Lajmet në gjuhën shqipe 16/03/2015

---Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh sot i bindur se një
zgjidhje për financimin shumë afatshkurtër të Greqisë, përballur me
nevoja të domosdoshme, do të gjendet me evropianët deri në fund të
javës, edhe pse disa partnerë të vendit do të preferonin një
përballje.

”Greqia nuk do të pranojë një rikthim të masave shtrënguese”, theksoi
kryeministri Aleksis Cipras, i cili shtoi se ishte i bindur se do të
arrinte një marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe FMN-në.

“Çelësi i një kompromisi të ndershëm është të pranosh se politika
shtrënguese ekstreme ka dështuar, jo vetëm në Greqi, pro gjithashtu në
të gjithë Evropën”, theksoi kryeministri në një intervistë për të
përditshmen Ethnos.

“Kushdo qofshin pengesat që ne do të hasim, ne nuk do t’i rikthehemi
politikës shtrënguese”, konfirmoi ai.

Pyetur nga e përditshmja ”Ethnos” mbi rrezikun e asfiksisë financiare
të vendit, Cipras theksoi se çështja do të zgjidhet në nivel politik
deri në fund të javës, kur do të mbahet edhe samiti evropian i
presidentëve dhe kryeministrave të Bashkimit Evropian dhe nëse do të
jetë nevoja do të diskutohet edhe gjatë këtij samiti, të enjten dhe të
premten në Bruksel.

Greqia do të dëshironte të përfitonte nga një tolerancë edhe më e
madhe e Bankës Qendrore Evropiane për të përfituar likuiditete. Vendi
shpreson gjithashtu për një zhbllokim të shpejtë, të paktën të
pjesshëm të këstit të fundit të kredisë (7,2 miliardë euro)
parashikuar në kuadër të zgjatjes së ndihmës financiare të vendosur më
20 shkurt nga zona euro dhe FMN.

“Nuk e fsheh që ekzistojnë forca që do të preferonin përballje për të
mundësuar vazhdimin e masave shtrënguese dhe për këtë arsye bllokojnë
aplikimin e marrëveshjes së 20 shkurtit”, theksoi kryeminsitri grek,
ndërkohë që mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Berlinit janë rritur këto
kohët e fundit.

---I gjithë opinioni publik në Greqi është tronditur pa masë nga
përfundimi tragjik i historisë së një 20-vjeçari nga Kreta, që
studionte në një shkollë profesionale në Janinë dhe që ishte zhdukur
që në 6 shkurt.

Ai është gjetur i vdekur 800 metra larg nga shkolla e tij dhe sipas të
dhënave paraprake të raportit mjeko-ligjor, rezulton se i ka dhënë
fund jetës, duke prerë damarët e dorës së tij të djathtë, në 6 shkurt,
ditën që ai ishte raportuar i zhdukur. Ngjarja ka tronditur gjithë
shoqërinë greke, pasi, sipas hetimeve që filluan prej ditëve të para,
duket se ai është viktimë e ngacmimeve të kryera nga studentët dhe
shokët e tjerë të klasës.

20-vjeçari, sipas dëshmive që ende nuk publikohen, por janë të
regjistruara në dosjen hetimore, jetonte një ferr të përditshëm për
shkak të poshtërimeve të shokëve të tij, shumica e tyre nga Kreta, si
dhe të dhunës verbale e fizike ndaj tij. Në shtypin grek qarkulluan
disa prej torturave të shokëve të tij, të cilat thuhet se janë të
regjistruara në dosjen hetimore të organeve greke, që po merren me
këtë çështje dhe shokojnë këdo me brutalitetin e tyre. Madje, edhe
pasi u gjet i vetëvrarë, në internet u publikuan disa postime me
fyerje për viktimën.

Ministri i Arsimit ka deklaruar se studenti 20-vjeçar është viktima e
parë e regjistruar e fenomenit të ngacmimit fizik e verbal në shkollat
greke. Vetëm 10 ditë më parë, më 6 mars, me rastin e ditës
ndërkombëtare kundër dhunës në shkollë, në mediat vendase është
konstatuar se ky fenomen i ashtuquajtur “Bullying” ka marrë përmasa të
mëdha në shkollat greke, ku shpeshherë viktima kanë qenë edhe nxënësit
shqiptarë apo të huaj, për shkak të origjinës së tyre.

