Lajmet në gjuhën shqipe 25/03/2015

---Ka përfunduar telekonferenca e Euro Working Group, pa asnjë vendim në lidhje me kthimin në Greqi të 1,2 miliardë euro nga Mekanizmi Evropian për Stabilitetin Financiar. Grupi i punës drejton në Bordin e EFSF-së.

---Janë zhvilluar pavarsisht shiut që binte parakalimet e nxënësve pothuajse në të gjithë vendin. 

Në qendër të Athinës është zhvilluar parada ushtarake para Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Kryetares së Parlamentit.

---"25-Marsi nuk është përvjetor, është përvojë. 

Vitin tjetër populli të jetojë në kushte më të mira dhe larg nga ankthi i kësaj krize sociale që e ndikon atë thellësisht" ka uruar në fund të paradës, Presidenti i Republikës. 

---«Asgjë nuk i është falur popullit tonë, të gjitha janë arritur me përpjekje», tha kryeministri Aleksis Cipras.

---«Përqafimi i kryeministrit grek me Kancelaren e Gjermanisë, vijnë për të na kujtuar se «aleanca e shenjtë» e  Metternich, që sot merr formën e BE-së dhe tri institucioneve, ekzistojnë për të nënshtruar punëtorët, popujt, të sigurojnë interesat e klasës në pushtet», deklaroi për përvjetorin e 25 Marsit, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, Dimitris Koutsoubas.

---«Përvjetori Kombëtar i 25 Marsit na kujton nevojën për unitet kombëtar dhe vetëdije. 

Ky objektiv kërkon respekt për të vërtetën, kujtesë të plotë historike dhe shpirt të lartë patriotik. Në të kundërt, minohet nga gënjeshtra demagogjike, kujtesa selektive dhe e shtrembëruar, nga mendimet nacionaliste të konsumit të brendshëm», tha kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos.

---Kryetarja e Parlamentit, Zoí Konstantopoúlou deklaroi se «sa shekuj që të kalojnë, pasioni për liri frymëzon luftrat dhe pretendimin demokratik revolucionar».

---Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Panos Kammenos vuri në dukje se parada e sotme «është një mesazh i të gjithë kombit, për të gjithë ata që kërcënojnë integritetin kombëtar të vendit, se do të gjejnë përpara tyre të gjithë kombin e bashkuar».

---Pas paradës ushtarake ka ndjekur një festë tradicionale me pjesëmarrjen e qytetarëve të Athinës.

---Dorëheqjen e Giórgo Katroúngalo nga pozita e zëvendës ministrit të Reformës Administrative kërkon edhe njëherë tjetër Demokracia e Re, përmes përfaqësuesit të saj të partisë, i cili karakterizon rrugë të vetme dorëheqjen e Giórgo Katroúngalo nga udhëheqja e Ministrisë së Reformës Administrative.

---Ministri i Jashtëm Niko Kotziá është takuar me homologun e tij kinez, Yang Jiechi në Pekin, në kuadër të vizitës së zëvendës kryeministrit Giánni Dragasáki në Kinë, ku është shqyrtuar spektri i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe është diskutuar formimi i një plani të përbashkët veprimi për vitet 2015-2017 si dhe një numër propozimesh për bashkëpunim në fushën e ekonomisë dhe të investimeve, kulturës dhe arsimit. 

Takimi vjen dy ditë pas publikimit të rezultatit të Drejtorisë së Përgjithshme të Konkurencës së Komisionit Evropian se janë dhënë lirime nga taksat për kompaninë Cosco Pasific, «SEP A.E», të cilat janë në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian.

---Të enjten fillon procesi i aplikimit për hyrjen në rregullimin e ri të borxheve, afati i të cilave ka përfunduar, ndaj institucioneve të sigurimeve shoqërore, në lidhje me periudhën e kontributeve deri në janar 2015.

Shqipëria
---Në Kosovë të mërkurën mbahet takimi i Ministrave të Jashtëm dhe të Transportit të Ballkanit Perëndimor. 

