Lajmet në gjuhën shqipe 13/05/2015

---Është zhvilluar pak përpara orës 18:30 mbledhja e Këshillit të Qeverisë në pallatin Maksimu. Ky është takimi i tretë në katër ditë, një veprim që tregon momentet kritike dhe përpjekjen e qeverisë për të «mbyllur» sa më shpejt të jetë e mundur marrëveshjen me partnerët.

Qeveria, në përgjigje të kritikave të institucioneve se nuk ka pozicione, vazhdon me regjistrimin e propozimeve në drejtim të institucioneve, që të duken lëshimet e bëra deri më tani, ndërsa teksti do të publikohet në ditët e ardhshme. Për qeverinë stacioni është Samiti i Lartë në datat 20 dhe 21 maj.

Athina insiston që të ketë dhe një takim të Eurogrupit më 22 maj, ditën tjetër të Samitit dhe huadhënësit dëshirojnë që të vendoset mbledhja në 25 maj, në mënyrë që të jetë më i madh presioni, pasi vështirë se do të mblidhen të holla për pagimin e pagave dhe pensioneve në gjysmën e dytë të muajit maj.

Objektiv për tepricë primare pak më shumë se 1% të PBB-së kërkojnë partnerët, sipas agjencisë Bloomberg. Në qoftë se nuk merren masa shtesë, vendi është i kërcënuar me një deficit prej 0,5% të PBB-së.

---Çështjet e taksave që kanë të bëjnë me negociatat janë në qendër të këshillit qeveritar që është mbledhur në pallatin Maksimu, i kryesuar nga kryeministri Aleksis Cipras. 

Për qeverinë greke nuk vihet ndonjë çështje e "zgjidhjes Mayer" për monedhë të dyfishtë ka raportuar më parë ministri i Financave, Giánis Varufákis, duke vënë në dukje se për Athinën ka vetëm një zgjidhje politike.

---Qeveria greke ka nevojë për të gjetur të paktën tre miliardë euro përmes masave fiskale shtesë deri në fund të vitit të këtij viti, për të përmbushur objektivat minimale fiskale të pranuara nga kreditorët, sipas thënieve të disa zyrtarëve që kanë njohuri të bisedimeve.

Siç raporton një publikim i Bloomberg, këto shkurtime do të sjellin tepricën primare për vitin 2015 pak mbi 1% të PBB-së, të cilin Ministri i Brendshëm grek Nikos Voucis e konsideron të pranueshme. Pa ndonjë ndryshim në politikën fiskale, Greqia do të mbyllë vitin 2015 me një deficit prej rreth 0,5% të PBB-së, tha zyrtari. Në të ashtuquajturin buxhet primar të qeverisë nuk janë përfshirë pagesat e interesit dhe amortizimit.

Greqia, përqindja e borxhit të së cilës në lidhje me PBB-në është më e madhja në Evropë, është ende në bisedime me qeveritë evropiane dhe FMN-në për kushtet që lidhen me shumën për shpëtimin e saj prej 240 miliardë euro. Pasiguria në lidhje me atë nëse do të zbatojë një sërë masash reformuese për të marrë më shumë para nga huadhënësit e saj ka shkaktuar probleme serioze në likuiditet, që detyroi Komisionin Evropian të rishqyrtojë javën e kaluar parashikimet e tij për deficitin dhe borxhin.

---«Greqia nuk ka përdorur një mënyrë dhe kaq konvencionale për të shlyer FMN-në», theksoi kryetari i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

Duke folur në rrjetin televiziv holandez z.Dijsselbloem theksoi se «mënyra që ka zgjedhur Greqia për të paguar FMN-në nuk është ajo që ndiqet zakonisht. Por, është një mënyrë që mund të përdoret vetëm një herë».

Duke iu referuar zhvillimeve në negociatat, përsëriti se koha po kalon dhe ende mbeten disa mosmarrëveshje midis Greqisë dhe kreditorëve për reforma të caktuara, të cilat, megjithatë, nuk i ka zbuluar.

---Vullnetin e tyre të përbashkët, që Egjeu të jetë një det paqeje dhe bashkëpunimi, shprehën ministrat e Jashtëm të Greqisë, Nikos Koxias dhe Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu gjatë konferencës për shtyp që dhanë pas takimit të tyre në Ankara.

Të dy ministrat theksuan gjithashtu vullnetin e tyre për zgjidhjen e problemit qipriot dhe faktin e rëndësishëm që edhe këtë vit të mos të humbet një shans i madh përsa i takon kësaj çështjeje.

Takimi i shefave të diplomacive greke dhe turke, zgjati rreth dy orë dhe u zhvillua në një klimë të jashtëzakonshme miqësore dhe gatishmërie për t’u gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet.

