Lajmet në gjuhën shqipe 18/12/2014

---Një tubim është zhvilluar sot jashtë amfiteatrit të radios Athina
9,84 në Technópoli, ku ka folur Kryebashkiaku i Athinës, Giórgos
Kamínis dhe Sekretari i Përgjithshëm i imigracionit dhe kohezionit
social në Ministrinë e Brendshme, Ángelos Syrígos në një eveniment për
Ditën Botërore të Emigrantëve. Tubimi është bërë nga refugjatët
sirianë dhe Iniciativa Solidariteti, që vazhdojnë të kërkojnë
respektimin e të drejtave të tyre, por ndeshen vetëm me indiferencën
dhe represionin.

---Shkelje në të gjitha nivelet e të drejtave civile, politike,
ekonomike dhe sociale në Greqi vëren raporti i Federatës Ndërkombëtare
për të Drejtat e Njeriut me titullin elokuent «Duke degraduar të
Drejtat - Kostoja e Kursimit në Greqi».

---Një tronditje të lehtë ka pësuar skena politike e vendit pas 160
deputetëve që ka mbledhur kandidatura e djeshme e Stávros Dímas. Madje
dhe Konstantínos Mitsotákis është takuar të enjten me kryetarin e
Grekëve të Pavarur, Páno Kamméno, ndërsa me deklarata dhe artikuj të
ndryshëm ndërhyjnë politikanë të dëgjuar, të tillë si Dóra Bakogiánni,
Ánna Diamantopoúlou dh Giórgos Florídis. Në gatishmëri zgjedhore
ndodhet SYRIZA dhe pozicionet e Partisë Komuniste Greke (KKE) ka
zhvilluar dje në Selanik, sekretari i saj Dimítris Koutsoúmbas,
fjalimi i të cilit u transmetua të enjten në mëngjes nga NERIT.

---Dhe ndërkohë, Parlamenti voton amendamente, sikur të mos ketë dhe
ditë të tjera, për t'i votuar. Institucionalizohet puna e papaguar,
fshihen gjoba, anulohen ripyllëzime dhe shembjet e shtëpive të
ndërtuara pa leje, kthehet hapja e dyqaneve të dielave dhe zgjatet për
pesë muaj disponueshmëria e nënpunësve në sektorin publik.

---Qindra familje jetojnë në errësirë në qytetin e Pátrës. Urdhërat
për ndërprerje të energjisë elektrike arrijnë në 30-40, në bazë
ditore, sipas kryetarit të Organizatës Sociale të Bashkisë së
kryeqytetit të Achaïas, Thódoro Toulgarídi.

Shqipëri
---Shqipëria dhe Turqia firmosën të enjten marrëveshjen e tregtisë së
lirë, me qëllim zgjerimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes
dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë
dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Ekonomisë së Turqisë,
Nihat Zeybekci, në Tiranë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, gjatë një deklarate për shtyp,
Ministri Arben Ahmetaj theksoi se “ne kemi firmosur një marrëveshje,
që do i mundësojë vendeve tona të zgjerojnë bashkëpunimin. Synimi ynë
është që bashkëpunimi të jetë i lirë, pa kufi dhe në funksion të
zhvillimit të mëtejshëm të të dyja vendeve”. Ai ritheksoi se miqësia
Turqi-Shqipëri ka një bazë solide dhe të pa cënueshme.

---Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe
miratoi raportin mujor të politikës monetare.
Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend,
si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli
Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar
normën bazë të interesit, në nivelin 2.25%, bëri të ditur BSH-ja.

Bota
---Presidenti amerikan, Barack Obama njoftoi dje për një ndryshim
madhor në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kubën, pasi
udhëheqësit komunistë të vendit liruan amerikanin Alan Gross, që
kishte qenë  burgosur atje për pesë vjet.
Ndërkohë tre kubanezë të burgosur në Shtetet e Bashkuara u liruan.
Zyrtarët amerikanë thanë se kanë në plan të lehtësojnë embargon e
gjithanshme ekonomike të Shteteve të Bashkuara.
Me veprimet e fundit, Presidenti Barak Obama po i jep fund dekadave të
izolimit diplomatik dhe ekonomik të Kubës. Shtetet e Bashkuara i
prishën marrëdhëniet me Kubën në janar të vitit 1961.
Uashingtoni pritet të rihapë pas disa muajsh ambasadën në Havanë.
Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Kubën për çështje të tilla si
imigracioni, lufta kundër drogave, trafikimi i qënieve njerëzore dhe
mjedisi. Uashingtoni pritet të rishikojë vendimin e vitit 1982 që e
klasifikon Kubën si një shtet që mbështet terrorizmin.
Këto hapa mund të shkaktojnë kundërshtimin e disa segmenteve të
komunitetit të gjerë të emigrantëve kubanezë, që tradicionalisht kanë
pasur një ndikim të madh politik dhe financiar.

---Mbi 22 persona u arrestuan në qytetin Zheng Jiu të Kinës, gjatë
hetimeve për skandalin e korrupsionit, në të cilin është përzjerë
industria farmaceutike britanike “GlaxoSmithKline”. Mes të arrestuarve
janë katër drejtuesit e “GlaxoSmithKline”, të cilët akuzohen se kanë
shpërndarë 489 milion dollarë në ryshfete për mjekët dhe zyrtarët e
qeverisë, nëpërmjet kompanive të udhëtimit.

---Një gjykatë ushtarake në Nigeri dënoi me vdekje 54 ushtarë pasi
refuzuan të luftonin militantët e Boko Haramit. Ushtarët u akuzuan se
nuk ndihmuan në çlirimin e tre qyteteve që ishin pushtuar nga Boko
Harami në muajin gusht.
Që nga viti 2009 Boko Harami po shkakton trazira në shtetin afrikan
dhe vetëm gjatë këtij viti nga sulmet e tyre kanë vdekur rreth 2000
persona, ndërsa mijëra të tjerë janë larguar nga banesat e tyre.
Militantët e këtij grupi po kërkojnë të krijojnë një shtet islamik në
veri-lindje të Nigerisë.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 19
dhjetor, mot të mirë në pjesën më të madhe të vendit, por dhe shira
dhe stuh lokale në Egjeun jugor dhe në Kretë.
Mot të mirë do të kemi në Attikë dhe në Selanik. Deri në 18 gradë
Celsius do të jetë temperatura në Athinë dhe 14 gradë Ceksius në
Selanik.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 91,8 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54