Lajmet në gjuhën shqipe 23/01/2015

---Populli grek është përpara një takimi kritik, historik, tha
kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras, gjatë konferencës për shtyp dhe
e ka vendosur arritjen e një qeverie të fortë të SYRIZA-s si një
qëllim dhe sfidë të zgjedhjeve.
«Jemi një hap përpara shumicës absolute në parlament, e kemi nevojë që
të kemi duart tona të zgjidhura ditën tjetër», tha ai në mënyrë
karakteristike. Në të njëjtën kohë drejtoi thirrje për votuesit e
pavendosur, duke theksuar se i drejtohet të gjithë atyre «pavarsisht
nëse ata kanë luhatje dhe dyshime, nëse janë gjendur përsëri në
votimet me të Majtën».
Z.Tsipras shprehu besimin se deri në muajin korrik do të arrihet një
zgjidhje me përfitim të ndërsjelltë me partnerët evropianë dhe theksoi
se Presidenti i BQE-së, me njoftimet e djeshme të tij ka thyer
shantazhet për mundësitë e vogla për negociata, që do të ketë qeveria
e re greke. Së fundi, ai ripërsëriti se ne do të respektojmë dhe do të
zbatojmë angazhimet që rrjedhin nga pjesëmarrja jonë në kontekstin
evropian, por jo nënshkrimet e qeverive të mëparshme që shkatërrojnë
vendin.
Kryetari i SYRIZA e mbylli fushatën e tij me mitingun e madh në
qytetin e Iraklios në Kretë.

---Ndërtesën e POSPERT-it dhe ERT OPEN kanë vizituar sot shërbimet e
mediave private dhe publike të Evropës dhe në mënyrë të veçantë nga
vendet e Jugut, për të mbuluar me reportazhet e tyre përpjekjen e
paparë të vetëdrejtimit të ERT-it nga punonjësit dhe vullnetarët në
periudhën nga mbyllja e ERT-it e deri sot.

Në mënyrë të veçantë na kanë vizituar media private SIC Noticias nga
Lisbona e  Portugalisë, televizioni RAI nga Italia dhe shërbimi
televiziv i Podemos nga Spanja.
Delegacioni i Podemos na përcolli mesazhin e kreut të partisë Pablo
Iglesias për punonjësit luftëtarë të ERT-it, se situata do të
ndryshojë të hënën në Greqi dhe në të gjithë Evropën, duhet të
shpresojmë.

---Siç tregojnë të gjitha sondazhet e fundit, SYRIZA kryeson dy ditë
përpara zgjedhjeve historike të ditës së Dielë.
Partia më e madhe e opozitës kryeson me 8% sipas sondazhit të
kompanisë Prorata, 10% sipas sondazhit të kompanisë Palmos Analysis
dhe 5% sipas kompanisë Public Issue, ndërsa përparësi 6% dhe 6,2% për
SYRIZA japin sondazhet e kompanive GPO dhe Marc.
Ndërkohë, si «shpresë për ndryshim në Evropë» shikojnë një fitore
elektorale të SYRIZA-s, anëtarë të partive të së Majtës franceze, të
cilët kanë ardhur në Athinë për të mbështetur fushatën zgjedhore të
saj.

---Një zhvillim të rëndësishëm karakterizoi vendimin e Bankës Qendrore
Evropiane për lehtësi sasiore, Kryeministri Antonis Samaras sot në
kanalin privat ANT1 dhe paralajmëroi se nqse nuk respektohen kushtet e
vendosura, vendi rrezikon të mbajë çadër, në kohën që në Evropë bie
shi zhvillimi.
Të premten pasdite, Antonis Samaras mbylli fushatën e tij elektorale
në Stadiumin e mbyllur në Faliro (Tae Kwon Do).

---Banka Qendrore Europiane (BQE) mori vendimin historik për të
filluar në muajin mars një program shumë të madh për blerjen e bondeve
shtetërore dhe private, me vlerë 60 miliardë euro çdo muaj deri në
shtator 2016.

Vlera totale e programit arrin në 1,1 trilionë euro dhe ka për qëllim
të mbështesë ekonominë problematike të eurozonës. Gjithsesi,
presidenti i BQE-së, Mario Draghi theksoi se banka me politikën e saj
numizmatike mundet vetëm të krijojë bazat për zhvillimin duke shtuar
likuiditetet e bankave.
Blerjet e bondeve kanë të bëjnë me titujt që përmbajnë vlerësim
investues (investment rating), ndërsa për bondet greke dhe qipriote që
nuk e përmbajnë këtë vlerësim blerjet do të realizohen përderisa këto
vende gjenden të përfshira në një program dhe përderisa përmbushin
disa kritere shtesë.
”Blerjet e titujve grekë nuk mund të fillojnë para korrikut sepse,
BQE, që posedon faktikisht bonde greke, nuk mund të blejë më shumë se
33 për qind të bondeve të një vendi dhe rrjedhimisht do të duhet të
shlyhen më parë bondet që maturohen në verë”, deklaroi Draghi./ a.jor.