Sipas z.Koxias, kulmi i kontakteve të tij dyditore në Turqi ishte takimi me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, në pallatin presidencial në Ankara, që gjithashtu u zhvillua në një klimë të ngrohtë.

---Tepricë primare prej 2,164 miliard euro ka paraqitur buxheti në katër muajt e parë të këtij viti krahasuar me suficitin primar prej 1,046 miliard euro për të njëjtën periudhë në vitin 2014 dhe objektivit për një deficit primar prej 287 milion euro.

Kjo del nga të dhënat e përkohshme të zbatimit për buxhetin e shtetit, sipas të cilit deficiti i përgjithshëm i qeverisë në katër muajt e parë arriti në 508 milion euro kundrejt deficitit prej 1,146 miliard euro në periudhën përkatëse të vitit 2014 dhe objektivit për një deficit 2, 918 miliardë euro.

Shuma e të ardhurave neto të buxhetit të shtetit arriti në 15,816 miliard euro duke paraqitur një rritje prej 372 milionë euro ose 2,4% të objektivit.
Të ardhurat neto të buxhetit të zakonshëm arritën në 14,291 miliard euro, me ulje rreth 92 milionë euro ose 0,6% kundrejt objektivit.

Kthimi i të ardhurave arriti në 943 milion euro, duke shënuar një rritje prej 100 milionë euro kundrejt objektivit (844 milion euro).

---Aígina piktoreske dhe Samothráki shumë i bukur përfshihen në listën - kushtim që ka publikuar Guardian me dhjetë ishujt më të mirë evropianë, të cilët nuk janë aq të njohur në mbarë botën.

Këto parajsa janë ideale për ata që duan të shpëtojnë nga turistët e shumtë dhe të kalojnë pushimet e tyre me shëtitje të qeta, me sporte interesante të ujit ose thjesht duke shijuar qetësinë dhe detin.

«Vini për detin dhe mbeteni për qetësinë», shkruan artikulli për Aíginën, duke bërë një referencë të veçantë për distancën e shkurtër të ishullit nga kryeqyteti dhe për tavernat me peshk të mirë që mbeten të paharrueshme për vizitorët. Ishulli është gjithashtu ideal për shëtitje të gjata në mes të rrënojave të kishave, livadheve të bukura me lule të egra dhe kodrave të larta.

Sa për Samothrákin, kushtimi referohet në bukurinë e pacënuar natyrore të ishullit dhe monumentet e tij të shumta të lashta. «Përveç shumëllojshmërisë së shtigjeve për ecje në këmbë, rrugën idilike deri tek ujëvarat dhe plazhet e vetmuara, profilin e panjohur të ishullit e plotësojnë burimet e nxehtë legjendare të tij», shënon artikulli.

Shqipëria
---Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mikpriti sot Presidentin turk Recep Tayyp Erdogan, i cili, i shoqëruar nga një grup i madh sipërmarrësish, po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Pas takimit kokë më kokë, dy Presidentët në konferencën e përbashkët për shtyp, vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe angazhimin e palëve për nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Krerët e të dy shteteve reaguan dhe për zhvillimet e fundit në Maqedoni, duke kërkuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

---Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, do të zhvillojë në 27 maj një vizitë zyrtare në Tiranë, njofton gazeta “Danas”, duke iu referuar kabineteve të kryeministrave të Serbisë dhe Shqipërisë.

Sipas gazetës, siç transmeton Kosova Press, do të jetë kjo vizita e parë zyrtare e një zyrtari serb në Shqipëri në nivelin më të lartë.

Mikpritës i kryeministrit serb do të jetë kryeministri Edi Rama, i cili më 10 nëntor 2014 qëndroi në Beograd, në vizitën e parë të një zyrtari të Shqipërisë në 68 vitet e fundit.

Duke paralajmëruar vizitën e Aleksandar Vuçiç, në Shqipëri, këshilltari i kryetarit të qeverisë së Shqipërisë (Shkëlzen Maliqi) thotë se kryeministrat Rama e Vuçiç “po trasojnë kthesën e rëndësishme në shtegun që do të jetë bosht paqeje e stabiliteti në rajon”. /KosovaPress/k.s/

---Personat me aftësi të kufzuar dhe komuniteti egjiptian dhe rom përballen çdo ditë me nivelin e lartë të përjashtimit social.

Janë këto gjetjet e dy studimeve me temë “Romët dhe egjiptianët në Shqipëri”, në lidhje me profilin social-demografik dhe ekonomik bazuar në censusin 2011 si dhe profilit të personave me aftësi të kufizuar.

Gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar në Hotel Tirana në kuadër të këtyre studimeve, ishin të pranishëm, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave Gjergj Filipi, Sh.S. Zineb Touimi-Benjelloun Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuese e përhershme e programit të OKB , Sh.T.Christop Graf Ambasador i Zvicrës në Shqipëri, Ilda Bozdo nga Ministria e Mirëqënies Sociale.

Sakaq, studimi tregon në lidhje me shkallën e papunësisë se vetëm 15% e grave rome dhe 13 % e grave egjiptiane janë të punësuara. Për romët e punësuar, cilësia e ulët e punëve që ata kryejnë pasqyron faktin se shumica prej tyre nuk merr pjesë në ekonominë gjithpërfshirëse, por gjejnë punë në sektorin informal. Sipas studimit, personat me aftësi të kufizuar përbëjnë 6.2 % të popullsisë në moshë madhore në Shqipëri. Në tregun e punës, personat me aftësi të kufizuar kanë 5 herë më pak gjasa të punojnë në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë.

Këto dy studime janë hartuar nga UNDP në kuadër të “Programi të Kombeve të Bashkuara për Përfshirjen Sociale në Shqipëri”, të financuar nga Zyra e Bashkëpunimit Zvicerian në Shqipëri./m.m/

---Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti tragetet e linjave janë shfrytëzuar nga 150.565 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 1 për qind më e lartë se sa 4-mujori i parë i vitit të kaluar, bën me dije sektori i statistikave të APD.

Burimet nga ky sektor bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 5 për qind, ndërsa është regjistruar një rënie prej 13 për qind e udhëtarëve të huaj që zgjedhin këtë lloj shërbimi. Rritje prej 7 për qind ka patur edhe në transportin e kamionëve me tragete, ndërkohë që vihet re një rënie prej 5 për qind në numrin e përgjithshëm të autoveturave. Gjatë këtij 4-mujori tragetet kanë transportuar 25.991 autovetura dhe mbi 21 mijë kamionë dhe trajlerë.

Sipas të njëjtave burime operative, 90.977 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë shumë më i vogël se në dalje, vetëm 59.588 vetë, duke regjistruar një rënie prej 9 për qind./m.m/

---Shfaqja me titull  “Domatja Kërcimtare” vjen për publikun e vogël  gjatë kësaj fundjave në Teatrin e Kukullave.

Pjesa e shkruar nga Rovena Rrozhani, me regji nga Aurora Qazimi Ymeri, muzikë nga kompozitori Sajmir Çili, dhe koreografinë e Fatjon Sulstarovës risjell në skenën e teatrit të fëmijëve një sprovë të re që synon të ngjisë në skenë edhe aktorë të vegjël krah aktorëve profesionistë.

Në 16 maj ora 10:30 dhe 11:30, dhe në 17 maj  ora 10:30 dhe 11:30, në skenën e teatrit të kukullave  në rolet kryesore do ringjiten të interpretojnë  10 fëmijët e vegjë  si Klea, Dea, Nikol, Noah, Aleksandri, Arla, Endri, Andrea, Roan dhe Pegi, të cilët në krah të tyre kanë edhe aktorët profesionistë të Teatrit të Kukullave si Esmeralda Kame, Denard Xhillari, Donika Ramallari.“Domatja kërcimtare” është në alternim i bukur i lojës dhe muzikës, aktrimit e kërcimit por edhe informacionit edukativ për ushqimin e shëndetshëm tek fëmijët.

Bota
---Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Veriut, Hion Jong-Çol  u ekzekutua, i akuzuar “për mungesë besnikërie” ndaj udhëheqësit të vendit Kim Jong-Un.

Agjencia e Shërbimit Sekret të Koresë së Jugut i ka raportuar Parlamentit ne Seul për vrasjen e tij. Agjencia e lajmeve koreano-jugore, Yonhap raportoi se 66 vjeçari u qëllua me një kundra – ajror përpara qindra personave. Siç mësohet, Ministrin e Mbrojtjes e kishte zënë gjumi gjatë një takimi të rëndësishëm, ku merrte pjesë edhe Kim Jong-Un dhe ai nuk kishte zbatuar asnjë prej detyrave që i ishin ngarkuar.

Raportimet nga Korea e Veriut janë thuajse të pamundura për tu konfirmuar në mënyrë të pavarur. Për analistët, eleminimi i një prej njerëzve më të afërt të Kim Jong Un-it nuk bën gje tjetër veçse shton shqetësimin për stabilitetin e Koresë së Veriut.