---Në pagesën e rreth 584 milion euro që korrespondojnë me këstit të
tretë të marsit për  Fondin Monetar Ndërkombëtar vazhdoi sot Agjencia
e Menaxhimit të Borxhit Publik. Të premten, më 20 Mars, Greqia do të
paguajë këstin e fundit prej 348 milion euro.

---E kufizuar duket teprica primare e buxhetit për dy muajt e parë të
vitit 2015, ndërkohë që vihet re deficit në nivelin e parave, sipas të
dhënave zyrtare të Bankës së Greqisë.

Në veçanti, në 503 milion euro është ulur teprica primare e buxhetit
të shtetit në bazë të parave në dy muajt Janar - Shkurt 2015, në
krahasim me një suficit primar prej 1,68 miliard euro në periudhën e
njëjtë të vitit të kaluar.

---"Pasojat nuk do të ishin vetëm ekonomike, një dalje e Greqisë nga
zona e euros do të ishte kapitulli më dramatik në historinë e BE-së",
thekson Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në një
intervistë për një grup të gazetave evropiane, duke shtuar se "ne
duhet të ndihmojmë Greqinë, kjo është e padiskutueshme".

---Konferencë për shtyp për themelimin e Komisionit të Parlamentit për
Auditim të borxhit do të japi të martën në orën 12:00 në Parlament,
kryetarja e Kuvendit, Zoí Konstantopoúlou.

Do të flasin gjithashtu, evrodeputetja e SYRIZA, Sofia Sakorafa dhe
Eric Toussaint, shkencëtar ekspert për çështjet e borxhit të
paligjshëm.

---Mesazhin që Forcat e Armatosura mbrojnë dhe kufijtë e Evropës që i
atribuohen Greqisë dhe kjo nuk duhet harruar, ka dërguar Presidenti i
Republikës, Prokopis Pavlopulos, në fjalimin e tij për lidershipin
politik dhe ushtarak në kontekstin e vizitës që ai ka bërë në
Ministrinë e Mbrojtjes.

---Në hetuesi kanë shkuar të hënën pronari dhe kujdestari i fabrikës
së pulave në Halandritsa Achaïas, të cilët përballen me akuza të
trafikimit, pengjeve, posedimit dhe të pastrimit të «parave të zeza».

Rikujtojmë se pronari dhe kujdestari kërcënonin me armë dhe i
burgosnin si skllevër nëntë punëtorë migrantë nga Rumania.

Shqipëria
---Në një konferencë mbi 24- vjetorin e marrëdhënieve me Shqipërisë
dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës,
shfrytëzoi rastin për t’i bërë apel politikës që të zbatojë
marrëveshjen e dekriminalizimit të institucioneve dhe politikës.

Kreu i shtetit tha se sfida e Shqipërisë është shembja e bunkierëve të
krimit dhe korrupsionit dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës.

“I bëj apel politikës dhe shoqërisë se kanosja e krimit dhe
korrupsionit nuk duhet të gjejnë vend e jo më strehim në një shoqëri
të lirë dhe demokratike. Duke u mbështetur tek marrëveshja politikë,
të largohen nga institucionet individët e përfshirë në aktivitet
kriminal”, u shpreh kreu i shtetit në fjalën e tij.

---Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto do të
zhvillojë të martën një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të takohet me
homologët e rajonit për gjetjen e akseve të komunikimit për t’u
përfshirë në rrjetin kryesor europian të telekomunikacionit.

Burime zyrtare të ministrisë së Transportit bënë të ditur se, ministri
Haxhinasto në Bruksel do të zhvillojë bisedime bilaterale me homlogë
nga vendet e rajonit. Takimi, sipas burimeve, do të bashkëdrejtohet
nga përfaqësues të DG – MOVE dhe DG – NEAR, institucione këto në
varësi të Komisionit Europian dhe ka për qëllim diskutimin paraprak
dhe rënien dakort për akset që do të përzgjidhen për t’u përfshirë në
Core Network. Misioni i këtyre institucioneve, DG – MOVE dhe DG – NEAR
është të asistojë vendet që pritet të anëtarësohen në BE-së./m.m/

---Gjykata e Krimeve të Rënda po zhvillon analizën e punës për vitin
2014, ku bie në sy rritja me 50% e çështjeve që lidhen me trafikimin
dhe prodhimin e lëndëve narkotike, teksa numërohen në total rreth 60%
çështje më shumë se në vitin 2013.