---Nevojën që të jepen stimuj të veçantë për forcimin e turizmit ka
vënë në dukje nga ishulli i Rodhos, kryetari i Grekëve të Pavarur,
Panos Kammenos. Siç tha z.Kammenos, prioritet i Grekëve të Pavarur
është rënia e TVSH-së në 5% për të gjitha produktet e turizmit dhe
krijimi i zonave pa taksa në Greqinë ishullore dhe në zonat kufitare.

---Për shërbimin më të mirë të qytetarëve në ushtrimin e të drejtës së
votimit, Zyrat e  pasaportave do të jenë të hapura të shtunën nga ora
08:00 - 18:00 dhe të dielën nga ora 07:00 - 19:00.

---Vlerësimi i parë i rezultateve të procesit zgjedhor pritet në orën
21:30 në mbrëmjen e së dielës, sipas deklaratës së kryetarit të
Singural Logic.
Shënojmë se votuesit mund të kërkojnë zonën e tyre elektorale në
telefonin me numër 213-1361500 ose në formën speciale në internet Mëso
se ku voton.

---Një person tjetër ka humbur jetën sot nga virusi i gripit, duke e
çuar në 14 numrin e të vdekurve në vendin tonë. Sipas KEELPNO, 27
pacientë të tjerë kurohen në spitalet greke.

---Vdiq në moshën 45 vjeç, gazetarja Katerina Gjikas, nga sëmundja e
kancerit. Varrimi i saj do të bëhet të shtunën në Kestríni të
Igoumenítsës.

Shqipëri
---Ambasadori i Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, Najeeb
Abdulrahman Al-Bader, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të
kompanisë së sapoformuar “Albanian Airways”, një kompani e zotëruar
nga investitorë kuvajtian dhe që pritet të fillojë punën e saj në
fillim të hapjes së sezonit turistik në Shqipëri.

Ceremonia u organizua nga “Albanian Airways” në prani të zyrtarëve të
ndryshëm shtetërorë, krerëve të misioneve diplomatike dhe
biznesmenëve.
Ambasadori i Kuvajtit, Al-Bader, mbajti një fjalim në të cilën ai
shprehu lumturinë e tij në marrjen pjesë në hapjen e rrugëve të para
të drejtpërdrejta ajrore në drejtim të disa kryeqyteteve, duke
përfshirë edhe Kuvajtin, që padyshim do të kontribuojë në forcimin e
mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe që tashmë
ekzistojnë mes dy vendeve, sikurse pasqyrohet edhe nga hapja e linjës
ajrore të drejtpërdrejtë mes dy vendeve.
Përveç rrugës së drejtpërdrejtë, Tiranë-Kuvajt, “Albanian Airways” do
të ofrojnë destinacione të tjera të drejtpërdrejta në Evropë të tilla
si Parisi, Londra, Brukseli, Zyrihu dhe qytetet e Italisë.

---Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të kremtohet
të shtunën në mbrëmje ora 19:00 festa e përgatitur me rastin e
80-vjetorit të artistit të madh Gaqo Çako.

Për të dëshmuar aktivitetin e pasur artistik të Gaqo Çakos, do të
organizohet fillimisht një ekspozitë në hollin kryesor të TKOB.

Tenori i madh, Artist i Popullit është një nga yjet e skenës
operistike shqiptare dhe asaj europiane dhe TKOB, pikërisht për këtë
arsye ka organizuar këtë koncert festiv në këtë përvjetor të
rëndësishëm, në të njëjtën skenë ku ai ka përçuar aq shumë emocione
për publikun shqiptar.
Koncerti- spektakël që do të vendoset në skenë për nder të tij do të
përmbajë pjesë nga operat që janë pjesë e repertorit të tij, ku
gjithashtu do të interpretojnë edhe solistët e TKOB-së, kori dhe
orkestra simfonike.
Në regjinë e Nikolin Gurakuqit, dirigjent kori, Dritan Lumshi dhe
dirigjent Edmond Doko, do të zhvillohet një mbrëmje artistike e pasur
në program, përgjatë së cilës TKOB bën me dije se nuk do të mungojnë
edhe surprizat, ku njëra prej tyre do të jetë edhe një performancë nga
vetë Gaqo Çako, shoqëruar nga i biri Pirro Çako dhe tenori Kastriot
Tusha.

