Lajmet në gjuhën shqipe 09/02/2015

---Takim me kancelarin e Austrisë Werner Faymann kishte sot në Vjenë,
kryeministri Aleksi Tsipra i ftuar nga kancelari, në kuadër të
kontakteve të z.Tsipra për Këshillin Evropian.

Në deklaratat e tyre pas takimit, lideri austriak tha se qëllimi është
një, të mbetet Greqia në Eurozonë dhe kjo do të thotë se duhet të
gjejmë zgjidhje të pranueshme të përbashkëta.

Nga ana e tij, kryeministri grek shprehu optimizmin për një
marrëveshje në dobi të përbashkët me partnerët.

---Kemi një plan realist, kemi një strategji negociouese dhe më
kryesorja, nuk kemi asnjë angazhim tjetër përveç se t’i shërbejmë
interesit kombëtar, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Tsipras, nga
tribuna e parlamentit gjatë paraqitjes së programit të qeverisë.

Kryeministri vuri në dukje se vendim i parevokueshëm i qeverisë është
që të respektojë dhe të zbatojë në tërësi angazhimet elektorale.

"Ky angazhim është aksi i panegociueshëm i politikës tonë. Është
çështje nderi, kredibiliteti dhe respekti të demokracisë", theksoi ai.

Duke detajuar akset e politikës që do të zbatojë qeveria e tij,
z.Tsipras tha se “rifitimi i sovranitetit popullor të vendit,
rehabilitimi i rolit të barabartë brenda kuadrit institucional të
BE-së, përballimi i krizës humanitare, rivendosja e dinjitetit të
popullit, drejtësia sociale dhe rilindja kulturore e Greqisë, janë
objektivat bazë të qeverisë së shpëtimit social që krijuam menjëherë
pas zgjedhjeve”.

Aleksis Tsipras paralajmëroi për përballimin e krizës humanitare që
shkaktuan memorandumet, zbatimi i të cilave do të fillojë të mërkurën.

Kryeministri dërgoi një mesazh ndaj partnerëve, duke theksuar se
qeveria e tij do të respektojë konventat evropiane, por jo masat
shtrënguese dhe shtoi se disponon një plan konkret, me propozime
realiste që do të çojnë vendin drejt rimëkëmbjes.

“Nuk kemi për qëllim që të kërcënojmë asnjë ekuilibër në Evropë.
Respektojmë Paktin e Stabilitetit, por jo masat shtrënguese. Konventat
evropiane nuk përmbajnë shtrëngesa dhe memorandume. Qeveria nuk ka të
drejtën që të kërkojë zgjatjen e memorandumit dhe shtesën e masave
shtrënguese. Nuk ka të drejtën që të kërkojë zgjatjen e një programi,
i cili u refuzua nga populli grek”, nënvizoi ai. Zotime të tjera janë
rritja graduale e pagës minimale në 751 euro deri në vitin 2016 dhe
bonuse për pensionistët, rikthimin e punonjësve të pushuar ilegalisht,
dhe krijmi i një televizioni të ri kombëtar. Kryeministri paralajmëroi
gjithashtu edhe krijimin e një komisioni hetimor që të shqyrtohet sesi
arriti vendi deri këtu.

Z.Tsipras shpalli vendosjen e limitit të të ardhurave të patatueshme
në 12.000 euro, heqjen e taksës ENFIA brenda 2015-ës dhe zëvendësimin
e saj me taksën mbi pasurinë e madhe të patundshme.

Kryeministri grek ka premtuar në Parlament nënshtetësinë për fëmijët e
emigrantëve që kanë lindur në Greqi. Duke folur gjatë prezantimit të
prioriteteve të qeverisë së tij, tha se do të votohet menjëherë ligji
për brezin e dytë të emigrantëve.
"Për herë të parë në Greqi, do të ketë një deparatament special që do
të bashkëpunojë me emigrantët. Një rregull i integruar fokusohet në
mbrojtje dhe përfshirje. Votimi i menjëhershëm i ligjit për brezin e
dytë të emigrantëve është një prioritet për këtë departament", është
shprehur ai.