Gjatë analizës, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë Nasip
Naço, Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni u shpreh se
viti 2014 ka rezultuar me një ngarkesë të lartë pune, ndër më të
lartat e viteve të fundit.  Sipas tij, në vitin 2014 numri i çështjeve
të shqyrtuara është shtuar me 60%, krahasuar me një vit më parë.

---Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda njoftoi gjithashtu se, numri i
çështjeve të përfunduara ka qenë 24% më shumë se viti 2013. Janë
përfunduar 30 çështje më shumë se në vitin 2013, tha ai. /m.m/

---Shqipëria sjell për herë të parë eksperiencën e saj në luftën
kundër dhunës me bazë gjinore.

Në kuadër të Sesionit të 59-të të Komisionit mbi Statusin e Gruas në
selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, i cili
zhvillohet nga datat 10-21 mars, Shqipëria sjell eksperiencën e saj
nëpërmjet përfaqësuesve nga MMRS, shoqërisë civile etj.

Paneli i diskutimeve mbi dhunën me bazë gjinore i titulluar “Breaking
Mindset”, u organizua nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,
Agjencia e OKB-së në Shqipëri dhe Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në
OKB.

Aty morën pjesë Ministri i MSR-së, Erion Veliaj, Kryetarja e Aleancës
së Gruas Parlamentare, Mesila Doda, Koordinatorja e Përhershme e
OKB-së në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun, përfaqësuesja e Shoqërisë
Civile, Iris Luarasi , të cilët nëpërmjet prezantimeve të tyre e vunë
theksin te masat që duhet të ndërmerren në luftën kundër dhunës me
bazë gjinore.

Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të Komisionit për Statusin e Gruas
në New York, ministri Veliaj paraqiti Planin Kombëtar për përfshirjen
e burrave dhe djemve për Barazinë Gjinore dhe Ndalimin e Dhunës me
Bazë Gjinore, i cili aktualisht po zbatohet në Shqipëri, me fokus
nxitjen e djemve dhe burrave në mbështetje të fuqizimit të grave dhe
vajzave në shoqërinë tonë.

---Për të tretin vit me radhë, Tirana ka ftuar autorët e Ballkanit në
rezidencën letrare “Tirana in Between”.

Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë ka shpallur të hënën
emrat e gjashtë autorëve, që do të qëndrojnë në rezidencë 1 mujore në
Tiranë. Dasa DRNDIC – KROACI ,Theodora DIMOVA – BULLGARI, Risto
LAZAROV – MAQEDONI, Dragana TRIPKOVIC – Mal I ZI dhe Dan COMAN –
RUMANI janë zgjedhur nga Poeteka pas aplikimeve.

Gjashtë autorë i bashkohen për një muaj jetës së kryeqytetit, për të
ndarë me artistët shqiptarë përvojat, projektet letrare, mendimet,
ndjeshmëritë, intimitetin, për të bashkëpunuar në pasurimin e skenës
kulturore, për ta pranuar “TJETRIN” që jeton pranë nesh dhe që deri më
sot ka qenë i panjohur, huaj, i largët.

---Radiotelevizioni Publik Shqiptar ka publikuar të dielën këngën me
të cilën do të prezantohet Elhaida Dani në Eurosong më 12 maj.

"I'm Alive" do të jetë kënga përfaqësuese pas tërheqjes së autorit të
këngës fituese të RTSH-së, "Diell". Vetëm 24 orë nga publikimi i
këngës në Youtube ajo ka marr mbi 108 mijë klikime. Edhe komentet e
përdoruesve të Youtube kanë qenë mjaft pozitive dhe mbështetëse.

