Lajmet në gjuhën shqipe 26/03/2015

---Në telekonferencën e djeshme të Euro Working Group është kryer një konsultim produktiv, gjatë të cilit u diskutuan çështje të ndryshme në lidhje me ekonominë greke në një klimë të bashkëpunimit, raportojnë burime të qeverisë, duke shtuar se u ra dakort që qeveria greke të dorëzojë tek institucionet një listë të plotë dhe të konkretizuar të reformave.

----Në Parlament ka kaluar nga qeveria një dokument me arsyetimin se nuk është e nevojshme votimi nga Parlamenti i zgjerimit të marrëveshjes së kredisë midis Greqisë dhe Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar. Dokumenti nënshkruhet nga ministri i Shtetit, Niko Papa dhe është dërguar në përgjigje të një pyetjeje që i kishte drejtuar kryeministrit Aleksis Cipras, ish-kryetari i Parlamentit, Evángelos Meïmarákis. 

Në përgjigjen e tij me shkrim ministri i Shtetit thekson se nuk ka asnjë kërkesë ndërkombëtare ndaj vendit tonë për ratifikimin e mëtejshëm të marrëveshjes dhe as ligji grek e imponon atë. Gjithashtu, informon se ekziston mendimi përkatës i Këshillit Ligjor të Shtetit.

---Ministria e Punës ka publikuar në gazetën e qeverisë qarkoren me të cilën jep më shumë detaje rreth mënyrës se si do të rregullojnë borxhet e tyre qytetarët dhe bizneset ndaj fondeve të sigurimeve sociale. 

Siç përmendet në tekst, qëllimi i rregullimit është që të lehtësohen qytetarët dhe paralelisht të mos mbyllen bizneset dhe të mos pezullojnë punimet e tyre biznesmenët.

Në mënyrë të veçantë, bizneset dhe qytetarët që kanë detyrime financiare me fondet e sigurimeve, duhet të hyjnë në këtë rregullim deri në fund të prillit. Ky rregullim i referohet borxheve të papaguara deri më 2 mars 2015, borxheve që janë në pritje për arkëtim, por dhe borxhet që tashmë paguheshin me rregullimet e vjetra.

---Ndonëse ligji parashikon që deklarimet tatimore duhet të dorëzohen deri më 30 prill, edhe një herë tjetër vonesat në përgatitjen e formateve specifike dhe të gjitha qarkoreve të nevojshme e kanë  zhvendosur procesin dy muaj mbrapa. 

Pra deklarimet tatimore duhet të dorëzohen deri më 30 qershor dhe pagesat e taksave do të fillojnë në muajin korrik.

---Të premten, 3 prill do të fillojë të jepet Dhurata e festës së Pashkëve për vitin 2015, për të papunët e subvencionuar dhe për përfituesit e mbrojtjes së veçantë të lehonisë .. 

Në të njëjtën ditë do të jepen asistenca e papunësisë, subvencionimet për të papunët afatgjatë si dhe ndihma të tjera. 

---Në një shtëpi të vjetër në Korinth bënin bombat e tyre Hristódoulos Ksirós dhe grupi Celulat e Zjarrit. 

Është një ndërtese në Néa Péramo, jashtë Loutropirgos. Aty është gjetur një mur i vjetër në një hapësirë të jashtme, në të cilën doli se kishin bërë një shpërthim provë, për të parë suksesin ose jo të operacionit "Gorgopotamos".
Forcat e Shërbimit Antiterrorist kanë mbledhur të dhëna, të cilat janë dërguar në laboratorin e kriminalitetit për shqyrtim të mëtejshëm dhe për vlerësim. Zbulimi i shtëpisë u bë pas dëshifrimit të letrave mes Hristódoulos Ksirós dhe grupit "Celulat e Zjarrit". 

---Greva të përsëritura duke filluar nga data 27 mars do të zhvillojnë aktorët e Teatrit Kombëtar të Greqisë Veriore, duke kërkuar pagesën e menjëhershme të pagave të tyre për dy muajt e fundit. 

Në të njëjtën kohë, kërkojn një takim me zëvendës Ministrin e Kulturës, Niko Ksidaki, për të marrë premtimin e tij në zgjidhjen përfundimtare të problemeve kronike të Teatrit Kombëtar të Greqisë Veriore, me një afat kohor të caktuar.

Shqipëria
---Ambasada e Greqisë në Tiranë zhvilloi të mërkurën një ceremoni me rastin e ditës së 25 marsit, Ditës Kombëtare të Greqisë.

Nderonin në këtë ceremoni, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe diplomatë të akredituar në vendin tonë.

Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas shprehu kënaqësinë e tij dhe mirënjohjen që në këtë ceremoni në  Ditën kombëtare të Greqisë, ishin të pranishëm Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, ministra, ambasadorë, miq të mirë e të ftuar.

Ambasadori Rokanas fillimisht shprehu ngushëllime për tragjedinë qe ndodhi në Francë me rrëzimin e avionit të kompanisë gjermane ‘Germanëings”. Më pas Ambasadori theksoi se, “sot kremtohet çlirimi i Greqisë që është më shumë se çlirim, është rilindje. Siç ka thënë shkrimitari anglez Lordi Byron, grekët u rilindën nga hiri i rrënojave të tyre”.

Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ambasadori Rokanas u shpreh se “Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe kjo tregohet me investimet që Greqia ka bërë në Shqipëri, vitet e fundit, pavarësisht krizës”.

---Shqiptarët në 3-mujorin e fundit 2014 rritën blerjet me pakicë për një sërë produktesh, ku në krye të listës qëndruan produktet ushqimore, ato farmaceutike-higjenike, elektro-shtëpijaket dhe mobiljet.

Sipas INSTAT, në tremujorin e 4-t 2014, indeksi i volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë u rrit 4,1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve tremujorin e fundit vjet, u rrit 11,3 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013.
Me rritje rezultojnë gjithashtu dhe blerjet me pakicë për grupin e “Produkteve jo -ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara, të cilat u rritën në nivelin 9,2 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2013.

Ndryshe ka ndodhur me tregun e shitjes me pakicë në tremujorin e katërt 2014 në grupin “Tregti Hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, ku indeksi i volumit të shitjeve u ul me 0,8 % krahasuar me të njëjtin tremujor të 2013-tës dhe 11,0 % krahasuar me tremujorin paraardhës./n.m/f.n/

---Në kuadrin e Projektit Pilot për trainimin e guidave turistike në rrethin e Sarandës, iniciuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe e  mbështetur nga Ministria e Mireqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Kulturës, do të paraqesë një formular aplikimi për të interesuarit që duan të trajnohen në menaxhimin turistik të vijës bregdetare. 

Kështu, do të nisë faza e parë, ndërsa faza e dytë do të quhet faza përzgjedhëse pas një  mini-interviste me secilin prej të përzgjedhurve paraprakisht. Trainimi do të zgjasë 10 ditë. Fushat e testimit do të jenë historia e zonës, ekonomia, arkeologjia, gjeografia etj. Edhe ky trajnim bën pjesë në përgatitjet e shumta që po praktikon kjo Agjenci në pritje të sezonit të ri veror në plazhet shqiptare. /a.ke/

---Inva Mula rikthehet në skënën shqiptare, këtë hërë jo vetëm në rolin e sopranos, por edhe si regjisore e Operas “Pagliacci” që do të ngjitet në TKOB në muajin Maj. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Teatrit të Operas Ilir Kerni.

Deklaratat e tij drejtori Kerni i bëri gjatë provave gjenerale të baletit me dy akte “La Sylphide”, në të cilën në vitin 2007 ishte vetë në rolin e protagonistit, ndërsa sot do të jetë në rolin e koreografit. Për të ky është emocion i veçantë, duke qënë se baleti ka brenda një histori dashurie dhe të gjithë balerinët e përzgjedhur janë të duhurit.

“La Sylphide” është një balet romantik me muzikë të Herman Lovenskiold dhe libret të Adolphe Nourrit dhe do të  ngjitet në skenën e TKOB në datat 27 dhe 28 mars në orën 19:00

Bota
---Piloti i dytë në avionin Germanwing që u rrëzua në Alpet Franceze duket se dëshironte ta shkatërronte avionin, thanë zyrtarë francezë. Prokurori i Marsejës, duke iu referuar incizimeve të kutisë së zezë, tha se bashkëpiloti ishte i vetëm në kabinë. Ai me qëllim kishte nisur zbritjen ndërsa piloti ishte jashtë kabinës ku nuk hynte dot më pasi dera ishte e mbyllur.

Robin tha se "kishte një qetësi absolute ne kabinë", ndërsa piloti përpiqej të hynte brenda. Bashkëpiloti i identifikuar si  Andreas Lubitz, 28 vjeç ishte gjallë deri në përplasjen përfundimtare, thanë prokurorët.