Hion Jong – Çol ka qënë gjeneral prej vitit 2010, megjithëse nuk dihet shumë rreth tij. U caktua në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes vitin e kaluar. Prej kohësh ka patur raportime se në Korenë e Veriut po përdorën armët e rënda për ekzekutimin e armiqve të pushtetit, përfshi edhe mortajat. Lajmi i ekzekutimit të Ministrit të Mbrojtjes vjen disa javë pas ekzekutimit të 15 zyrtarëve të lartë, mes të cilëve dy zëvëndës ministrave që i kishin bërë qendresë politikave të Kim Jong-Un.

Në vitin 2013 ai urdhëroi ekzekutimin e burrit të hallës Çang Song- Thaek, dikur figura e dytë më e rëndësishme në vend.

---Një sulm kundër një autobusi që transportonte myslimanë të minoritetit shiit ka shkaktuar të paktën 43 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur sot në metropolin pakistanez të Kaçit, njoftuan autoritetet.

Sipas policisë dhe zyrtarëve të komunitetit shiit, 25 burra dhe 16 gra kanë humbur jetën në këtë sulm të kryer nga disa persona të armatosur në lagjen Safoora Goth. Sipas një bilanci të mëparshëm bëhej fjalë për 41 persona të vdekur.

Bëhet fjalë për sulmin më të përgjakshëm të kryer në vend që prej një atentati që synonte gjithashtu minoritetin shiit duke shkaktuar 60 të vdekur në muajin janar në Skikarpur, qytet i vogël në provincën jugore të Sind./ec/

---Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, pas tërmetit të fundit që goditi Nepalin. 

Të paktën 65 persona humbën jetën dhe rreth 2.000 të tjerë u plagosën, pas lëkundjes së fortë sizmike prej 7.3 ballësh e shkallës Rihter që u ndje të martën në Indi dhe Bangladesh.

Agjencitë e ndihmës apeluan për fonde, duke thënë se tërmeti i së martës goditi edhe përpjekjet për të ndihmuar te prekurit nga lëkundja e fortë sizmike e 25 prillit, që shkaktoi mbi 8.000 viktima.

---Vatikani njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës. Akti mori vlerë ligjore përmes një traktati të ri, që do të nënshkruhet së shpejti.

Në traktat shkruhet se marrëdhëniet diplomatike, Vatikani nuk do t’i ketë më me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, por me shtetin e Palestinës.

Vatikani ka ndërmarrë hapa për njohjen e Palestinës, që në vitin 2012, kur përshëndeti vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për njohjen e këtij shteti. Vitin e kaluar, gjatë një vizite në tokën e shenjtë, Papa Françesku përdori termin “Shteti i Palestinës”.

Të shtunën Presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas do të takohet në Vatikan me Papa Françeskun.

---Italia ka kthyer faqen pas më shumë se tre vjet në recesion, duke regjistruar një rritje ekonomike prej 0,3 për qind të PBB-së në tre- mujorin e parë, një shifër që pritej sipas vlerësimeve të para të publikuara sot nga Instituti i Statiskikave Istat.

Ekonomistët kishin parashikuar një rimëkëmbje më të moderuar nga 0,1 për qind në 0,2 për qind. Bëhet fjalë për shifrën më të mirë të rritjes ekonomike tremujore që prej fillimit të vitit 2011. Italia ka kaluar 14 tremujore në recesion dhe pa rritje ekonomike.

”Ky progres ka ardhur si rezultat i një rritjeje të vlerave të shtuara në bujqësi dhe industri dhe një pauze në sektorin e shërbimeve”, sipas Istat.

Kërkesa e brendshme ka pasur një kontribut pozitiv, ndryshe nga kërkesa e jashtme. Në një vit, PBB-ja në tremujorin e parë ka mbetur e pandryshuar. Ndryshimi për vitin 2015 është 0,2 për qind./ec/

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të Enjten, 14 Maj mot të mirë në përgjithësi, ndërsa temperatura do të shënojë një rritje të vogël. 

Në Attikë, moti do të jetë në përgjithësi i mirë me re të pakta gjatë ditës. Era do të fryjë mesatare në drejtimin perëndim dhe jug-perëndim nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 16 deri në 28 gradë Celsius.

Në Selanik parashikohen vransira të pjesshme, që gjatë ditës do të jenë më të dendura. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 3 deri në 4 ballë, ndërsa temperatura do të variojë nga 14 deri në 26 gradë Celsius.

Është buletini i lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën www.ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 106,7 në Athinë. 

Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, dhe nga radio e punonjësve të Halkídës në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Në Attikë mund të shikoni ERT-3 me sinjal digjital në kanalet televizive 34 dhe 58, ndërsa në Maqedoninë Qendrore në kanalin 50.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54