Një nga nga projektet që pritet të diskutohet është projekti i "Autostradës së kaltër", një nga projektet më të rëndësishme të diskutuara nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo autostradë pritet të lidhi Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. 

Në profilin e tij në facebook kryeministri shqiptar Edi Rama shkruan: “Fruti i parë i Konferencës së Berlinit. Fillojmë projektimin e autostradës së kaltër që do lidhë bregdetin e Kroacisë, Malit të Zi Shqipërisë!”.

---Në Shqipëri vazhdon të tregtohet karburant me cilësi të dobët. 

Këtë e faktojnë shkeljet e konstatuara nga Inspektoriati Qendror Teknik, ku vetëm për muajin shkurt të këtij viti janë gjobitur 22 subjekte, pasi tregtonin karburant të përzierë me lëndë të tjera për qëllime përfitimi.

Pas analizave të mostrave të marra nga karburantet, ka rezultur se nafta e tregtuar ka përqindje squfuri tej normave të lejuara, gjë që sipas drejtuesve të Inspektoriatit Qendror Teknik shkakton një sërë pasojash në automjete, mjedis dhe shëndet.

Ndryshe nga muaji janar, ku 10 raste të abuzimit me cilësinë ishin evidentuar brenda në kryeqytet, në muajin shkurt rezulton që fenomeni është zhvendosur përgjatë autostradës Tiranë – Durrës, aksi Lushnje – Rrogozhinë, Patok – Laç dhe në Elbasan.

---Agjencia Kombëtare e Bregdetit organizoi të martën përkujtimoren e tragjedisë detare të anijes Austro-Hungareze “Linz” e cila u mbyt më 19 Mars të vitit 1918 me mbi 1000 persona në bord, pak milje larg “Kepit të Rodonit”.

Historiku i kësaj anije është pak i çuditshëm. E nisur nga Porti Austro-Hungarez i Rijekes , “Linz” u ndal në Zelenika një port afër Kotorrit për të vazhduar me tej për në Durrës, porti kryesor i ushtrive austro- hungareze.

Në bordin e saj kishte rreth 400 robër italianë të cilët po silleshin në kampet e punës në frontin shqiptar. Zyrtarisht në anije kishte 1.003 persona, por autoritetet austro- hungareze, pas tragjedisë ndërmorën një investigim dhe zbuluan se shumë ushtarë austro-hungarezë,  nuk ishin rregjistruar në librin e pasagjerëve. Nga ky zbulim mendohet se numri i të mbyturve në këtë tragjedi detare mund të jetë më i madh.

Në bashkëpunim me Flotën Detare dhe Ambasadën Austriake dhe Hungareze, Agjensia Kombëtare e Bregdetit, bëri të mundur  një ceremoni në vendin e ngjarjes në kujtim të kësaj ngjarje tragjike e cila konsiderohet si tragjedia më e rënde detare e Austro Hungarisë.

Kurora me lule u hodhën në det në shenjë nderimi, si dhe një ceremonial të thjeshtë fetar nga Patër Aureli i kishës Françeskane që ndodhej në bordin e “Ilirisë”.

Antal Heizer, Ambasador i Hungarisë, tha: “Ideja jonë ishte që ta përkujtonim këtu, në vendin ku u mbyt, një ndër tragjeditë më të mëdha të flotës austro-hungareze. Ne jemi këtu për t’i nderuar mëse 1 mijë viktimat e kësaj tragjedie dhe për të nisur një proces që kur të shënohet 100-vjetori i saj, të ketë një memorial për këtë tragjedi.”/a.g/

---Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbarvajtur rendin dhe sigurinë para, gjatë dhe në përfundim të përballjes mes Shqipërisë dhe Armenisë.

Ndeshja e vlefshme për kualifikueset e Eruopianit “Francë 2016”, që do të luhet të dielën në orën 18:00  në “Elbasan Arena”, do të jetë nën vëzhgimin e rreptë dhe forcave blu të këtij qyetit. Sipas njoftimit të policisë, 320 efektiv do të jenë të angazhuar përgjatë gjithë zhvillimit të takimit, duke nisur që nga patrullimi në afërsi të stadiumit disa orë para fillimit të ndeshjes, teksa hyrja në stadium do të bëhet rreth 2 orë para vërshëllimës së parë të gjyqtarit.