Vetë Elhaida në një intervistë për RTSH ka falenderuar të gjithë
bashkëpunëtorët e këngës dhe klipit të ri, duke u shprehur se është
punuar me shumë dashuri për tekstin në anglisht dhe shqip, dhe shumë
shpejt do të vijë dhe në italisht.
Ndërsa në Facebook, këngëtarja shkruan "Në një kohë rekord si kjo kam
dhënë më të mirën dhe uroj shumë të shpërblej të gjithë ju për besimin
që më dhuruat".

Bota
---Javë vendimtare për negociatat mbi çështjen bërthamore iraniane.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u takua të hënën me shefin e
diplomacisë iraniane, Mohammad Javad Zarif, për një përpjekje të
fundit në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje historike për
programin bërthamor të Teheranit.

Mohammad Javad Zarif do të jetë në Bruksel për një takim me
përfaqësuesen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dhe
homologët francez, britanik dhe gjerman.

Irani dhe fuqitë e grupit 5+1 (SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani e
Madhe dhe Gjermani) kërkojnë të bien dakord deri në fund të muajit për
një marrëveshje me objektivin, për të përfunduar deri në fund të
muajit qershor negociatat e ndërmarra në vitin 2003./ec/

---Sulmet ajrore qeveritare në zonat që kontrollohen nga rebelët në
afërsi të Damaskut kanë vrarë të paktën 26 persona, mes tyre edhe
fëmijë.

Kështu bëjnë të ditur aktivistët sirianë. Observatori sirian për të
drejtat e njeriut shton se sulmet janë kryer më 15 mars dhe kanë patur
si synim qytezën e Doumas, në veriperëndim të kryeqytetit sirian.

Grupi monitorues ka thënë se viktimat kanë ndodhur gjatë katër sulmeve
ajrore. Forcat që janë besnike ndaj presidentit sirian, Bashar al
Assad, gjatë muajve të fundit kanë intesifikuar sulmet ajrore kundër
zonave që kontrollohen nga rebelët.

---Organizatat humanitare po përballen me vështirësi të mëdha për t’iu
ardhur në ndihmë banorëve të Vanuatusë, arkipelagu i Paqësorit të
Jugut shkatërruar nga një ciklon me efekte të rënda, sipas presidentit
të saj.

---Krimeja përgatitet për të kujtuar një vjetorin e aneksimit të saj
në Rusi më 18 mars 2014. Një akt i denoncuar si një aneksim nga Kievi
dhe që shënoi fillimin e një krize të pazakontë mes Rusisë dhe
Perëndimit që prej fundit të Luftës së Ftohtë.

---Instituti i Stokholmit për Kërkim të Paqes Ndërkombëtare, SIPRI,
bën të ditur në raportin e saj vjetor se Kina është bërë eksportuesi i
tretë më i madh në botë i armëve, pas SHBA-së dhe Rusisë.

Ajo ka lënë pas Gjermaninë dhe Francën.  Në raport thuhet se SHBA-të
përbëjnë 31 % të eksporteve të armëve në tërë botën gjatë vitit 2014,
e përcjellur nga Rusia me 27% të këtij tregu.

Kina gjendet shumë prapa me 5% të totalit botëror sa i përket
eksportimit të armëve. SIPRI ka thënë se 41 % e armëve kineze
eksportohen në Pakistan, derisa blerësi kryesor i armëve ruse është
India, që është edhe importuesi më i madh i armëve në botë.

---Numri i të huajve që jetojnë në Gjermani arriti rekordin prej 8.2
milionësh vitin e kaluar.

Sipas zyrës gjermane të statistikave, rumunët dhe bullgarët kryesojnë
listën e kombësive që kanë hyrë në Gjermani për periudhën 2013-2014.
Një vend të rëndësishëm ze edhe dyndja e refugjatëve sirianë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën 17 Mars
mot me diell në Greqinë Veriore, ngricë në mëngjes dhe vransira në
pjesën tjetër të vendit me shira lokale në rajonet qendrore, Ciklades
dhe në Kretën Veriore. Në zonat malore do të ketë dëborë dhe në
mëngjes, dukshmëria do të jetë e kufizuar.

Në Attikë, temperatura maksimale do të jetë 13 gradë Celsius, por në
pjesën veriore dhe lindore të saj do të jetë 10 gradë Celsius.
Në Selanik temperatura maksimale do të jetë 12 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti
i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme
- nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët
e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00
pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet
televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54