Ειδήσεις στα αλβανικά

Το Δελτίο Ειδήσεων στα αλβανικα   29/05/2014

Përdorën fondet e Kadastrës për tepricën primare

Shkelje në fondin e shoqërisë së Kadastrës ka bërë ministri i
Financave, Janis Sturnaras, duke marrë nga taksat e pronarëve të
pasurisë së patundshme shumën 250 milion euro. Shumën që do të jepej
për vazhdimin e projektit, e ka futur në të ashtuquajturën famëkeqe
"tepricë primare", e cila është shpallur nga qeveria si një sukses i
madh.
Shoqëria e Kadastrës Kombëtare dhe hartave A.E. ka ndaluar pagesën
ndaj klientëve dhe furnizuesve, mbylli shërbimet dhe të gjitha
projektet e kadastrës dhe të hartës së pyjeve hidhen në erë, sipas një
artikulli në faqen e parë të gazetës Eleftherotipia.

Kryeministri takohet me presidentin e Republikës

Kryeministri Antonis Samaras është takuar sot në drekë me presidentin
e Republikës, Karolo Papulia.

Kryebashkiaku i Karistos largohet nga Demokracia e RE

U largua nga partia Demokracia e Re, me një letër dërguar z.Antonis
Samaras, kryetari i Bashkisë së Karistos, Nikos Manolis, duke
përmendur ndërhyrjen brutale të zëdhënësit të qeverisë, Simos
Kedikoglu në zgjedhjet lokale në Evia.

SYRIZA: Mblidhet Sekretariati Politik

Është mbledhur sot Sekretaria Politike e SYRIZA, gjatë së cilës është
diskutuar rezultati zgjedhor, por është shqyrtuar edhe strategjia që
do të ndjekë partia periudhën e ardhshme.

Mbledhje e Grupit Parlamentar e Grekëve të Pavarur

Gjithashtu, mblidhet edhe Grupi Parlamentar i Grekëve të Pavarur
(ANEL), ku është vënë çështja e rezultatit negativ të partisë në
zgjedhjet evropiane. Priten ndryshime në pjesën organizative të
partisë.

Përfaqësuesi i PASOK-ut: Konferencë për themelimin e qendrës së majtë
në vjeshtë

Zëdhënësi parlamentar i PASOK-ut, Paris Kukulopulos propozoi një
konferencë për themelimin e qendrës së majtë në vjeshtë me pjesmarrjen
edhe të të zgjedhurve të Pushtetit Lokal, duke thënë se propozimi i
plotë, i cili do të paraqitet publikisht, i adresohet dhe të Majtës
Demokratike, por edhe Potamit.

Jorgos Papandreu: Do të ndihmoj në riorganizimin e qendrës së Majtë

Është gati për të ndihmuar në riorganizimin e qendrës së Majtë, në
mënyrë që të luajë «një rol thelbësor në ndryshimet e mëdha, të
nevojshme për vendin», deklaroi në një intervistë me Deutsche Welle-
ish kryeministri, Jorgos Papandreu.

Ende diskutohet për ligjin zgjedhor

Shfuqizimin e bonus prej 50 vende që sipas ligjit zgjedhor merr partia
e parë në votime, pas fitores që ka shënuar SYRIZA në zgjedhjet
evropiane, diskutuan sot pasdite kryeministri, Antonis Samaras dhe
kryetari i PASOK-ut, Evangjelos Venizelos.
Në tryezë është diskutuar edhe aktualizimi i marrëveshjes dy palëshe,
me kërkesën e zv/kryeministrit. Në axhentën e kryeministrit është edhe
reformimi i qeverisë, që pritet nga mesi i muajit qershor.

SYRIZA është dakort me ndryshimin e ligjit zgjedhor

SYRIZA deklaron se është gati për të votuar për një ndryshim në ligjin
zgjedhor, nën dy kushte: se ai do të jetë "i thjeshtë dhe i drejtë",
proporcional dhe se do të ketë konsolidim të sistemit kushtetues.

Një në tre grekë është i pasiguruar

Në momentin që një në tre grekë janë të pasiguruar dhe më shumë se 20
spitale janë mbyllur, në EOPYY mblidhen komisione dhe madje me tetë
pjesmarrës, përgjegjëse për ilaçet që nuk tregtohen në Greqi dhe për
ilaçe me kosto të lartë për sëmundje të veçanta.
Ndërkohë Greqia është dënuar sipas prioritetit për shkeljen e kufirit
të sigurimeve shoqërore, sepse kërcënohet qëndrueshmëria e sistemit
kombëtar të sigurimeve. Raporti i Komisionit është dënues për
politikën e qeverisë ...
Madje, vë në dukje se përkeqësimi i varfërisë në Greqi nuk është një
fenomen i natyrshëm, por artificial dhe flet edhe për rolin e Trojkës.

Pastrueset: Do të luftojmë deri në fund për të drejtat tona

Të vendosura për të vazhduar protestën e tyre jashtë Ministrisë së
Financave janë pastrueset heroina, që pas drejtësimit të tyre nga
Gjykata e Athinës kërkojnë rivendosjen në vendet e tyre të punës.

POSPERT: Aktivizojmë Evropën për mbylljen e ERT-it

Protesta pan-evropiane me aktivitete jashtë ambasadave greke në
bashkëpunim me UNI/MEI dhe shoqata të tjera njoftoi për në datën 11
qershor, kryetari i POSPERT-it, Panajotis Kalfagiannis.
Kujtojmë se në datën 11 qershor mbushet një vit nga mbyllja në mënyrë
të paligjshme e ERT-it.

Vitaly Churkin: Kaos ushtarak në Ukrainën lindore

Për "kaosin ushtarak" në Ukrainë foli në OKB, ambasadori rus Vitaly
Churkin, pas operacionit në vazhdim kundër të armatosurve pro-rusë.
Nga tribuna e Këshillit të Sigurimit ka dënuar udhëheqjen e Ukrainës,
e cila bashkëpunon me organizatën naziste dhe i kërkoi Kievit të
tërhiqet.

MOTI

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon shira të fuqishme, stuhi
dhe breshër. Era do të fryjë mesatare deri në 7 ballë dhe temperatura
do të shënojë rënie të vogël.
Në Attikë do të kemi vransira dhe pasdite shi dhe stuhi sporadike,
ndërsa temperatura do të arrijë deri në 30ºC.
Në Selanik do të ketë shira dhe stuhi, ndërsa temperatura do të arrijë në 28ºC.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54