Gjithashtu mësohet se rrugët që të dërgojnë në stadiumin “Elbasan Arena” do të jenë të monitoruara nga forca policie të qarkullimit rrugor, teksa do të ketë njoftime të tjera për vendparkimet. Po ashtu, në njoftim mësohet se do të jenë rreth 150 tifoz armen që do të jenë në shkallët e stadiumit dhe në vendet përkatëse, sipas marrëveshjes me Federatën Shqiptare të Futbollit. /a.g/

Bota
---Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez François Hollande dhe Kryeministri spanjoll, Mariano Rahoi, vizituan sot vendin, ku një ditë më parë ra avioni i Germanwings, në Alpet Juglindore franceze. 

Ata kanë ndjekur nga afër operacionet për gjetjen e trupave dhe ecurinë e hetimeve në vendngjarje. 3 liderët janë takuar edhe me familjarë të viktimave. Sipas të dhënave më të fundit, janë 72 shtetas gjermanë që kanë humbur jetën në këtë tragjedi. Këtu përfshihen edhe 16 nxënës të një shkolle të mesme në Dusseldorf.

35 të tjerë janë spanjollë, ndërsa në avion udhëtonin edhe viktimave të 11 kombësive të ndryshme. Përfshirë edhe pjesëtarët e bordit, në tragjedi humbën jetën 150 persona.

Në Gjermani, flamujt në të githë vendin janë ulur në gjysmështizë. Në mëngjes është mbajtur një minutë heshtje në shumë institucione.

---Spanja shënoi sot ditën e parë të zisë kombëtare pas aksidentit të  avionit të kompanisë ”Germanwings” që kryente fluturimet mes Barcelonës dhe Dyseldorfit, në bordin e të cilit udhëtonin 150 persona.

Mariano Rajoy, kreu i qeverisë, ndërpreu të gjitha aktivitetet për të shkuar në Francë, në afërsi të vendit të aksidentit të Airbusit A320, në Alpet franceze.

”Një zi kombëtare tre ditore u dekretua”, njoftoi zëvendëskryeministrja, Soraya Saenz de Santamaria.

”’Të paktën 49 spanjollë bënin pjesë mes 150 të vdekurve të avionit ‘Germanwings”’ njoftoi sot sekretari i Shtetit spanjoll për Sigurinë./ec/

---Prokuroria e Dyseldorfit ka nisur hetimet për rënien e tragjeditë e avionit të kompanisë gjermane “Germanwings” në Alpet Juglindore franceze, ku humbën jetën 150 personat që ndodheshin në bord.

Ende nuk është bërë publike asnjë e dhënë lidhur me shkaqet e kësaj tragjedie. Por hetuesit tashmë kanë në dorë njërën prej kutive të zeza, e cila pavarësisht se e dëmtuar, besohet se do të japë të detajet e para në zbardhjen e së vërtetës.

Ekspertët francezë të aviacionit hedhin dyshime se në kabinën e pilotëve mund të ketë patur persona të tjerë. Këtë tezë ata e mbështesin tek fakti se edhe pse avioni është ulur në mënyrë konstante dhe jo në pikiatë, pilotët nuk kanë lëshuar asnjë alarm përgjatë 8 minutave të tragjedisë.

Sipas tyre, pilotët mund të kenë aktivizuar pilotin automatik dhe më pas nuk kanë patur mundësi të lëvizin.

Një tjeter version është ai i shpërthimit të baterive të litiumit që ndodhen në kabinat e pilotëve, tymi i të cilave shkakton vdekje në pak sekonda. Nuk përjashtohet mundësia e rrëzimit nga humbja e presionit. Gjithësesi regjistrimet audio të kutive të zeza janë pika bazë e këtyre hetimeve.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur pjesë të pakta të avionit, çka e bën më të vështirë identifikimin e shkaqeve të rrëzimit përmes tyre. Megjithatë, hetuesit po analizojnë çdo provë të mundshme.

