Lajmet në gjuhën shqipe 10/01/2015

---Pesëmbëdhjetë ditë na ndajnë nga zgjedhjet dhe nëntë mijë qytetarë
që nuk duan të votojnë në vendin e tyre të lindjes, nuk do të mund të
votojnë, pasi në vendin e tyre të banimit nuk plotësohet numri minimal
i votuesve që kërkohet, për ngritjen e një vendvotimi.
Edhe një herë mbetet i pazgjidhur problemi i votuesve që janë në vende
të huaja, ose si banorë të përhershëm, apo si emigrantë në vitet e
fundit dhe lehtësisht do të mund të zgjidhej ky problem, me futjen e
votimit postar ose të vendoseshin kuti të votimit në ambasadat greke.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të partive më të shumta, por dhe të
ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, asnjë zgjidhje nuk është dhënë në
çështjen e votuesve 18 vjeçarë, të cilët nuk janë të regjistruar në
listat zgjedhore.

--- Në skenën politike, Antonis Samaras ka paraqitur sot programin
ekonomik të partisë Demokracia e Re në një hotel qendror të Athinës.
Nga fjalimet e frikës që ka mbajtur deri sot, z.Samaras kaloi në
premtime, duke njoftuar reduktime tatimore graduale, duke përfshirë
dhe shumën e taksës së ENFIA-s.

Zëdhënësi i SYRIZA, Pános Skourlétis akuzoi kryeministrin Antoni
Samara se ka mashtruar popullin grek me deklarata të ngjashme kur
ishte në opozitë.

--- Kryetari i SYRIZA, Aleksis Tsipras ka bërë të shtunën një turne në
Árgos, Tíryntha, Náfplio, ndërsa në orën 19:00 ka mbajtur një fjalim
në Korinth dhe të dielën në të njëjtën orë do të flasë në Palestrën e
Mbyllur të qytetit.
Ngritjen e një baze të shëndoshë të lëvizjes bashkëpunuese dhe
çlirimin e fermerit dhe prodhuesit nga prangat e "tatimit të
padrejtë", ka vënë në dukje në fjalimin e tij në Argolída.

--- Në konferencën mbarëkombëtare të PASOK-ut foli sot Evangelos
Venizelos, ndërsa sekretari i partisë komuniste, Dimitris Kutsubas në
një intervistë për gazetën e Redaktorëve bën të qarta objektivat dhe
qëndrimin e Partisë Komuniste në fushatën e zgjedhjeve, por dhe në
periudhën pas-zgjedhore.

Stávros Theodorákis shpalosi sot programin e përpunuar nga POTAMI për
administratën publike dhe kryetari i Grekëve të Pavarur,  Pános
Kamménos ka zgjedhur Dodekanezin, si zonën e tij të dytë zgjedhore.
Së fundi, e Majta Demokratike njoftoi se do të ketë fletvotime në të
gjitha zonat e vendit.

---Një sulm i paparë racist me kërcënimin e një arme, në bujtinën e
refugjatëve ka ndoshur në O̱raiókastro të Selanikut. Siç kanë
denoncuar dëshmitarët, një burrë i panjohur me një armë hyri në
oborrin e bujtinës ku ndodheshin të mitur të pashoqëruar të
refugjatëve, duke i kërcënuar dhe bërtitur.
Personi në fjalë që u arrestua nga policia dhe është dërguar tek
prokurori, sipas informacioneve, thuhet se është një ish-kryetar i
institucionit TEI të Selanikut dhe anëtar i Demokracisë së Re.

--- Ftesë të hapur për votuesit e Agimit të Artë bëri deputetja e
Demokracisë së Re, Dora Bakojanis në internet me një tweet të sotëm,
në të cilin fjalë për fjalë thotë: Unë u bëj thirrje atyre që u
larguan për të shkuar në radhët e Agimit të Artë, të kthehen dhe të
mbështetin forcat e shëndetshme për çështjen e imigracionit.

---Kryeson SYRIZA në katër sondazhe të reja me një diferencë që fillon
nga 2,7 deri në dhe 5,5%.