---Një aktivitet në fundjavë nga  nisma “Mbill Pemën Tënde” dhe
Ecovolis, është iniciativa më e re e një grupi të rinjsh nga Tirana.

“Harrojmë të përditshmen e mërzitshme kafeneve të stërmbushura të
qytetit, dalim në natyrë dhe “japim një dorë” në mbjelljen e 1.000
fidanëve”, është motoja e tyre.
Me vetëm 100 lekë për një fidan, të gjithë bashkë, mund të kryejmë një
gjest jo vetëm simbolik, por t’i japim edhe një përgjigje konkrete
ndotjes së qytetit tonë nga tymrat e landfillit, mbështesin të gjithë.
“Ku duam të jetojmë? Duam vërtet të heqim dorë nga gjelbërimi e nga
natyra? Ku do të jetojnë fëmijët tanë”?
Të shtunën e fundit të janarit heqim dorë nga njëra prej kafeve te
ditës, e i themi po mjedisit, natyrës, shëndetit e ajrit të pastër,
përmbyllin këmbënguljen e tyre këta të rinj. /a.ke/

Bota
---Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdulaziz vdiq sot në moshën
91-vjeçare, njoftoi televizioni shtetëror saudit.

Mbreti do të varroset pas faljes së mesditës në Riad. Abdullah bin
Abdulaziz ishte i shtruar në spital prej disa javësh pas një
infeksioni në mushkëri.
Televizioni shtetëror saudit shtoi se vëllai i tij, Salman, 79 vjeç,
do të jetë mbreti i ri i vendit të pasur me naftë./ a.jor.

---Grupi i parë i një vaksine eksperimentale kundër sëmundjes Ebola,
po dërgohet për në Liberi.

Dërgesa është ilaqi i parë, potencialisht parandalues, që pritet të
arrijë në njërin nga vendet më të goditura. Vaksina është prodhuar nga
kompania britanike GlaxoSmithKline dhe nga Instituti Amerikan i
Shëndetësisë.
Vaksina vjen në kohën kur sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë,
kriza e Ebolës ka shënuar pikë kthese.
Sipas saj, vetëm tetë raste të reja janë shënuar javën e kaluar në
Liberi, nga kulmi i shtatorit, kur janë regjistruar 500 raste në javë.
Në Guine dhe Siera Leone ka pasur po ashtu rënie të rasteve.

---Monedha Euro ka rënë në nivelin e saj më të ulët kundrejt dollarit
amerikan në 11 vitet e fundit.

Gjatë ditës së enjte, një euro është shënuar të jetë e barasvlefshme
me më pak se 1.13 dollarë. Lajmi për rënien e monedhës është bërë me
dije në ditën kur Banka Qendrore Evropiane ka njoftuar se do të derdhë
miliarda euro në ekonominë e rënduar të Eurozonës.
Ky institucion ka thënë do të blejë letra me vlerë, prej 60 miliardë
eurosh në muaj, deri në fund të shtatorit 2016.
Blerja e letrave me vlerë do të çojë në shtypjen e 1 trilion eurove.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të shtunën 24 janar
shira dhe stuhi - lokalisht të fuqishme- në rajonet perëndimore,
ishujt e Egjeut verior dhe lindor dhe në Dodekanez. Dëborë do të bjerë
në zonat malore si dhe në zonat kodrinore të Maqedonisë Perëndimore
dhe Epirit.
Në Attikë do të ketë vransira dhe shira të përkohshme dhe në pasdite
do të ketë dhe stuhi sporadike. Temperatura minimale do të jetë 8
gradë Celsius dhe temperatura maksimale 16 gradë Celsius.
Edhe në Selanik do të kemi një skenë të njëjtë të motit, ku
temperatura minimale do të jetë 7 gradë Celsius dhe temperatura
maksimale 13 gradë Celsius.

---Rikujtojmë se në Attikë, në lagjet e pjesës jugore të saj dhe në
pjesën tjetër të Athinës transmetohet programi i vetë-menaxhuar i
ERT-3, që tashmë mund të shikohet dhe me sinjal dixhital në frekuencat
34 dhe 58 në Attikë. ERT-3 aktualisht mbulon 68% të vendit. Sinjali i
saj transmetohet dhe në Réthymno, Haniá, Pátra, Thessalía dhe Lamía.
Transmetimi satelitor transmetohet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 91,8 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54