Diskutimi mbi programin e qeverisë ka vazhduar sot me pozicionimet e
ministrave, përfaqësuesve parlamentarë dhe deputetëve, ndërsa krerët e
partive politike do të marrin fjalën të martën. Seanca e diskutimeve
do të mbyllet të martën në mesnatë dhe do të pasojë votimi i hapur
nominativ për votëbesimin e qeverisë Tsipras.

---Ministri i Financave, Gianis Varoufakis në fjalën e tij sot në
Parlament ka dhënë theksin në negociatat që janë në zhvillim, ka folur
për presione të mëdha por dhe për propozimin e Greqisë për një
Marrëveshje urë, dy ditë përpara takimit kritik të Eurogroupit që do
të zhvillohet të mërkurën.
---Çështja e Greqisë do të jetë tema kryesore që do të diskutohet në
këtë takim të Eurogroupit dhe pritet të merren vendime për ecurinë e
programit grek.
---Të dhëna për situatën e rëndë ekonomike që ka dorëzuar qeveria e
mëparshme ka dhënë në Parlament, zëvendës ministri i Financave,
Dimítris Márdas gjatë diskutimit të programit të qeverisë.
Konkretisht, teprica primare e vitit 2014 llogaritej në 5,3 miliard
euro, por do të jetë 2,9 miliard euro, theksoi ai dhe shtoi se «është
humbur» 1 miliard euro nga të ardhurat taktike të vitit 2014 dhe 1
miliard tjetër euro nga programet ESPA.

---Një prani e fortë e Greqisë me 41 persona që kanë depozita prej mbi
një milion euro regjistrohet në listën e emrave që nuk janë përfshirë
në listën Lagarde, e cila i ishte dërguar autoriteteve greke në vitin
2010, siç vihet në dukje në një reportazh të gazetës «Ta Néa».

---Tubime me sloganin «Nuk i trëmbemi kërcënimeve, asnjë hap prapa nga
ato», organizohen në të gjithë vendin të mërkurën, 11 shkurt, në kohën
që në Bruksel do të zhvillohet takimi i jashtëzakonshëm i Εurogroup-it
për çështjen e Greqisë. Kjo thirrje bëhet nga Mediat sociale.

---Një tubim për ERT-in do të zhvillohet të mërkurën, 11 shkurt, kur
mbushen 20 muaj nga mbyllja e Radio-televizionit publik të vendit,
jashtë ndërtesës së ERT-it në orën 17:30 pasdite.

----Në gatishmëri janë shërbimet e Bashkisë së Athinës për të ndihmuar
të pastrehët, për shkak të përkeqësimit të motit këtë javë.
Nga sot do të mbetet hapur për 24 orë Palestra e Mbyllur në Rouf
(Peiraiós dhe Echelidón 69), për të mikpritur të pastrehë dhe të
varfër, si dhe Qendra e Pritjes dhe e Solidaritetit e Bashkisë së
Athinës (Sofokléous dhe Peiraiós 35).
Gjatë gjithë 24-orëve funksionon linja e komunikimit me qytetarët për
raste emergjence në numrin telefonik 1595.

---Greqia do të jetë mes të tjerash në axhentën e bisedimeve Merkel -
Obama sot në Uashington, në kuadër të marrëdhënieve të përgjithshme
evroamerikane.
Duhet të kujtojmë se Barack Obama ka këmbëngulur në rishqyrtimin e
recetës së politikës së kursimit që ka zgjedhur Berlini, megjithse
raportimet e fundit nga Shtëpia e Bardhë për krizën greke flasin për
përshtatjen e Greqisë në programin për të cilën ajo ka rënën dakort.

Shqipëria
---Ministria e Financave ka alokuar 9.1 miliardë lekë për shlyerjen e
detyrimeve të prapambetura deri në fund të javës së kaluar.

Sipas të dhënave nga ministria e Financave, deri më datën 4 shkurt
2015, sipas kategorive janë alokuuar si shpenzime të prapambertura për
investimet publike 5.1 miliardë lekë, për shpenzime korente për mallra
dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliardë lekë.