---Drejtuesi i grupit ajror ”Lufthansa”, Carstr njoftoi sot se avioni i ”Germanwings” që u rrëzua dje në Francë ishte teknikisht në gjendje të mirë dhe e cilësoi aksidentin si të pashpjegueshëm.

“Për ne gjithçka është e pashpjegueshme”, theksoi Spohr në aeroportin e Frankfurtit në përfundim të një minut heshtejeje të mbajtur nga të gjithë të punësuarit e grupit, ku bënte pjesë dhe ”Germanwings”.

“Avioni ishte teknikisht shumë mirë dhe dy pilotët me eksperiencë”, shtoi ai. ”Lufthansa” do të kryejë që prej së enjtes fluturime nga Dyseldorfi dhe Barcelona drejt Marsejës”, theksoi Spohr, për t'u mundësuar familjeve të viktimave, pjesa më e madhe gjermanë dhe spanjollë të shkojnë pranë vendit të tragjedisë./ec/

---Katërmbëdhjetë shtete evropiane nënshkruan të mërkurën në Santiago de Compostela (Spanjë), Konventën e Këshillit të Evropës kundër Trafikimit të Organeve Njerëzore, traktati i parë ndërkombëtar që synon parandalimin dhe luftimin e trafikimit të organeve njerëzore.

Konventa u nënshkrua në ditën e parë të një konferencë ndërkombëtare, e organizuar nga Këshilli i Europës dhe qeveria spanjolle në Santiago de Compostela, për të diskutuar mbi mënyrën më të mirë për të luftuar trafikun e organeve njerëzore, dhe se si për të zbatuar traktatin e ri.

Konventa u nënshkrua nga Shqipëria, Austria, Belgjika, Republika Çeke, Greqia, Italia, Luksemburgu, Norvegjia, Republika e Moldavisë, Polonia, Portugalia, Spanja, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar. Ajo është e hapur për nënshkrim nga çdo shtet në botë dhe do të hyjë në fuqi kur pesë shtete ta kenë ratifikuar atë.

“Heqja e paligjshëm dhe trafikimi i organeve njerëzore është një shkelje serioze e të drejtave të njeriut. Donatorët janë shpesh individë jashtëzakonisht të cënueshëm që shfrytëzohen nga krimi i organizuar, i cili e përdor këtë formë për shkak të mungesës së organeve në dispozicion për transplantim. Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për të luftuar këtë krim. Unë u bëj thirrje shteteve në Evropë dhe më gjerë për të shpejtuar nënshkrimin dhe të ratifikojnë konventën “, tha Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland.

Konventa siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për të bërë trafikimin e organeve njerëzore një vepër penale, për të mbrojtur viktimat, dhe për të lehtësuar bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për trafikimin. Ajo kriminalizon heqjen e paligjshme të organeve njerëzore nga njerëzit që ende jetojnë apo donatorëtv e vdekur dhe përdorimin e tyre për transplantim ose qëllime të tjera, si dhe akte të tjera të ngjashme.

Masat mbrojtëse për viktimat përfshijnë asistencë fizike, psikologjike dhe sociale, ndihmë ligjore dhe sigurimin e drejtës për kompensim nga autorët.

Konventa synon të parandalojë trafikimin e organeve njerëzore, duke kërkuar nga shtetet që të sigurojnë transparencën e sistemit të tyre kombëtar për transplantimit të organeve, si dhe qasje të barabartë në shërbimet e transplantimit./a.g/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të enjten 26 mars shira sporadike dhe stuhi.

Fenomenet nga dreka do të jenë më të forta. Era do të fryjë e fuqishme në drejtimin juglindje në ishujt e Jonit dhe në Egjeun Jugor. Temperatura do të shënojë një rritje të vogël.

Në Attikë, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 12 dhe 17 gradë Celsius dhe në Selanik, temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 8 dhe 13 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54