Lajmet në gjuhën shqipe 26/11/2014

---Me parulla kundër politikës së memorandumeve dhe mbylljes së ERT-it
kanë demonstruar sot punonjësit në media në grevën 24-orëshe të
Shoqatave të Shtypit.

---Grevë e përgjithshme nesër në sektorin publik dhe privat kundër
miratimit të një buxheti tjetër të memorandumit për vitin 2015, i cili
intensifikon recesionin, zgjeron varfërinë dhe papunësinë,
bashkëvepron në rënien e mëtejshme të Shëndetësisë dhe Arsimit dhe
shkatërron të drejtat e sigurimeve sociale të punonjësve.

---Të kundërshtojmë dhe të reagojmë për të dhënë FUND në sistemin
mesjetar të punës dhe në rënien sociale. Qeveria dorëzon në parlament
një tjetër buxhet të mjerimit, shtypjes së popullit dhe rrënimit të të
gjitha politikave sociale. Abstenimi do të thotë pranim, theksohet në
njoftimin e Qendrës së Punës e Athinës.

---GSEE (Konfederata e Përgjithshme e Punonjësve e Greqisë) dhe ADEDY
(Sindikata e Nënpunësve të Sektorit Shtetëror) u bëjnë thirrje
punonjësve për të marrë pjesë në mitingun masiv të protestës, të
enjten në orën 11:00 në mëngjes në sheshin Klafthmónos, sindikata e
punonjësve komunistë PAME, të njëjtën orë në Omonia, ndërsa Koordinimi
Kundër Mbylljes dhe Disponueshmërisë bën thirrje për një tubim para
mitingut kryesor në orën 10:30 në Mouseío.

---Nuk do të qarkullojnë, për shkak të grevës, gjithë ditën, trenat
dhe periferiku (proastiakós).
Punonjësit e trenit elektrik dhe Metrosë do të bëjnë grevë nga fillimi
i orarit të punës e deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në fund
të turnit.
Tramvajet nuk do të lëvizin nga fillimi i turnit e deri në orën 09:00
dhe nga ora 17:00 deri në fund të qarkullimit.
Në Athinë nuk do të lëvizin autobusët dhe trolleybusët nga fillimi i
turnit e deri në orën 09:00 dhe nga ora 21:00 deri në fund të turnit.
Edhe anijet do të mbeten në portet për shkak të pjesëmarrjes së
Federatës Panhelenike të Punonjësve Detarë në grevë.

---Pastrueset e ministrisë së Financave bëjnë thirrje për të enjten
pasdite në orën 18:00 në rrugën Karagiórgi Servías 10, për një shfaqje
për të gjithë punonjësit e dëbuar nga puna dhe për të papunët me
titullin «Asgjë nuk është më për të kërkuar falje - Típota pia den
eínai gia syngnómi».

---Refugjatët sirianë vazhdojnë grevën e urisë dhe deklarojnë të
vendosur për të mbetur ende në Sýntagma deri për festat. Ata
pretendojnë azil, strehim dhe dokumentet e udhëtimit, pasi kanë ardhur
nga zona të luftës dhe kanë të drejtë për azil politik.

---Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Niko Romanos, i cili kalon
ditën e 17-të të grevës së urisë. Nga dje në mbrëmje kurohet i ruajtur
në spitalin "Geórgios Gennimatás".
Nga ana tjetër, në kushte jashtëzakonisht kritike është shëndeti i
Iraklí Kostárit, që është shtruar në spitalin Evangelismó dhe kalon
ditën e 29-të të grevës së urisë.
Për të dy është mohuar e drejta e tyre legjitime për të ndjekur
mësimet në shkollat që ata kanë kaluar, pas provimeve që kanë dhënë si
të burgosur.

Lajmet nga Bota:

---Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO)
do të ketë tashmë përfaqësinë e saj në Shqipëri.

Një vendim i miratuar sot nga Qeveria, pas propozimit të ministrit të
Bujqësisë, parashikon miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet
palës shqiptare dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin
dhe Bujqësinë, për krijimin e një përfaqësie të FAO-s në Republikën e
Shqipërisë.

 ---Të paktën 95 persona, ku shumica civilë, u vranë nga sulmet ajrore
të zhvilluara sot nga aviacioni i Bachar al Assad në Raqa, bastion i
grupit Shteti Islamik (ISIS), sipas një bilancit të një OJQ-je.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut (OSDH) njoftoi se të paktën
52 nga viktimat ishin civilë, duke theksuar se nuk ishte në gjendje që
të përcaktonte nëse të tjerët ishin xhihadistë të ISIS-it apo jo, që
kontrollon Raqa-në. Sipas drejtorit të OSDH-së, Rami Abdel Rahmane,
disa sektorë të prekur janë pranë pozicioneve të ISIS-it dhe shumë
xhihadistë janë vrarë.
Raqaja është bastioni që kontrollon grupi ekstremist sunit Shteti
Islamik që prej shfaqjes së tij në Siri në pranverën e vitit 2013.

---Një incident ka pasur të paktën 24 të vdekur në një minierë karboni
në veri lindje të Kinës, një aksident që konfiron edhe një herë
rrezikun ekstrem të minierave kineze, njoftoi agjencia zyrtare
“Hsinhua”.

Zjarri, që u përhap në një minierë të provincës së Liaoningut, ka
pasur gjithashtu edhe 52 të plagosur, theksoi agjencia kineze, duke
cituar kompaninë shtetërore që menaxhon këtë minierë, “Fuxin Coal
Corporation”.

Kina, që konsumon gjysmën e karbonit të prodhuar në planet, ka një
sektor minierash me reputacion shumë të keq për shkak të neglizhencës
në çështjet e sigurisë, nga korrupsioni si dhe nga prioriteti që i
është dhënë performancës. Vitin e kaluar, Kina regjistroi të paktën
589 aksidente që kanë të bëjnë me aktivitetin e minierave, ku vdiqën
1.049 perosna, sipas shifrave të qeverisë.

Moti

---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të enjten 27 nëntor
vransira në të gjithë vendin, por ka mundësi të ketë shira si dhe
reshje dëbore, sidomos në zonat malore të Greqisë Veriore.
Temperatura në qendrën e Athinës do të jetë 13 gradë Celsius, ndërsa
në Selanik do të jetë 8 gradë Celsius.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë - dhe në valët e shkurtra në të gjithë
botën.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54