Lajmet në gjuhën shqipe 08/01/2015

---Një takim është organizuar jashtë Institutit Francez në rrugën
Sina, që është thirrur nëpërmjet Facebook-ut me iniciativën e
qytetarëve. Në këtë thirrje thuhej: Asnjë dominim, asnjë ideologji,
asnjë mbështetje në fe, asnjë dhunë nuk do të na trembin për të folur,
për të shkruar dhe për të pikturuar ato që duam. Askush nuk do të na
privojë nga e drejta për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore me
emigrantët, askush nuk do të ndajë njerëzit që duan të jetojnë në
shoqëritë e reciprocitetit dhe të rregullave të përbashkëta. Nuk kemi
frikë! Shumë njerëz iu përgjigjën thirrjes, ndërsa flamuri francez
është ngritur në gjysmë shtizë..

---Sot është zhvilluar dhe një demostratë në Qendrën Kulturore të
Bashkisë së Athinës, që kërkon ndërprerjen e menjëhershme të
përndjekjes së shtatë të arrestuarve të datës 28 dhjetor jashtë
librarisë Ianó dhe AT Akrópolis. Gjithashtu, për të premten në orën
09:00 në mëngjes është planifikuar një tubim solidariteti në gjykatat
e Evelpídon, ku zhvillohet gjyqi.

---Gjithashtu në teatrin EMPROS është zhvilluar një aktivitet në
solidaritet me shtatë refugjatët sirianë me aftësi të kufizuara, nga
Lëvizja për Fuqizimin e Personave me Aftësi të Kufizuara: Zero
tolerancë. Gjithashtu, të enjten në mëngjes është bërë një protestë e
refugjatëve sirianë jashtë departamentit të Azilit në rrugën Kateháki.

---Dëbora ishte dhe sot prezente, duke mbajtur peizazhin dimëror në
shumë pjesë të vendit, ndërsa vazhdojnë dhe problemet e furnizimit me
energji elektrike, por dhe dëmtime në rrjetin rrugor.

---Në skenën politike, pritet të përfundojnë sot fletat e votimit me
emrat e kandidatëve.
Ánxhela Geréko njoftoi kalimin e saj në partinë Demokracia e Re, ndërsa
Vasílis Oikonómou që filloi nga PASOK-u, u largua dhe u bashkua me të
Majtën Demokratike dhe më pas u bë i pavarur, me sa duket gjen vendin
e tij në listën e fletëvotimit të territorit të Demokracisë së Re.
PASOK-u do të ketë në krye të fletëvotimit të territorit ish deputetin
e tij Giórgos Florídis, ndërsa Lëvizja e Socialistëve Demokratë e
Giórgo Papandréou kthehet në zyrat e para të PASOK-ut në cepin e
rrugëve Panepistimíu dhe Benáki.
Térens Kouík do të jetë në krye të fletëvotimit të territorit të
Grekëve të Pavarur, ndërsa Vasílis Kapernáros deklaroi se partia e tij
nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, por në zgjedhjet e ardhshme.
Aléka Paparíga do të jetë në krye të fletëvotimit të territorit të
Partisë Komuniste, ndërsa KKE- ml do të marrë pjesë në këto zgjedhje
së bashku me M-L KKE.
Vasílis Vasilikós do të jetë në krye të fletëvotimit të territorit të
së Majtës Demokratike.
Komiteti Qendror i SYRIZA-s vendos sot për të gjitha fletat e votimit,
ndërsa vetë Aleksi Tsipra do të formojë fletëvotimin e territorit.

---Avokati i Popullit me një letër urgjente për ministrin e Brendshëm
vë në dukje se edhe tani ka zgjidhje alternative ligjore, që të
votojnë rreth 100.000 të rinj të moshës 18 vjeç, që kanë lindur në
vitin 1997 dhe nuk përfshihen në listat zgjedhore, një fakt që e
ekspozon më shumë ministrin Argýri Dinópulo, pas zbulimit të
dokumenteve zyrtare në Gazetën e Redaktorëve.

---Në grevë-abstenimi nga çdo punë që ka lidhje me zgjedhjet
përparojnë punonjësit e pushtetit lokal për shkak të mospagesës së
kompensimit që ata duhej të merrnin në zgjedhjet e vitit 2012 dhe
2014.

---I pafajshëm është Tásos Theofílou nga Gjykata e Apelit për akuzën
në lidhje me rezistencën e tij ndaj Autoritetit. Shënohet se për shkak
të kësaj akuze, i burgosuri është detyruar për të dhënë mostër ADN.

