Lajmet në gjuhën shqipe 12/05/2015

---Ministri grek i Financave, Ganis Varufakis tha se gjendja financiare e vendit të tij është tejet urgjente dhe brenda pak javësh mund të shfaqet e plotë.

Paralajmërimi erdhi pas takimit me ministrat e Finacave të Eurozonës në Bruksel, ku u diskutua për paketën e fundit të ndihmës për Greqinë, në vlerën e  7,2 miliardë eurove.

Ministrat e Financave të Eurozonës thanë se Greqia ka shënuar progres, por nevojitet edhe më shumë punë.

Presidenti i Eurogrupit Jeroen Dijesselbloem tha se, “shpresojmë të arrijmë një marrëveshje përpara se koha dhe paratë të mbarojnë”.

Greqia ka kohë deri në fund të Qershorit për të arritur marrëveshjen për reformën me kreditorët ndërkombëtar. Financat e saj janë aq të ulta, saqë duhet t’i kërkojë ndihmë organizmave publikë. Kriza po shton frikën se Greqia do të bjerë në kolaps financiar dhe do të dalë nga Eurozona, nga e cila kërkohet me ngulm një rregjim rigoroz reformash, përfshirë reduktimin e pesioneve.

Qeveria greke po përpiqet të përmbushë në kohë shlyerjen e detyrimeve. Ajo i pagoi Fondit Monetar Ndërkombëtar, një ditë para afatit, interesat e borxhit në vlerën e 750 milionë eurove.

---Ministrat e Financave të zonës euro përshëndetën progreset në negociatat mes autoriteteve greke dhe kreditorëve të tyre duke këmbëngulur në faktin se më shumë përpjekje ishin të nevojshme në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje, sipas një komunikate të shkurtër.

“Ne përshëndesim përpjekjet e autoriteteve greke për të përshpejtuar punën me institucionet”, vijon teksti i publikuar në përfundim të një takimi të Eurogrupit në Bruksel duke kujtuar se dhënia e ndihmës pritur nga Athina ishte e kushtëzuar nga një marrëveshje me kreditorët, BE dhe FMN.

---Është mbledhur Kabineti qeveritar nën drejtimin e Kryeministrit Aleksis Cipras, në të cilin vlerësohet situata e formuar pas komunikimit të takimit të Eurogrupit dhe do të përcaktojë taktikën si dhe hapat e ardhshme në negociatat me ... «institucionet».

---Me votimin me emër në seancën plenare të Parlamentit është miratuar në parim Projektligji për Arsimin, me 145 vota pro dhe 102 kundër. Debati vazhdon për nenet e projektligjit.

---Heqjen e imunitetit të deputetit të Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris vendosi Plenumi i Parlamentit me 190 vota për, 18 kundër dhe 17 të pranishëm.

---Komiteti i Etikës i Parlamentit është kufizuar në një tekst për dënimin e deputetit të Agimit të Artë, Giánni Lago në lidhje me incidentin që shkaktoi javën e kaluar me deputeten e Partisë Komuniste, Liana Kanelli. 

Komisioni hodhi poshtë propozimin e SYRIZA-s për një propozim dënimi të sjelljes së tij joparlamentare.

---Emigracioni, azili dhe tragjeditë e fundit të njeriut në Mesdhe kanë qenë në qendër të Konferencës së 2-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Bashkimit për Mesdheun, mbajtur dje në Lisbonë të Portugalisë.

Në fjalën e saj, kryetarja e Parlamentit grek, Zoí Konstantopúlu theksoi se «Parlamentet duhet të marrin një rol më aktiv nga ai i vëzhgimit dhe i konkluzioneve», duke vënë në dukje, ndër të tjera, se në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore nuk duhet të vihet në rrezik jeta e njeriut dhe se dhënia e azilit nuk është një akt bamirësie, por një detyrim ndërkombëtar dhe një e drejtë themelore e njeriut.

---Federata Panhelenike e Punonjësve të Pijeve me një njoftim të saj shpreh solidaritetin për kolegët që u plagosën rëndë dhe kurohen në spitalet Thriásio dhe Attikó, nga zjarri që ka shpërthyer në rafineritë e Aspropirgos. 

