Το Δελτίο Ειδήσεων στα αλβανικά 20/06/2014


Zjarr me një të vdekur                                                                                                  
Fund tragjik ka pasur zjarri që ka shpërthyer në një apartament në katin e tretë në lagjen Nikea, ku ishte bllokuar një burrë me probleme të lëvizshmërisë, të cilin nuk arritën të shpëtojnë zjarrfikësit. Një grua me me dy fëmijë  që ndodheshin në apartament në kohën që shpërtheu zjarri, arriti të shpëtojë.
Zjarr ka shpërthyer gjithashtu në një fabrikë në Menidi, ku me shpejtësi kanë shkuar 18 zjarrfikës me gjashtë automjete.

Dëme të shkaktuara nga breshëri

Shkatërrim total në mijëra hektarë të kultivimeve të ullirit dhe vreshtave ka shkaktuar breshëri i fortë, erërat dhe shirat që goditën bashkinë e Pangaios në qytetin e Kavalës.

Kryeministri kinez në ambientet e COSCO-s

Objektet e COSCO-s në portin e Pireut ka vizituar kryeministri kinez Li Keqiang, së bashku me kryeministrin grek, Antoni Samara, menjëherë pas vizitës në vendin arkeologjik të Akropolit. Në vazhdim, të dy burrat morën pjesë në Konferencën greko-kineze për Bashkëpunimin Detar dhe z.Samaras ka ftuar Pekinin për të investuar më shumë.
Dhe si në të kaluarën që mësonim për çështjet e Greqisë nga mediat e huaja, pamë në BBC se kinezët po diskutojnë me palën greke për ... 12 porte në Greqi, me përjashtim të Pireut. Pas drekës me Presidentin e Republikës, Karolos Papulias, kryeministri kinez do të udhëtojë në Iraklio të Kretës, sepse kinezët interesohen dhe për aeroportin e ri në Kastelli të Iraklios.

Demokracia e Re dhe PASOK-u tallen me pastrueset

Me një njoftim të tyre, pastrueset e ministrisë së Financave nxjerrin në pah anën tragjikomike të koalicionit të Demokracisë së Re dhe PASOK-ut, që me njoftimet e tij mbështet luftën e pastrueseve, por në të njëjtën kohë i rreh dhe refuzon për të diskutuar me ato.
"Pastruese jemi, nuk jemi badallaqe", përfundojnë pastrueset e ministrisë së Financave.

Vazhdojnë grevën e tyre administratorët e universiteteve

Nga dje dhe sot vazhdon greva e administratorëve të universiteteve. Janë të mbylluar Universiteti Politeknik dhe Universiteti i Patras. Gjithashtu, mbyllen nga dita e hënë 23 qershor e deri të dielën më 29 qershor, fakultetet e instituteve të larta në Lamia, Halkida, Amfissa, Karpenisi dhe Thiva me vendim të Senatit për shkak të problemeve financiare që përballon, sepse nuk ka marrë një grant në vitin 2014.

Në mënyrë të paligjshme, pa liçensë, por «me garancinë e shtetit» fillon punimet kompania Ellinikos Hrisos në Skuries

Pa liçensë ligjore filloi punimet e saj kompania Ellinikos Hrisos në Skuries të Halkidikis, sepse dosja me kundërvajtjet urbanistike nuk është miratuar kurrë dhe u kthye në këtë kompani me një vendim negativ. Këtë kanë zbuluar dokumentet zyrtare qeveritare që janë publikuar sot në faqen e internetit Alterthes.gr, duke provokuar pyetjen për atë se kush mbulon vazhdimin e projekteve të kompanisë në malin Kakavos.

Lajme nga Bota

Të vdekur në Siri

Të paktën 34 persona u vranë sot në një atentat me veturë-bombë në provincën siriane të Hamas në qendër të Sirisë, njoftoi agjencia zyrtare siriane e lajmeve, SANA.
Më shumë se 50 persona u plagosën në atentatin që ndodhi në Al- Horra, një fshat i kontrolluar nga trupat e regjimit.Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut (OSDH) në një komunikatë të tij deklaroi se ka 37 të vdekur gjithsej, civilë dhe ushtarakë, dhe më shumë se 40 të plagosur në këtë atentat. Regjimi në maj mori gati plotësisht kontrollin e Homsit, pas tërheqjes së rebelëve nga pjesa e vjetër e qytetit të rrethuar për më shumë se dy vite nga ushtria.

"Humanistë" izraelitët në Palestinë

Rreth 300 palestinezë ka kapur ushtria izraelite, pasi ajo vazhdon hetimet për të tre izraelitët e rinj të zhdukur që prej të enjtes së kaluar. Sot, megjithatë, nuk ngurroi të vriste një palestinez 15 vjeçar në Bregun Perëndimor - gjithmonë ... në kuadrin e hetimeve të tyre.

Ditë zie kombëtare në Bullgari

Ditë zie kombëtare ka shpallur Bullgaria për 10 të vdekurit nga moti shumë i keq dhe nga përmbytjet e ditëve të fundit. Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë konsiderohen të zhdukur pas përmbytjeve që e përfshinë qytetin Varna, të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm që këto ditë përfshinë shumë zona të Bullgarisë, deklaroi sot ministri i Brendshëm bullgar,Tsvetlin Yovtchev.
Ndërkohë, shefi i policisë së Varnas, Nikola Kaltchev deklaroi dje në mbrëmje se policia deri në atë moment kishte gjetur trupat e pajetë të 10 personave të mbytur. Ai theksoi se nuk mund të saktësohet numri i saktë i personave të zhdukur, duke theksuar në këtë rast se pjesa më e madhe e Varnës është nën ujë. Disa zona të Bullgarisë ditët e fundit janë përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm dhe breshër, që kanë shkaktuar defekte në sistemin elektrik, ndërkohë që për këtë shkak mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.
Muajin e kaluar, ishte Serbia dhe Bosnja që u goditën nga përmbytjet më të mëdha që kur kanë nisur të regjistrohen të dhënat moderne për motin.

Moti

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon vransira me shira lokale dhe stuhi në rajonet perëndimore, veriore dhe në ishujt e Egjeut Lindor. Mot i njëjtë do të jetë edhe në pjesën tjetër të vendit. 
Në Attikë, temperatura do të arrijë në 31ºC, ndërsa në Selanik, temperatura do të arrijë deri në 26ºC.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54