Po ashtu referuar të dhënave nga ministria e Financave, janë alokuar
3.8 miliardë lekë si detyrime për vendimet gjyqësore, shpronësimet dhe
emergjencat dhe shpërblimet për lindjet. Sipas ministrisë së
Financave, procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura është
duke u monitoruar dite pas dite nga Ministria e Financave në mënyrë që
të parandalohet çdo pengesë dhe vështirësi në kryerjen në kohë dhe sa
më shpejt të këtij procesi.

Qeveria shqiptare ka programuar që për këtë vit të shlyejë rreth 20
miliardë lekë për biznesin, i cili ka kryer punë dhe shërbime
publike./a.gjonaj/ /a.g/

---Sipas raportit të Institutit të Statistikave, publikuar të hënën
ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,3 %. Një
vit më parë ky ndryshim ishte 1,7 %.

Rritja vjetore në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupi
“ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,88 pikë përqindje. Çmimet e
grupit “pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,17 pikë
përqindje.
Çmimet e grupit “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,16 pikë
përqindje. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë
kontribuar me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “qira,ujë, lëndë
djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e
grupit “komunikimi” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e
grupit “transporti” dhe “shëndeti” kanë kontribuar respektivisht me
-0,23 pikë përqindje dhe -0,18 pikë përqindje në ndryshimin vjetor.

---Shqipëria dhe më konkretisht Muzeu Historik Kombëtar janë zgjedhur
që të jenë këtë vit si vëndi mikpritës për të pritur Bienalen dhe
prezantuar veprat e 43 artistëve, nga të cilët 18 pre tyre janë
artistë shqiptarë.

Ky lajm u bë publik pas ceremonisë së hapjes së edicionit të VI të
Bienales Ndërkombëtare të Veprave të artit në Torino, ceremoni kjo e
quajtur në letër “Stemperando”, ku gjatë së cilës u çel edhe një
ekspozitë e cila erdhi si një nismë e kuratorit shqiptar z.Alfred
Milot Mirashi dhe z.Anselmo Villata drejtor i Institutit Kombëtar të
Artit Kontemporan në Itali.
Personalitete të artit në Itali, artistë italianë dhe shqiptarë ishin
të pranishëm në këtë ekspozitë, në të cilën si përfaqësues nga
Shqipëria ishte drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Melsi Labi.
Bienalia Stemperando do të qëndrojë e hapur në Torino deri më 8 mars,
ndërkohë që do të vijë në Tiranë për publikun shqiptar nga datat 8
Prill deri më 10 Maj.

---Kryeministri Edi Rama uroi të hënën shkrimtarin e njohur të letrave
shqipe Ismail Kadare për çmimin prestigjioz që iu dha dje në
Jeruzalem.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama thekson
“urime Ismail Kadaresë për çmimin prestigjioz që iu dha dje në
Jeruzalem! Kurdo që flitet e duartrokitet për të, Shqipëria shihet me
respekt”.

Shkrimtari Ismail Kadare ka fituar çmimin e Jeruzalemit për vitin
2015. Çmimi iu dorëzua dje Kadaresë gjatë hapjes së Panairit
Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem nga Presidenti i Izraelit, Reuven
Rivlin.
Librat e përkthyer në hebraisht të autorit janë “Gjenerali i ushtrisë
së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”,
“Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma” etj.

Ismail Kadare, anëtar i Legjionit francez tё Nderit, ka fituar disa
çmime prestigjioze të letërsisë në botë, si Man Booker International
Prize, Britani, 2005, Princi Asturias në Spanjë, 2009, etj. Kadare
prej vitesh është edhe kandidat i çmimit Nobel./k.s/

Bota
---Të paktën 15 persona u vranë nga sulmet e avioacionit të regjimit
sirian kundër qytetit rebel të Dumas pranë Damaskut, sipas një OJQ-je.

“Sulmet qeveritare në Duma kanë shkaktuar të paktën 15 të vdekur dhe
dhjetëra të plagosur”, theksoi Observatori sirian i të Drektave të
Njeriut re (OSDH). Sulmet qeveritare u ndërmorën që prej të enjtes
kundër bastionit rebel, vendosur në lindje të Damaskut, në përgjigje
të bombardimeve nga rebelët, të cilët kishin lëshuar më shumë se 120
predha dhe raketa kundër kryeqytetit.