P.O.E.EP thotë se edhe ky aksident në punë tregon për kushtet e tmerrshme të sigurisë në të cilat punojnë dhjetëra mijëra punëtorë me qira, pa u marrë parasysh integriteti i tyre fizik dhe vetë jeta e tyre.

---Kritikë të ashpër për mënyrën e funksionimit të ERT-it të ri i bën qeverisë, duke folur në radion Sto Kokkino, kryetari i departamentit të Universitetit të Mediave të Athinës, Giórgos Pliós për shkak të përzgjedhjes së personave të rinj në drejtorinë e transmetuesit publik.

«Modeli i ERT-it të ri mban varësinë nga qeveria dhe nuk është një hapje në shoqërinë e qytetarëve. Radiotelevizioni publik gjithmonë kërcënohej nga pushteti politik dhe qeveritë përkatëse ndaj ishte shumë i drejtë njoftimi zgjedhor i Syriza, që fliste për hapjen e televizionit publik në shoqëri, diçka që është në kundërshtim me planin aktual të funksionimit të ERT-it të ri» theksoi profesori i Mediave, Giórgos Pliós dhe shtoi duke thënë:«Përzgjedhjet janë të paracaktuara dhe tregojnë një orientim në konkurrencën e shtypit privat».

«Njerëzit ndjehen të zhgënjyer sepse ata humbasin një shans të artë për transmetuesin e shërbimit publik, së pari për shkak se televizioni privat shkon drejt shkatërrimit dhe një ERT cilësor do të kishte mundësinë për të plotësuar nevojat e publikut dhe së dyti për shkak se kuadri i funksionimit të ERT-it të ri, ecën në rrugën e gabuar», plotësoi ai.

---Çështja e lidhjes ajrore e Hanias në ishullin e Kretës me Turqinë ka dominuar javën e kaluar në një takim që kanë mbajtur në Hania, përfaqësues të degëve turistike dhe biznesmenë të turizmit nga Turqia me Shoqatën e Hotelierëve të Hanias.

Përfaqësuesit e turizmit nga Turqia kanë vizituar Kretën të shoqëruar nga gazetarë dhe kanë pasur një sërë takimesh me palët e interesuara në turizëm, në mënyrë që të rrisin fluksin e turistëve në Hania me fluturime direkte të aeroplanëve nga aeroportet turke në drejtim të aeroportit «Ioánnis Daskalogiánnis».

Me të dhënat aktuale, lëvizja e turistëve turq me fluturime të drejtpërdrejta në Hania bëhet nga aeroporti i Mytilínit, ku mbërrijnë turistë me anije nga brigjet e Turqisë. Qëllimi i operatorëve turistikë nga Turqia është rritja e fluksit turistik në Hania, sidomos gjatë muajve të pikut atje, ndërsa për vitin 2016 është planifikuar të ketë një dyfishim të fluturimeve në aeroportin e qytetit.

Për përpjekjet e Shoqatës së Hotelierëve të Hanias për të bashkuar zonën me aeroportet e Turqisë ka folur dhe Kryetari i saj, Manólis Giannúlis. Siç tha ai, «përpjekja ka nisur gjashtë muaj më parë. Objektivi i Shoqatës është që të fillojnë fluturimet nga aeroportet e Izmirit, Ankarasë dhe Kostandinupolit». 

Shqipëria
---Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti të martën Madhërinë e Tij, Abdullah II-të, Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, ne vizitën e pare zyrtare në Tiranë.

Pas ceremonisë së pritjes në Presidencë dhe takimeve dypalëshe, dy zyrtarët e lartë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, duke shprehur nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të tyre.

Kreu i shtetit shqiptar dhe monarku jordanez vlerësuan bashkëpunimin për konsolidimin e paqes në rajonet respektive ku dy vendet bëjnë pjesë, Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme, ndërsa shprehën angazhimin për koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

---Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, do të vizitojë të mërkurën (13 maj) Tiranën.

Axhenda e Presidentit Erodgan do të nisë me ceremoninë zyrtare të pritjes në Presidencë në orën 10:00. Më pas do të mbahet takimi kokë më kokë mes dy presidentëve, takimi i delegacioneve si dhe nënshkimi i marrëveshjeve. Në orën 12:00 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në orën 14:00 Presiedenti Erdogan do të takohet me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa në orën 15:00 do të zhvillohet ceremonia e fillimit te punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, në prani të dy Presidentëve Nishani dhe Erdogan.