Airbus 320 që fluturonte nga Barcelona drejt Dyseldorfit goditi malin duke vrarë 144 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, pas një rënieje prej tetë minutash.
"Dëgjuam pilotin t'i kërkonte pilotit të dytë të merrte kontrolline  avionit dhe mbylljen e derës. Në momentin që bashkëpiloti kontrollonte avionin  shtypi butonat e sistemit të monitorimit të fluturimit për të aktivizuar zbritjen e avionit. Një veprim i tillë në atë lartësi mund të jetë vetëm i qëllimshëm", tha Robin për gazetarët. 

Interpretimi më i saktë, sipas tij, është se "bashkëpiloti kishte refuzuar hyrjen e pilotit në kabinë, ai aktivizoi butonin për të humbur lartësi për një arsye që ne nuk e dimë ende, por duket se qëllimi ishte shkatërrimi i avionit", tha prokurori. 

Andreas Lubitz nuk njihej për ndonjë lidhje me terrorizmin, shtoi ai. Megjithatë, autoritetet gjermanë po hetojnë për të dhëna më të detajuara në lidhje me të shkuarën e pilotit të dyte dhe jetën e tij private. 

Ndërkaq, të afërmit e 150 pasagjerëve dhe ekuipazhit të vrarë nga rrëzimi i avionit kanë mbërritur në zonë. Lufthansa, e cila zotëron aksionet e Germanwings tha se grupet e planifikuara për të udhëtuar me avionët e saj në dy destinacionet do të transportohen në rrugë tokësore. 

---Të paktën 25 persona u vranë gjatë sulmeve ajrore nën drejtimin e Arabisë Saudite kundër një zone rezidenciale në veri të kryqytetit të Jemenit, Sana, që ndodhet nën kontrollin e rebelëve, tha një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që kontrollohet edhe kjo nga ana e rebelëve huthi.

“Të paktën edhe 40 persona të tjerë janë plagosur. Numri i viktimave është ende jo i plotë”, tha zyrtari, pa saktësuar zonën e bombarduar.

Arabia Saudite, së bashku me 10 vende të tjera arabe, kanë filluar sulmet në Jemen për të mbrojtur presidentin Abd Rabbo Mansour Hadi, i përballur me rebelët huthi, dhe që aktualisht ndodhet në Aden./a.jor/

---Grupet e armatosura palestineze janë shpallur fajtore për krime lufte, për vrasjen jo vetëm të civilëve izraelitë, por edhe atyre palastinezë nga sulmet ajrore në Gaza vitin e kaluar, deklaroi të enjten Amnesty International.

Sipas dy raporteve të mëparshme, ishte Izraeli ai që u akuzua për këto krime nga kjo organizatë. Raporti më i fundit nga kjo organizatë është publikuar vetëm disa ditë para, raport që zyrtarët palestinezë planifikojnë ta paraqesin në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, kundër drejtuesve izraelitë më 1 prill.

Grupet e armatosura palestineze, duke përfshirë dhe krahun e armatosur të Hamasit kanë nisur sulme të vazhdueshme dhe të paligjshme gjatë konfliktit duke vrarë gjashtë civilë dhe duke plagosur shumë të tjerë.

---Ushtria e Shteteve të Bashkuara i ka filluar sulmet ajrore në mbështjete të ofensivës së ripërtrirë të forcave të Irakut, për ta rimarrë kontrollin në qytetin Tikrit, ku gjenden miliantët e Shtetit Islamik (IS).

Një zyrtar i mbrojtjes amerikane i tha agjencisë AFP se operacionet janë në zhvillim dhe bombat po bien. Sipas tij, qeveria e Irakut ka kërkuar sulme ajrore kundër pozicioneve të IS-it dhe Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar fuqinë ajrore në mbështetje të operacioneve në Tikrit.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili ndërmerrë sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik, më herët i ka mbështetur me logjistikë dhe këshilla forcat irakiane, derisa ato e sulmonin Tikritin.

---2014 shënoi numrin më të lartë të azilkërkuesve në botë. Konstatimi vjen në një raport të Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit u regjistruan mbi 866 mijë kërkesa për azil. 

Niveli është më i madhi në 22 vite, pas krizës së Bosnjës dhe shënon një rritje 45% nga viti i kaluar.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 27 mars vransira të përkohshme me shira dhe stuhi lokale, kryesisht në rajonet perëndimore, veriore, ishujt e Egjeut Lindor dhe Dodekanes. 

Mot të paqëndrueshëm me vransira dhe shira lokale do të ketë të premten dhe në Attikë, ndërsa temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 11 dhe 17 gradë Celsius. Vransira me shira dhe stuhi lokale do të ketë të premten në Selanik, ndërsa temperatura minimale dhe maksimale do të jenë 7 dhe 11 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54