---Vazhdon përpjekja për rihapjen e ERT-it në Gjykatën Evropiane të të
Drejtave të Njeriut, në të cilën ka apeluar POSPERT-i, duke
argumentuar se mbyllja e ERT-it shkel nenin 10 të Konventës Evropiane
për të Drejtat e Njeriut.

---Një tërmet prej 4,2 gradë ka ndodhur të shtunën në orën 16:00 me
epiqendër zonën detare në brigjet e Siteías në Kretë.

Shqipëri
---Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore
Vjollca Braho bën të ditur se rreth 16.000 gra në të gjithë Shqipërinë
preken nga skema e re e pensioneve që ka hyrë në fuqi në datën 1 janar
të këtij viti.

Nëse një grua, me ligjin e vjetër mbushte 60 vjeç në muajin janar dhe
përfitonte pension, me ligjin e ri duhet të presë edhe dy muaj që të
përfitojë nga kjo e drejtë. Skema e re parashikon, që duke filluar nga
viti 2015 mosha e daljes në pension për femrat të rritet me dy muaj
çdo vit deri në vitin 2032. Rritjen graduale të moshës së daljes në
pension të grave, Braho e argumenton me rritjen e jetëgjatësisë.
Sipas skemës së re sa më shumë kontribute të kesh gjatë viteve të
punës, aq më i lartë do të dalë pensioni.
Risi sipas Drejtoreshës Braho është edhe dhënia e pensionit social për
të gjithë ata që nuk kanë plotësuar 15 vite kontribute, duke i dhënë
atyre 6750 lekë në muaj.
Nga kjo e drejtë përfiton çdo i moshuar që ka mbushur 70 vjeç dhe që
është me qëndrim në Shqipëri të paktën 5 vitet e fundit dhe që nuk ka
të ardhura të tjera.

---Ish-ambientet e Kinostudios do të jenë selia e re e Ministrisë së Kulturës.
Godina që mbarti historinë e filmit shqiptar gjatë periudhës së
sistemit komunist, nis sot një tjetër histori. Pas një rikonstruksioni
të plotë ajo do të jetë ‘shtëpia’ e re e Ministrisë së Kulturës, pas
disa vitesh zhvendosje nga një objekt në tjetrin, ku i fundit ishte
godina e njohur dikur si Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Shqipërisë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ministrja e Kulturës, Mirela
Kumbaro, tha se godina e re nuk do të jetë vetëm shtëpia e
administratës së dikasterit, por e të gjithë aktorëve të skenës, si
dhe e partnerëve ndërkombëtarë e lokalë.
Kumbaro vuri në dukje se viti 2015 do të jetë një vit me reforma
konkrete në fushën e kulturës, ku spikasin projektet në fushën e
trashëgimisë kulturore.

Bota
---Të paktën 700.000 persona manifestuan sot në të gjithë Francën në
kujtim të 17 viktimave të sulmeve terroriste që tronditën vendin gjatë
katër ditëve të fundit, deklaroi sot ministri i Brendshëm francez,
Bernard Cazeneuve..

Këto manifestime i paraprijnë atij të dielën në Paris me pjesëmarrjen
edhe të presidentit François Hollande dhe të liderëve të tjerë
evropianë.
Manifestimi më i madh deri tani është ai i Tuluzës me më shumë se 80.
000 persona.
”Jam kundër racizmit!” dhe ”Jam për laicitetin!” ishin dy nga
parrullat e para më shpesh mes manifestuesve.
Në Nantë u grumbulluan të paktën 30.000 persona me një pankartë të
madhe ku shkruhej ”Të jetojmë së bashku, të lirë, të barabartë dhe
solidarë!”. Dhjetëra mijëra persona manifestuan sot edhe në disa
qytete të tjera në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste.
Në Pau, në juglindje, të paktën 30.000 persona janë mbledhur për një
tubim të heshtur.
Në Orleans, në pjesën qendrore te vendit, bëhet fjalë për 22.000
persona, ndërkohë që në Nisë, në juglindje, të paktën 23.000
manifestues janë mbledhur deri tani, sipas burimeve policore.