Axhenda e Presidentit turk vijon me takimin me kryeparlamentarin Ilir Meta, në orën 16:30, ndërsa në orën 18:15 Erdogan do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri-Turqi, në Hotel Sheraton.

Presidenti turk Erdogan do të shoqërohet në këtë vizitë nga një grup biznesmenësh turq që pritet të jetë mbi 100. Në fillim të marrjes së mandatit, kryeministri Rama e shpalli Turqinë si partnere strategjike të Shqipërisë. Në maj të vitit 2014 Presidenti Erdogan anuloi vizitën për shkak të një tragjedie në një miniere në Turqi, ku gjetën vdekjen 201 minatorë.

Kryeministri Rama disa javë më parë në një forum biznesi në Stamboll ftoi investitorët turq të investojnë në Shqipëri, në 5 sektorë prioritarë, energjia, nafta, mineralet, turizmi dhe bujqësia, ku mundësitë për investime janë të mëdha. /a.ke/

---Në fund të një vizite dyditore në Tiranë, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, theksoi të martën nevojën për të përdorur vrullin e momentit për reformimin e transmetuesit publik në Shqipëri.

Gjatë vizitës, ajo trajtoi, gjithashtu, çështje si pluralizmi i medias dhe përqendrimit i medias, veçanërisht gjatë procesit të kalimit në transmetimet numerike; pavarësia e organit të rregullimit të transmetimeve; të drejtat e punës të gazetarëve dhe liria e internetit. Në takimet e saj me zyrtarë të lartë të qeverisë, Përfaqësuesja ngriti edhe shqetësimin e saj për propozimin për të shfuqizuar nenin 62 të ligjit për mediat audiovizive, që rregullon përqendrimin e medias, si për ndryshimet në Kodin Civil që do t’i bënin pronarët e faqeve në internet përgjegjës për komentet online.

Në takimet e saj me gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile, Mijatović diskutoi për zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit dhe për të drejtat e punës së gazetarëve. Ajo vuri në dukje, gjithashtu, raportin e fundit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me problemet e sociale dhe ekonomike me të cilat përballen gazetarët.

Gjatë vizitës së saj, Mijatović u takua me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ministren për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, kryetarin dhe nënkryetarin e komisionit të medias, Genc Pollo dhe Alfred Peza, kryetarin dhe nënkryetarin e organit rregullues të mediave audiovizie AMA, Gentian Sala dhe Sami Neza, kryetarin e këshillit të transmetuesit publik RTSH, Kristaq Traja, gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

E ftuar nga ministri i Jashtëm, Bushati, Mijatović foli edhe në një konferencë për lirinë e medias, më 11 maj, në Tiranë, që shënoi 20-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

---Në Ditën Botërore të Infermierisë, e cila festohet çdo vit më 12 Maj, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë me temën “Infermieria Shqiptare Drejt Standardeve Europiane: Arritje dhe Sfida”.

Gjatë fjalës së tij, ministri Beqaj nënvizoi rëndësinë e testimit për të gjithë infermierët, duke zhdukur çdo spekullim që testimi do të heqë nga puna infermierë apo do të ndikojë në pagën e tyre.

“Përballja ime e parafundit me Urdhrin e Infermierëve ishtë në gjykatë. Sigurisht, që unë jam i vetëdijshëm se asnjë infermier me të ardhurat që mer nuk mund të përballojë konferencat e ndyshme për të marë kredite. Por ajo që kemi mundur të bëjmë lidhet me furnizimin me barna në spitale si dhe komunikimin njerëzor me pacientët.

Më tej ai shtoi se, “ne nuk kemi hequr dorë nga qëndrimi ynë në lidhje me testimin, por jam sot këtu sepse ne duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët. Ndaj, për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor na duhet të bëjmë këtë testim. Që të jeni të gjithë të bindur se ky testim nuk do t’ju prekë as vendin e punës, as pagat tuaja”, iu drejtua Beqaj infermierëve të pranishëm./m.m/

Bota
---Të paktën 16 persona u vranë nga një tërmet tjetër me magnitudë 7,3 ballë Rihter që goditi sot Nepalin, sipas një bilanci të agjencisë nepaleze për menaxhimin e katastrofave.

