor prej 50 vjetësh, ka rreth 10.000 shfaqje të dhëna në të gjitha skenat e Shqipërisë. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e Ansamblit. Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar.

---“Një mbasdite me Dora D’Istrian” është quajtur aktiviteti i organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar, qe do të zhvillohet ne formën e një takimi shkencor-social më 22 janar 2015 në ambjentet e MHK-së.

Studentë, studiues dhe dashamirës të fushës së letërsisë, historisë dhe etnologjisë, do të bisedojnë për të hedhur dritë mbi aspekte të pazbuluara më parë të figurës së shquar të Rilindjes Kombëtare, Helena Gjika njohur dhe ndryshe si Dora D’Istria.
Nga ana e Muzeut Historik Kombëtar fjalën e rastit do ta mbajnë nëndrejtori, Dorian Koçi dhe Sali Kadria.
MHK thekson se ky lloj aktiviteti do të marre një natyrë të përjavshme, duke përkujtuar çdo javë figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane, që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore shqiptare.
Këto takime të përjavshme do të bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë dhe kulturës kombëtare.

Bota
---Pesë persona u akuzuan snë Belgjikë për pjesëmarrje në aktivitete të një grupi terrorist dhe tre prej tyre janë vendosur në paraburgim, theksoi sot prokuroria federale pas kapjes së një grupi terrorirst, që po përgatitej për kryerjen e atentateve kundër policëve.

Një prej tre personave të vendosur në paraburgim është xhihadist i dyshuar, që i mbijetoi sulmit të ndërmarrë dje në mbrëmje nga policia në Verviers, në lindje të vendit, theksoi zëdhënësi i prokurorisë federale, Eric Van der Sijpt duke refuzuar të zbulonte identitetin e tyre. Dy persona të tjerë të akuzuar u liruan me kusht.

---Një person që mbante peng dy persona që prej mesditës në një zyrë postare në Colombes, pranë Parisit, u arrestua dhe pengjet e tij u liruan në gjendje të mirë shëndetësore, bënë të ditur burime policore.

”Dy pengjet nuk janë plagosur”, sipas këtyre burimeve. Nuk ka pasur sulm, pengjet kanë dalë të tronditur, por jo të plagosur”, shtoi i njëjti burim.
Forca të shumta policie u vendosën në vendngjarje.
Pengmarrësi është i njohur për policinë si kriminel i rëndomtë dhe hetuesit kanë hedhur poshtë çdo lidhje me sulmet xhihadiste kundër Charlie Hebdo dhe një supermarketi hebre, ku si pasojë humbën jetën 17 persona javën e kaluar në Paris.

---Lindja separatiste proruse në Ukrainë po zhytet në dhunë me 11 të vdekur të tjerë në 24 orë, ndërkohë që asnjë datë nuk është vendosur për një takim të grupit të ngarkuar për negociatat e paqes.

Rritja e dhunës në lindje të Ukrainës ka qenë tema kryesore e një bisede telefonike mes presidentit ukrainas, Petro Poroshenko dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
”Dy krerët e shteteve janë shrehur në mbështetje të një qetësimi të situatës dhe ndërprerjes së menjëhershme të sulmeve të rebelëve dhe u bënë thirrje të gjitha palëve, të bëjnë përpjekje për të shmangur një përkeqësim të konfliktit”, theksoi presidenca ukrainase në një komunikatë.
”Dy zyrtarët nënvizuan nevojën për të organizuar sa më shpejt të jetë e mundur një takim të grupit të kontaktit tripalësh ngarkuar me negociatat për paqe”, sipas të njëjtit burim.
Ky grup, përbërë nga përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe OSBE-së dhe që shërben si ndërmjetësues me rebelët, u mblodh për herë të fundit në Minsk më 24 dhjetor, por data për një takim tjetër ende nuk dihet.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon në përgjithësi mot të mirë të shtunën 17 Janar dhe dukshmëri të kufizuar në rajonet kontinentale në mëngjes.
Në Attikë temperatura minimale do të jetë 5 gradë Celsius dhe temperatura maksimale 15 gradë Celsius, ndërsa në Selanik temperatura minimale do të jetë 0 gradë Celsius dhe ajo maksimale 12 gradë celsius. 

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 91,8 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54