Shqipëri
---Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i drejtoi sot letra ngushëllimi
homologëve të tij francezë, Presidentit të Asamblesë Kombëtare të
Francës, Claude Bartolone dhe Presidentit të Senatit Francez, Gerald
Larcher, ku shpreh keqardhjen e thellë për viktimat e sulmit tragjik
në ambjentet e redaksisë së revistës “Charlie Hebdo” në Paris. Në
mesazhin e tij, kreu i Kuvendit dënon aktin e rëndë terrorist, ndërsa
shprehet se autorët e kësaj tragjedie duhet të përballen me ndëshkimin
maksimal.
“Në këtë moment tejet të vështirë për popullin tonë mik francez dhe në
emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, më lejoni t’Ju
përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave dhe
të urojmë një shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur”, vijon
letra e z. Meta.
Kjo ngjarje e shëmtuar dhe e papranueshme për vlerat e demokracisë dhe
tolerancës që popujt tanë përfaqësojnë, na e përforcon bindjen tonë të
palëkundur për forcimin e radhëve të koalicionit tonë demokratik në
luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe kundër çdo force të errët
që cënon lirinë tonë të shprehjes dhe tolerancën e çmuar që gëzojmë
sot në Evropë./ATSH/

---Në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të Ministrisë së Kulturës,
DRKK-Berat njofton se ka përfunduar procesin e kartelizimit të të
gjitha monumenteve të kategorisë së parë dhe të dytë (banesa,
fortifikime, rrënoja arkeologjike) në këtë qark në vitin që sapo lamë
pas.

Kartela e krijuar për çdo monument përmban të dhënat administrative,
të dhëna teknike, dokumentacion grafik dhe hartografik, dhe
dokumentacion fotografik.
DRKK njofton se i gjithë ky proces konsistoi në diagnostifikimin e
detajuar dhe atë fizik të gjendjes së Trashëgimisë Kulturore dhe
përditësimin e rregullt të listës së monumenteve në të gjithë
territorin e qarkut Berat./ATSH/

---Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi të enjten se të gjitha
pagesat e detyrimeve tatimore do të kryhen në bankat e nivelit të dytë
dhe jo në sportelet e Postës Shqiptare.

Tatimet bënë të ditur se pagesa pranë bankave të nivelit të dytë do të
kryhet deri në një noftim tjetër nga ana e organeve tatimore./ATSH/

Bota
---Forcat e policisë dhe xhandarmërisë franceze kanë rrethuar zonën ku
janë parë në mesditë dy të dyshuarit e atentatit kundër ”Charlie
Hebdo” rreth 80 kilometra në verilindje të Parisit, rajon i vendosur
nën nivel alarmi maksimal antiterrorist.

”Dy vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi, të kërkuar për atentatin që
shkaktoi 12 të vdekur, janë parë sot në mesditë në këtë zonë”, sipas
burimeve policore.
”Njësitë e elitës së policisë dhe xhandarmërisë janë pozicionuar për
verifikimin e objektivave pranë qytetit Villers-Cotterets, ku u
braktis automjeti i përdorur nga dy të dyshuarit, identifikuar nga një
dëshmitar”, theksoi një burim policor.
Dy të dyshuarit ishin parë sot në mëngjes nga menaxheri i një pike
karburanti në jug të Villers-Cotteret. Pasi ka qenë viktimë e një
grabitjeje, ai ka njohur zyrtarisht dy personat, të maskuar, me
kallashnikov dhe raketahedhës të ekspozuar”, sipas të njëjtit burim.
Policia ka publikuar fotot e të dyshuarve, Cherif dhe Said Kouachi, 32
dhe 34 vjeç, dy vëllezër, lindur në Paris dhe me kombësi franceze.
Në të gjithë Francën masat e sigurisë janë rritur në maksimum dhe po
ashtu niveli i rrezikut nga sulmet terroriste./ATSH/

---“Atentati i djeshëm në Paris na bën të mendojmë për mizorinë
njerëzore; për terrorizmin e izoluar dhe atë shtetëror. Lutemi për
viktimat e shumta të kësaj mizorie dhe lutemi edhe për mizorët që Zoti
t’i ndryshojë zemrën.”

Këto janë fjalët e Papa Françeskut në meshën e Shën Martës, paraditen
e së enjtes.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten 9 Janar
vransira të pakta dhe ka mundësi të bjerë dëborë në zonat malore dhe
më pak malore të Thessalisë Lindore, të Greqisë Lindore, Évoias,
Kykládes dhe Kretës Veriore në orët e para të mëngjesit dhe përmirësim
të shpejtë në vazhdim.
Në pjesën tjetër të vendit pritet të ketë vransira të dobta, në disa
zona më të dendura dhe në mëngjes do të ketë ngricë në pjesën më të
madhe të vendit.
Mot me diell, por dhe vransira që në mëngjes do të jenë më të dendura
në pjesën veriore dhe ka mundësi edhe dëborë, presim të premten në
Attikë. Temperatura do të variojë nga -2 deri në 6 gradë Celsius. Era
do të fryjë mesatare në drejtimin veriore 4-5 ballë, ndërsa në gjirin
Saronik do të fryjë mesatare në drejtimin veriperëndim 5-6 ballë.
Në Selanik të premten do të ketë vransira të pakta dhe temperaturë të
ulët e cila do të variojë nga -2 deri në 6 gradë Celsius. Era në
Thermaiko do të fryjë mesatare në drejtimin verior.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 91,8 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54