Ky tërmet ka plagosur 335 persona, sipas një informacioni të agjencisë, të publikuar në rrjetin social Twitter, më pak se tre javë pas një tërmeti shkatërrues që goditi vendin dhe shkaktoi vdekjen e të paktën 8 000 personave./ec/

---President francez, François Hollande vlerësoi dje interesin e Francës dhe Bashkimit Evropian për Kubën gjatë një vizite të pazakontë për një president francez, shënuar nga takime të gjata me vëllezërit Castro.

François Hollande, presidenti i parë francez që zhvilloi një vizitë zyrtare në Kubë, takoi dje babain e revolucionit kubanez, Fidel Castro, me të cilin presidenti francez u shpreh se kishte përjetuar një moment historik.

Takimi, i zhvilluar me dyer të mbyllura në shtëpinë e ish-presidentit 88-vjeçar tërhequr nga pushteti që prej vitit 2006, u mbajt i fshehtë deri në momentin e fundit.

Presidenti i parë perëndimor që shkon në Kubë që prej njoftimit për përmirësimin e marrëdhënieve mes ishullit dhe SHBA-së, Hollande u shpreh menjëherë para komunitetit francez se e kishte dëshiruar prej kohësh këtë moment historik. “Kisha përballë një njeri që ka bërë histori. Ka pasur debate të mëdha mbi atë që mund të jetë vendi i tij, përgjegjësitë e tij, por duke ardhur në Kubë kisha shumë dëshirë të takoja Fidel Castron”, theksoi ai duke shtuar se Lideri Maximo kishte folur shumë.

Gjatë një fjalimi në Universitetin e Havanës, ai foli për heqjen e embargos ekonomike amerikane, që sipas tij ka penguar zhvillimin e ishullit komunist që prej vitit 1962. Presidenti socialist theksoi se kishte takuar babain e Revolucionit kubanez, Fidel Castro, privilegj i rrallë për një president perëndimor. Takimi zgjati rreth 50 minuta, sipas Elyse-së./ec/

---Terroristët e ISIS-it do të mbërrijnë në Itali gjatë javëve të ardhshme, në bordin e anijeve të mbushura me emigrantë klandestinë, deklaroi Omar al Garawi, ministri libian i Informacionit i qeverisë libiane të Tobrukut, e vetmja e njohur nga komuniteti ndërkombëtar si e ligjshme.

“Gjatë javëve të ardhshme Italia do të përjetojë jo vetëm mbërritjen e emigrantëve të varfër klandestinë nga Afrika, por edhe anijet që transportojnë pjesëtarë të ISIS-it”, deklaroi Al Garawi, i cili ndodhet për një vizitë tranzit në Kajro.

“Forcat e armatosura libiane duhet të jenë të mirëpajisura për të përballuar emigracionin klandestin, si marina që mbron brigjet libiane ashtu edhe ushtria që mbron kufirin tokësor”, këmbëngul Al Garawi. 
”Për të luftuar terrorizmin libianët duan heqjen e embargos kundër armëve, pasi janë në gjendje të paguajnë për të blerë armët e nevojshme për rivendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon”, theksoi ai./ a.jor.

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Mërkurën, 13 Maj mot të mirë në përgjithësi, me shira lokale në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior në Egje nga 6 deri në 7 ballë. 

Në Attikë parashikohet në përgjithësi mot i mirë me vransira të pakta në mesditë dhe pasdite në zonat perëndimore dhe veriore. Era do të fryjë mesatare në drejtimin verior nga 4 deri në 6 ballë dhe në lagjet lindore deri në 7 ballë. Temperatura do të variojë nga 13 deri në 26 gradë Celsius, ndërsa në zonat veriore të saj, temperatura maksimale do të jetë dy me tre gradë më e ulët.

Në Selanik, moti do të jetë në përgjithësi i mirë me re të pakta në mesditë dhe pasdite. Era do të fryjë mesatare në drejtime të ndryshme nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 12 deri në 25 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54