---Uashingtoni dhe Evropa shprehën solidaritetin e tyre me Parisin, ku
të gjithë drejtuesit evropianë do të shkojnë të manifestojnë të dielën
për të mbështetur Francën, zhytur në zi si pasojë e atentateve të
përgjakshme pasuar nga pjengmarrjet duke përjetuar një tragjedi.

Ndërkohë që këto ngjarje të pazakonta që prej 40 vjetësh në Francë
vazhdojnë të trondisin mbarë botën, presidenti amerikan shfaqi
solidaritetin e SHBA-së kundrejt Francës duke e vënë theksin tek
vlerat universale të përbashkëta si liria.

”Presidenti francez, François Hollande do të marrë pjesë nesër në
”marshimin republikan” në Paris në kujtim të viktimave të masakrës së
kryer nga tre xhihadistët të mërkurën, të enjten dhe të premten”,
njoftoi dje presidenca.

Edhe drejtuesit krysorë evropianë si kryeministri britanik, David
Cameron, spanjoll, Mariano Rajoy, kancelarja gjermane Angela Merkel,
italian, Matteo Renzi, drejtuesit evropianë, Jean-Claude Juncker,
Donald Tusk edhe Federica Mogherini, kanë njoftuar tashmë pjesëmarrjen
e tyre në këtë manifestim me ftesë të François Hollande.

”Jam e impresionuar nga kohezioni i popullit francez përballë këtyre
sulmeve barbare”, theksoi kancelarja gjermane Merkel, që do të
shoqërohet nga ministri i Brendshëm, Thomas De Maiziere

”Edhe kryeministri turk, Ahmet Davutoglu konfirmoi pjesëmarrjen në
manifestimin e të dielës në Paris kundër terrorizmit, organizuar pas
sulmeve kundër ”Charlie Hebdo”, theksoi agjencia e lajmeve Anadolli
Azhans. Davutoglu do të jetë drejtuesi më i rëndësishëm i një vendi me
shumicë myslimane i pranishëm në manifestim

Duke parë kërcënimin terrorist, evropianët mobilizohen. Me iniciativë
të Ministrit të Brendshëm, Bernard Cazeneuve, homologëve evropianë,
por gjithashtu edhe amerikanë do të mblidhen të dielën në Paris për
një takim urgjent.

---Regjisori i njohur italian, Francesco Rosi, autor mes të tjerash
edhe i filmit “L’Affaire Mattei” me të cilin fotoi Çmimin e Madh të
Festivalit të Kanës në vitin 1972, vdiq sot në shtëpinë e tij në Romë
në moshën 92-vjeçare, njoftoi media italiane.

Sipas gazetës italiane ”Corriere della Sera”, regjisori dhe skenaristi
i njohur, vuante prej disa javësh nga një bronkit i rëndë.
Francesco Rosi u lind më 15 nëntor 1922 në Napoli. Në vitin 1948 merr
pjesë së bashku me Luchino Viscontin në realizimin e filmit “La terre
tremble”. Me Viscontin ai bëri edhe filmin e njohur “Bellissima”.
Rosi njihej si mjeshtër i filmave investigativë ku “Salvatore
Giuliano” bëri xhiron e botës në vitin 1961.
Në vitin 1963 me filmin “Main base sur la ville” mori çmimin Luani i
Artë në Venecia.

 Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të dielën 11 Janar
mot me diell, por dhe vransira të dobta, të cilat në rajonet
perëndimore gradualisht do të dendësohen dhe në mbrëmje do të ketë
shira si dhe rritje të temperaturës.
Në Attikë, temperatura minimale do të 4 gradë Celsius dhe temperatura
maksimale 15 gradë Celsius, ndërsa në Selanik temperatura minimale do
të jetë 2 gradë Celsius dhe ajo maksimale 15 gradë Celsius.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën,
por dhe në valët FM 91,8 në Athinë.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54