Më shumë se 210.000 persona janë vrarë në Siri që prej fillimit të
konfliktit në muajin mars të vitit 2011.

---Së paku 14 persona janë vrarë në Irak gjatë një sulmi me bombë në
lagjen shiite të Bagdadit. Policia vendase njofton se sulmi vetëvrasës
ka plagosur 30 persona të tjerë.

Disa orë pas këtij sulmi, së paku tre persona janë vrarë dhe shtatë
janë plagosur si rezultat i shpërthimit të një bombe në pjesën
verlindore të Bagdadit, Husseiniyah. Askush deri më tani nuk e ka
marrë përgjegjësinë për sulmet.
Më 8 shkurt, qeveria irakiane i ka dhënë fund shtet-rrethimit 12
vjeçar të Bagdadit ndonëse një ditë më parë, si rezultat i disa
sulmeve në kryeqytet, janë vrarë më shumë se 30 persona.

---22 persona kanë vdekur pas dhunës që shpërtheu në një stadium të
Kajros. Mediat shtetërore egjiptiane bëjnë të ditur se përleshja ka
ndodhur mes policisë dhe tifozëve.

Kjo është dhuna e fundit në arenat sportive që nga viti 2012 në
Egjipt, kur dhjetëra persona kishin vdekur gjatë një ndeshje. Ndeshja
në mes Zamalek dhe Endbit ishte e hapur për publikun, ndryshe nga
ndeshjet e tjera, të cilat janë mbajtur pa praninë e publikut që nga
dhuna në stadiumin Port Said, në vitin 2012.

Ministria e Brendshme e Egjiptit e kishte kufizuar ndeshjen e djeshme
në 10 mijë numrin e pjesëmarrësve dhe biletat janë shitur menjëherë.
Mediat shtetërore njoftuan se vdekjet kanë ndodhur teksa qindra tifozë
të ekipit Zamalek, kanë tentuar që të hyjnë në stadium. Në vitin 2012,
vdiqën 74 persona, qindra të tjerë u plagosën, në dhunën që kishte
shpërthyer pas në loje në mes të Al-Ahny dhe Al-Marsy në stadiumin
Port Said.

---Në sajë të organizimit kapilar të filialit zviceran të bankës HSBC,
personalitete politike, të spektaklit, të sportit, por edhe të
biznesit madje edhe të krimit kanë fshehur nga taksat 180 miliardë
euro, bën të ditur gazeta franceze ”Le Monde”.

”Kemi të bëjmë me një hetim spektakolar me shifra marramendëse,
ndërkohë që hetimet janë bërë mes Parisit, Uashingtonit, Brukselit dhe
Gjenevës për të gjetur gjurmët e këtij superevazioni fiskal, i pranuar
dhe i nxitur nga banka britanike HSBC, grupi i dytë bankar më i madh
në botë, nëpërmjet filialit zviceran HSBC Private Bank”, thotë ”Le
Monde”.

Ndërkohë, media italiane njofton se në listë janë edhe emrat e 7.000
italianëve, më të famshmit e të cilëve janë stilisti Valentino
Garavani, Flavio Briatore dhe Valentino Rossi.
Në këtë superhetim janë përfshirë 154 gazetarë nga 47 vende dhe
emisarë nga 55 media të ndryshme./ a.jor

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën 10 shkurt
shira ose reshje dëbore në zonat fushore dhe dëborë në zonat malore.
Era do të fryjë e fuqishme në drejtimin verior në Egjeun Qendror dhe
Verior deri në 9 ballë dhe në pjesën tjetër të Egjeut shumë e
fuqishme. Në Jon era do të fryjë mesatare në drejtimin verior nga 6
deri në 7 ballë.
Reshje dëbore dhe dëborë do të ketë të martën në Attikë. Temperatura
në qendër të qytetit do të arrijë deri në 5 gradë Celsius.
Vransira të përkohshme me reshje të dobta dëbore presim të martën në
Selanik. Temperatura do të arrijë deri në 4 gradë Celsius.

---Ju kujtojmë se në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital
në frekuencat 34 në qendrën e Athinës dhe 58 në Attikën Lindore,
ndërsa transmetimi satelitor bëhet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54